TIRANE - Reforma në arsimin e lartë është e domosdoshme, kjo nuk pohohet vetëm nga drejtues të Ministrisë së Arsimit, por edhe nga vetë drejtues të departamenteve në Universitetet private në vend.
Dr. Gazmend Zeneli, shef i departamentit të Biznes-Manaxhimit dhe Turizmit në Universitetin “Marin Barleti”, flet për reformën në arsimin e lartë. Sipas tij, kjo reformë duhet të nisë që nga niveli Bachelor e deri tek doktoraturat. Sa i përket akreditimit të universiteteve për Zenelin ky është një proces tejet i domosdoshëm pasi vendos rregullat dhe sistemet.
Përse maturantët duhet të zgjedhin Universitetin “Marin Barleti”?
Mendoj që duhet bërë për shumë arsye. Së pari dhe më e rëndësishmja është se në UMB studenti është vërtet në qendër. Ne jemi në shërbim të studentit dhe ora e mësimit është orë pune e kualifikuar derisa studenti të arrijë përgatitjen e duhur. UMB siguron në vazhdimësi një bashkëpunim me jetën aktive në procesin e mësim-dhënies. Tek ne kumtojnë dhe mbajnë referate specialistë të shquar të vendit, drejtues të sektorëve të rëndësishëm të administratës, administratorë të suksesshëm nga fusha e biznesit, si edhe studiues të shquar vendas, por edhe të ftuar nga jashtë. Kam bindjen se Profesorati ynë mishëron përgatitjen më të mirë universitare të kohës, ku përpos figurave të shquara të arsimit shqiptar, një pjesë e konsiderueshme janë përgatitur jashtë vendit. Mjafton të përmend që UMB-ja ka patur numrin më të madh të përfituesve nga programi Brain Gain, ndër gjithë Institucionet publike dhe private. Shumë prej programeve tona mësimore janë ndërtuar në bashkëpunim dhe partneritet me institucione të shquara ndërkombëtare në fushat përkatëse si: AHLEI (Instituti Amerikan Arsimor për Hoteleri- Turizëm), INARCH (Instituti Kombëtar i Arkitekturës së Italisë), Universiteti Federico II i Napolit (në drejtësi), Universiteti i Clemson në SHBA (Doktoraturë në Shkencat Sociale), Shkolla Clinton në Shërbimet Publike (Universiteti i Arkansas në ShBA), ku pedagogët tanë janë ftuar të shkojnë si lektorë, etj. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme është pjesëmarrja në hartimin dhe zbatimin e projekteve të ndryshme zhvillimore (brenda dhe jashtë vendit), në bashkëpunim me komunitetin dhe me pjesëmarrjen aktive të studentëve.
Aktualisht është duke u bërë një reformë në Arsimin e Lartë, çfarë duhet të ndryshojë, kush janë propozimet tuaja?
Mendoj që kjo reformë duhet të shtrihet në të gjithë nivelet.
Në nivelin Bachelor: Megjithëse në Kartën e Bolonjës, niveli Bachelor presupozon studime të përgjithshme, mendoj që në kushtet e Shqipërisë, duhet te ketë një prirje profesionale në strukturën programore të tij si edhe në trajtimin e lëndëve. Në shkallën tjetër hierarkike të shkollimit universitar, niveli Master duhet rregulluar në kuptimin që shkollimi maksimal duhet të jetë i njëjtë si për atë që synon të ndjekë karrierën shkencore, ashtu edhe për atë që ndjek karrierën profesionale. Në këtë kënd-vështrim do të mendoja që skema 3+2 të përdoret edhe për programet Master Profesional. Dallimi ndërmjet një programi Master Shkencor dhe një Profesionali nuk duhet të jetë në volumin e përgatitjes, por në mënyrën e orientimit të tyre. Midis tyre mund të ketë ekuivalentime në mënyrë që persona që arrijnë rezultate shumë të mira në një Master Profesional të kenë mundësi të ndjekin karrierën shkencore. Kjo jo domosdoshmërish mund të çojë në eliminimin e programeve Master 1 vjeçare që mund të adresojnë çështje specifike. Në shkallën më të lartë hierarkike, atë të Doktoraturës duhet t’i jepet fund abuzimeve me to. Personalisht, nuk kam dëgjuar dhe nuk më duket normale që të ketë gradë Doktor në disa fusha krejt aplikative, si psh: Doktor në Infermieri. Dhe po ashtu i duhet dhënë fund pranimeve me kuota paraprake. Pranimet në Doktoraturë të bëhen mbi bazën e projekteve në të cilat është gjetur më parë financimi dhe jo mbi bazë financash personale.
