“Mesjeta shqiptare” dorëshkrimi
i panjohur i Dhimitër Shuteriqit

“Mesjeta shqiptare” dorëshkrimi<br />i panjohur i Dhimitër Shuteriqit
Prej 10 vitesh eruditi i madh Dhimitër Shuteriqi i mungon botës së të gjallëve. Por nga arkivi i tij i pasur, kohë pas kohe, dalin materiale të reja, dorëshkrime, ditare, shënime të panjohura e krijimtari letrare. Zonja e tij Mynever Shuteriqi, një grua e pasionuar pas letërsisë dhe veprës studimore të të shoqit, prej vitesh punon me ngulm e dashuri të pashoqe për të nxjerrë në dritë thesaret e Shuteriqit.

Kjo datë e sotme, është e veçantë për të. Ka brenda shumë dhimbje, mungesë dhe mall. Sot bëhen plot 10 vjet prej largimit të përheshëm të bashkëshortit të saj, mikut të rrugëtimit të një jete. 10 vjet pa të, ngjan si një hon i thellë mungese e malli. E kjo dallohet qartë në vështrimin e saj dhe në tonin e zërit sa herë e përmend dhe e kujton. Në përpjekjet e gjithhershme për të nxjerrë në dritë veprën e Shuteriqit, këtë herë zonja Mynever na sjell një shkrim të panjohur, të cilin Rilindasi e boton për herë të parë.

Vizatimet e Dhimitër Shuteriqit me logo
(Në foto: Skica të realizuara nga Dhimitër Shuteriqi kushtuar miqve të tij, ekspozuar në Prishtinë në vitin 2003)

Me titullin “Mesjeta shqiptare”, ky shkrim i Shuteriqit është shkruar në korrik të vitit 1977, në Dhërmi dhe trajton konceptin  e Mesjetës  Shqiptare, që shpesh cilësohet si kohë errësire. A do të mund të kishim Skënderbeun dhe shkëlqimin e tij  pa patur diçka që i paraprin? Shuteriqi analizon nga fillesat Mesjetën Shqiptare që nga shteti i parë i 1190,  tek principatat e Balshajve apo e Topiajve tek faktet që servirin kërkimet historike mbi Karlin e parë Anzhu që e kishte shpallur veten  “Rex Albaniae”, mbi kërkimet e tij vetjake rreth shtetit të parë të 1190 në Gëziq të Mirditës, te librat e parë shqip etj... 

Veç këtij studimi me mjaft interes, duke dashur të plotësojmë portretin e tij edhe si poet, e artist sjellim një cikël me poezi që nga fillesat e krijimtarisë së tij poetike deri vitet ’90, sikurse edhe disa skica mjaft interesante, të cilat para pak viteve u ekspozuan në Prishtinë dhe Tiranë, skica kushtuar miqve dhe të njohurve të tij. 

Dhimitër Shuteriqi, poeti, prozatori, studiuesi dhe publicisti i njohur lindi në Elbasan, më 26 korrik 1915, në një familje të njohur arsimtarësh patriotë. Studimet e para i kreu në Liceun Francez të Korçës dhe ato të larta, për filozofi e drejtësi, në Grenobel dhe Lyon të Francës. Mori pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Ka nisur të botojë që prej fillimit të viteve ’30, duke u bërë i njohur në shtypin e kohës si poet dhe publicist. Për një periudhë gati 60-vjeçare, e cila shtrihet deri në ditët e fundit të jetës, iu kushtua intensivisht letërsisë dhe veprimtarisë studimore letrare, albanologjike, historike dhe folklorike.

Si tregimtar, Shuteriqi është autor i disa vëllimeve, midis të tjerash: Fyelli i Marsiasit (1963), Një mal me këngë (1975), Maratonomaku ynë (1977), 60 tregime në një (1978), Kur rend hëna nëpër re (1982), Vërshimet e vjeshtës (1984), Kroje kam et (1977), Buka dhe thika (2002) etj. Një numër i madh i veprave letrare janë përmbledhur nën titullin Vepra, në 9 vëllime, më 1982 dhe 1989.

Vepra e tij e gjerë shkencore iu kushtua rrënjëve të qytetërimit shqiptar, duke u bërë sidomos e njohur me botime të tilla monografike dhe historiografike, si Shkrimet Shqipe 1832-1850 (1965), Historia e letërsisë shqipe, apo përmes hulumtimeve dhe studimeve mbi humanistët shqiptarë, figurat e shquara të Rilindjes, historisë së kulturës kombëtare, folklorit etj. Një pjesë e tyre janë botuar si vepra monografike më vete, shumë të tjera të përmbledhura në vëllime të veçanta.

Dhimitër S. Shuteriqi drejtoi për një kohë të gjatë Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë si kryetar i saj. Ai ishte anëtar i Akademisë së Shkencave që prej themelimit më 1972 dhe një ndër themeluesit e arsimit të lartë shqiptar.
U nda nga jeta më 21 korrik 2003.

Shkrimi u botua në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 21.07.2013
 
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin

Morën votëbesimin në parlament, dy ministrat e rinj Vengu dhe Hoxha bisedojnë me njëri-tjetrin