Ky veprim sipas KLSH-s është ndërmarrë nga Sekretari i Përgjithshëm i MAS Plarent Ndreca, duke i shkaktuar një dëm shtetit prej 61 milionë lekë. “Bllokimi dhe mos miratimi i kuotave për studime doktorale për tri vjet me radhë, ka akumuluar artificialisht në rritje kërkesën për këtë lloj të mire publike, që i është drejtuar sektorit privat.
Kështu nga një llogaritje e thjeshtë (nisur nga një tarifë minimale prej 204,000 lekë, me një numër minimal kuotash 300), buxhetit të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë i mungojnë 61 milionë e 200 mijë lekë, fonde të cilat, si rrjedhojë e bllokimit të fondeve publike, kanë kaluar në financimin e institucioneve private”, - janë disa nga shkeljet që ka gjetur Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Drejtoresha në Lushnje
Ndër masat që i ka propozuar KLSH, Ministrisë së Arsimit është dhe largimi nga shërbimi civil i drejtorit të Drejtorisë Arsimore në Fier për emërimin abuziv që i bëri Liza Tabakun si përgjegjëse e Zyrës Arsimore në Lushnje, pa eksperiencë në arsim.
“Në dosjen e personale të Liza Tabaku disponohet vetëm fotokopje diplome e nivelit Bachelor me drejtimin “Punonjës Social” e lëshuar nga Universiteti “Aleksandër Xhuvani”, Elbasan dhe fotokopje të librezës së punës sipas të cilës rezulton se Liza Tabaku pas mbarimit të shkollës së mesme bujqësore, ka punuar në ish ndërmarrjen bujqësore frutore si punëtore dhe deri në vitin 2011 ka punuar si punonjëse shërbimi në filialin e postës në Lushnjë”, - thuhet në denoncimin e KLSH-s. Drejtoresha Arsimore në Lushnje është arrestuar pak muaj më parë, për shpërdorim detyre, ku u kërkonte shuma të larta parash mësuesve për të mos i larguar nga puna apo për ti punësuar ata.
Abuzimi me tenderat
Po kështu Sekretari i Përgjithshëm i MAS dhe përgjegjësi i sektorit të financës kanë abuzuar me detyrën, duke favorizuar kompani të caktuara në 2 tendera. “Nga vlerësimi i ofertave në procedurën e prokurimit me objekt “Blerje pajisje mobilierie për shkollat e sistemit arsimor pasuniversitar” kanë marrë pjesë 8 Operatorë dhe janë kualifikuar 3 Operatorë Ekonomikë.
Pas ankesës në Autoritetin Kontraktor të një Operatori Ekonomik të skualifikuar, është rrëzuar ankesa dhe është pranuar ankesa dhe KPP ka marrë vendim për shpalljen fitues. Edhe pas këtij vendimi, zyrtari i autorizuar i MAS i rekomandon pranimin e ankesës dhe lidhjen e kontratës, në kundërshtim me vendimin e Komisionit të Prokurimit Publik”, - thotë raporti i KLSH-s. Në total dëmi që i është shkaktuar shtetit sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit nga të gjitha veprimet abuzive është 108 milionë lekë (të rinj).
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 Korrik 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)