Nëse do të duhet të ridimensionohet roli i njësive akademike bazë të shkollave të larta, do të mbështesja idenë që departamenti është së pari njësi kërkimore shkencore dhe ai krijohet mbi një fushë (tematike) të caktuar studimore. Veprimtaria e tij duhet të mbështetet me një financim modest publik të ndërtuar mbi bazën e projekteve kërkimore që ai paraqet dhe me donacione të tjera që departamenti mund t’i fitojë nga burime të tjera me kontributin e vet. Numri i njerëzve që do të angazhoheshin në departamente do të duhej të ishte në varësi të ngarkesës mësimore që duhet të përballojë dhe të projekteve kërkimore që mund të fitojnë.
Pavarësisht që personalisht kam qenë dhe jam që personeli drejtues i njësive akademike të jetë i zgjedhur nga profesorati (madje per mua me votë të cilësuar sipas gradave dhe titujve), përsëri për shumë arsye të zbatimit të këtij principi në Shqipëri, mendoj që duhet aplikuar sistemi i miratimit të kandidaturave përkatëse nga një grup autoritar dhe interesi (sikurse është p.sh në sistemin amerikan). E konsideroj pozitive, trajtimin homogjen si e mirë publike të arsimit të lartë të financuar nga shteti, nga privatët ose miks. Megjithatë, sistemi tërësisht privat në këtë fushë është një realitet tashmë (jo vetëm tek neve). Në këtë këndvështrim krahas idesë së hedhur mund të propozoja nxitjen dhe angazhimin e sistemit privat në thithjen e fondeve suplementare qoftë edhe nga ato publike, nëpërmjet projekteve zhvillimore institucionale ose kërkimore që këto njësi mund të propozojnë dhe kur shihet që këto janë në interes të shtetit (vendit). Do të ngrija edhe çështjen e ndërgjegjes profesionale lidhur me cilësinë e punës mësimore dhe shkencore në arsimin e lartë. Nuk shoh ndonjë sistem të ri “çudibërës” që mund të aplikohet në sistemin e arsimit të lartë. Sistemet që aplikohen janë ato të njohura në të gjithë Evropën, por sistemin e zbatojnë njerëzit dhe për një zbatim korrekt, përpara së gjithash kërkohet ndërgjegjja profesionale dhe kjo arrihet me njerëz të përgatitur profesionalisht.
Aktualisht të gjitha universitet si publike dhe private do të kalojnë në sitën e akreditimit, sa i domosdoshëm është ky proces?
Sistemet, rregullat dhe organizimet që parashikohen të bëhen për akreditimin duhet të marrin parasysh thelbin e këtij procesi, i cili për mua është njohja e cilësisë së institucionit dhe bërja publike e një përshkrimi të kësaj cilësie. Në këtë mënyrë, procesi ndihmon përgjegjësinë e institucionit dhe financuesin e tij të vijojë, ta mbyllë, apo të shtojë financimet për një program. Njëkohësisht ky proces ndihmon edhe kandidatët potencialë për studentë dhe familjet e tyre të përzgjedhin vendin dhe institucionin ku do bëjnë studimet në përputhje me vlerësimet përkatëse që i bën njësia akredituese programeve të ndryshme në institucione të ndryshme. Parë si i tillë, ky proces i shërben nxitjes së zhvillimit dhe përparimit të institucionit. Në mënyrë të veçantë akreditimi nuk mund të jetë “Bardh a zi”, aq më pak të kushtëzojë diplomimin (sikundër është tani); ç’ka është një paralelizëm me procesin e licensimit dhe që deri më sot ka kontribuar negativisht në realizmin e një procesi korrekt dhe cilësor.
(Shkrimi u publikua në gazetën Shqiptarja.com 12 mars 2014)










