“Mein Kampf”, nga lufta e
Hitlerit tek ajo mes botuesve

TIRANE - Botuesi i Mein Kampf, Beqir Haluli, i cili hapi shumë debate mbi botimin e librit të Hitlerit në shqip, sot i kundërpërgjigjet një botuesi tjetër që e sjell atë për herë të dytë. Në këtë letër-reagim të publikuar nga Shqiptarja.com, ai hedh poshtë akuzat sipas të cilave botimi i tij nuk është i plotë. Duket se debati për librin po përfundon në një betejë mes botuesve.


Ridalja e një libri në treg si “Lufta ime” nga një tjetër shtëpi botuese (libër i botuar para dy javësh nga shtëpia botuese Belina H.), nuk do të linte asnjë gjurmë tek unë, pavarësisht faktit se botuesit nuk duhet të përplasen njëri me tjetrin. Bile po t’i shkrepë mendja edhe ndonjë botuesi të tretë, përsëri nuk do të shqetësohesha, sepse jam dhe mbetem i parimit (pavarësisht kakofonisë dhe shijes së hidhur të transmetohet tek lexuesi i tkurrur shqiptar) se në një vend të lirë e demokratik gjithkush ka të drejtë të bëhet botues, apo të botojë çdo autor që mendon se duhet të sjellë para lexuesit të vendit të tij. E rëndësishme mbetet që botimi i servirur për lexuesin të jetë sa më cilësor në çdo drejtim (përkthim sa më i mirë, njohje të gjuhës shqipe, përkthim nga origjinali dhe paraqitje të lartë grafike). Nisur nga këto principe edhe Belina H. u mundua t’i ofrojë lexuesit librin “Lufta ime” në një përkthim perfekt nga gjuha origjinale dhe prurje kualitative në shqip (fakt i komentuar nga përkthyes seriozë e të njohur në disa debate televizive). Siç e kemi theksuar edhe më parë qëllimi i stafit të shtëpisë sonë botuese ka qenë që të sjellim në shqip traktatin politik të diktatorit dhe mostrës Adolf Hitler (Lufta ime), një botim të pajisur me parathënie të redaksisë dhe shënime kritike, jo për të justifikuar librin, por për ta komentuar dhe kuptuar lajthitjen e stërmadhe të njeriut që solli katastrofën botërore. Por pavarësisht nga ajo që thashë më lart - këto i takojnë debateve që janë bërë në shtyp dhe në emisionet televizive – zanafilla e këtij shkrimi merr ngacmim nga hedhja në treg e po këtij libri nga një tjetër shtëpi botuese që po përpiqet të përbaltë pasukses botimin e Belina H.
Pra ngacmimi për të shkruar diçka erdhi nga fakti aspak i këndshëm dhe do thoja edhe i pamoralshëm se i njëjti libër i botuar nga një shtëpi tjetër botuese u pasua nga një sulm i paprecedent dhe i ulët i pronarit të saj ndaj botimit të shtëpisë botuese Belina H. Në dalje televizive, në telefonata drejtuar emisioneve televizive apo në disa shkrime gazete, botuesi tjetër për të “lartësuar” botimin e tij arrin deri në gjykime të marra duke shpifur se botimi i Belina H. “është thjesht një botim me pjesë jo të plota, kryesisht nga Volumi I”, duke arritur në qëndrime e biseda megallomane librari më librari (duke biseduar me çdo librar) se botimi i parë është i cunguar, i përmbledhur dhe lloj-lloj fantazish dhe lajthitjesh delirante. “Kurse unë… (kupto botuesi tjetër) kam bërë mrekullinë etj. etj.” Por lexuesi ynë është i kultivuar dhe mendjehollë. Ai që në fillim të librit, pas parathënies së shtëpisë botuese dhe parathënies së autorit (më ekzaktësisht në faqen 17 të tij) ka vëzhguar me kujdes se aty shkruhet Vëllimi I, pra logjika e thjeshtë thotë se ky vëllim do të ndiqet nga një tjetër. Ky volum ka 12 kapituj. Lexuesit fare lehtë mund të kontrollojnë në internet (varianti i Mein Kampf gjendet lehtësisht në gjuhën gjermane, madje mund të verifikojnë edhe te wikipedia) dhe do të konstatojnë se asnjë kapitull nuk i mungon Vëllimit të Parë të botuar nga ne. Pasi të kalojë njëfarë kohe, 3-4 muaj, do të botoj dhe Vëllimin e Dytë, pasi i pari është voluminoz dhe do ca kohë të lexohet. Jam i sigurt se botimi i vëllimit të parë të botuar nga ne, qëndron më lart, përveç të tjerash edhe për faktin e thjeshtë sepse botimi ynë vjen nga gjuha origjinale. Në të kundërt (nuk mund të rri pa e përmendur) botimi tjetër është përkthyer nga një gjuhë sllave. Lexuesi do ta vërë re lehtësisht që në faqet 13, 14. Madje në kopertinë është vënë fraza e botimit rusisht: “Mos e merrni këtë libër si propagandë të nazizmit. Ky libër është historia. Historia jonë dhe juaja, historia botërore.” Po ti zotëri, si ke guximin të mashtrosh lexuesit duke e përkthyer dhe botuar veprën nga një gjuhë sllave? Mos ndoshta kujton se kështu do ta kuptojnë më mirë? Unë s’kam ndërmend të merrem me arsyet se pse kolegu im ripruri të njëjtin libër në treg, kur unë i kam shpjeguar plotësisht arsyet pse mora iniciativën për të prurë i pari tek lexuesi shqiptar një tirazh modest të këtij libri. Pa dashur të paragjykoj, po siç duket i frikësuar nga cilësia e përkthimit perfekt që i ka bërë Belina.H vëllimit të parë të këtij libri nga puna e mirë grafike, botuesi tjetër doli librari më librari, për të folur keq dhe për t’u mbushur mendjen librarëve se libri i tij qenka më i miri, dhe më i ploti. Qëllimi i tij i justifikon plotësisht mjetet... E them me bindje se një veprim te tille jo vetëm unë, por edhe shumë kolegë të tjerë nuk do ta bënin kurrë.

(im/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Sabotimi i kabullit nënujor nga Rusia, NATO do të shtojë praninë ushtarake në Balltik

Sabotimi i kabullit nënujor nga Rusia, NATO do të shtojë praninë ushtarake në Balltik