“Parullat me gurë” në
gjuhën esperanto

“Parullat me gurë” në<br />gjuhën esperanto
Vëllimi i mirënjohur me tregime “Parullat me gurë” i shkrimtarit Ylljet Aliçka qarkulloi këto ditë në gjuhën esperanto, apo në gjuhën e së ardhmes, siç e quajnë përkrahësit e kësaj gjuhe. Libri është përkthyer nga Tomas Chmielik dhe Bardhyl Selimi dhe shoqërohet nga një pasthënie e gjatë dhe e plotë vlerësuese e Istvan Ertl, i cili mes të tjerash shkruan: “... Aliçka i mëson lexuesit Shqipërinë. Jo atë të fshehur pas kërpudhave të bunkerëve dhe pirgjeve të mbeturinave, por atë të oborreve dhe kafeneve, klasave mësimore dhe zyrave, autobusëve dhe stacioneve të trenit. Falë këtij mësimi ajo nuk është më e pakuptueshme dhe e paarritshme si dikur, por paradoksalisht bëhet më njerëzore, më e afërt në veçantësinë e dhe ndryshimësinë e saj, që ka më shumë cilësi universale...” Ky vëllim me tregime, është përkthyer dhe botuar tashmë edhe në mjaft gjuhë të tjera të botës, si në frëngjisht (ku ka njohur edhe ribotime), italisht, polonisht, sllovakisht dhe rumanisht. Tregimi që mban titullin “Parullat me gurë” është përkthyer dhe botuar gjithashtu i përfshirë nëpër antologji të ndryshme. Bazuar në tekstin e këtij tregimi, autori ndërtoi skenarin e filmit me të njëjtin titull që u vlerësua me Çmimin e Kritikës në Festivalin e Kanës më 2001 dhe Globin e artë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Tokio po të njëjtin vit. Ylljet Aliçka është një nga autorët shqiptarë më të njohur të botës shqiptare, i vlerësuar me shumë çmime letrare brenda dhe jashtë Shqipërisë. Romani i tij më i fundit në shqip është “Valsi i lumturisë”. Gjatë dy viteve të fundit ka qarkulluar në esperanto nga Shtëpia Botuese Sëidnik edhe romani i shkrimtarit Fatos Kongoli “I huaji”. Po kështu ka qarkulluar tashmë edhe vëllimi “E hëna në shtatë ditë” i poetes Luljeta Lleshanaku. Esperantoja nga specialistët që e lëvrojnë quhet një gjuhë e thjeshtë, sepse ka vetëm 14 rregulla gramatikore, dhe gjithë emrat përfundojnë me "o", apo të gjithë mbiemrat me zanoren "a". Është një gjuhë me pak gramatikë dhe me alfabet fonetik. Përhapja ose jo e esperantos në botë më shumë se një shekull mbetet një çështje e hapur për njerëzimin, megjithatë ajo po përqafohet nga shkrimtarët e botës, të cilët nuk ngurrojnë të përkthehen veprat e tyre edhe në këtë gjuhë. Në Shqipëri esperantoja ka një traditë gati njëshekullore, ku esperantisti i parë njihet Dom Lazer Shantoja, por kjo gjuhë nuk është bërë e njohur gjatë regjimit komunist. Viteve të fundit shoqata botërore e esperantos ka krijuar degën e saj në Shqipëri, e cila ka përfshirë në listën e përkthimeve në këtë gjuhë shkrimtarët më të njohur. Së fundi përfshin edhe shkrimtarin Ylljet Alicckaj. I pari ndër shkrimtarët shqiptarë i përkthyer në këtë gjuhë është shkrimtari Fatos Kongoli e pas tij nisën të përkthehen edhe të tjerë si Ismail Kadare, Luljeta Lleshnaku. Esperanto ka lindur si një gjuhë e re e krijuar nga Ludvvik Lejzer Zamenhof më 1887-n, i cili përdorte nofkën Doktoro Esperanto. Kjo gjuhë u krijua për të lehtësuar komunikimin midis njerëzve të kombeve të ndryshme dhe synon të jetë gjuha për të gjithë njerëzimin. Megjithëse ka ngjallur debate dhe polemika, sërish esperanto ka arritur të mbijetojë duke pasur rreth 1 milion folës në botë, siç pohuan përfaqësuesit e një grupi esperantistësh që erdhën vitin e kaluar në Shqipëri me rastin e promovimit të romanit të Fatos Kongolit "Lëkura e qenit". Me gjithë qëndrimet konservatore dhe pengesat politike, organizata e esperantistëve në botë e mendon këtë gjuhë të parrezikshme në prishjen e gjuhëve. Të njëjtin mesazh dha në Akademinë e Shkencave edhe përkthyesi Tomasz Chmielik, duke argumentuar me fjalët se "Esperenato i ka rrënjët në fillimet e njerëzimit", ndërsa ka kujtuar historinë e Kullës së Babelit, por idetë e tij u pritën me skepticizëm nga akademikët. Chmielik ka premtuar të përkthej edhe "Pallatin e ëndrrave" të Ismail Kadaresë. Esperantistët sot kanë hartuar edhe manifestin e tyre "Shpresa" dhe kanë ngritur akademi në të gjitha vendet e botës.", e megjithatë pjesa më e madhe shprehen me skepticizëm për sa iu përket përkthimeve letrare në këtë gjuhë.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024