“Pema e jeniçerëve”: Ali Pasha
një luan në oborrin e sulltanit

“Pema e jeniçerëve”: Ali Pasha<br />një luan në oborrin e sulltanit
Jashimi mbërriti herët në restorantin e vogël nën kullën Galata[1] dhe zgjodhi një qoshe të qetë pamja e së cilës binte mbi ngushticën e Bosforit. Bosfori e kishte bërë Stambollin ashtu siç ishte: nyja ndërmjet Evropës dhe Azisë, udha nga Deti i Zi në Mesdhe dhe kryeportin e tregtisë në botë që nga kohët e lashta e deri atëherë. Nga vendi ku ishte ulur, mund të sodiste kanalin që e donte aq shumë dhe pllakën e hollë prej bronzi ku pasqyrohej forma e qytetit.

Kanali gëlonte nga anijet. Një tufë velash të bardha u ngritën mbi bordin e një fregate osmane që mori udhën drejt ngushticës. Një mori anijesh peshkimi njëdirekëshe dhe të gjera, kishin marrë udhën drejt detit Marmara, në kah të kundërt me erën që frynte nga lindja. Një anije doganierësh kaloi përbri me lopatat e gjata e të kuqe, si një brumbull uji në arrati. Kishte anije udhëtarësh, barka të vogla me rrema, maune të ngarkuara tej mase; anije patrullimi me vela trekëndore që vinin nga Deti i Zi, shtëpi - varka të ankoruara në hyrjen e mbushur plot e përplot të Bririt të Artë. Përmes kanalit të mbipopulluar, në bregun tjetër Jashimi dallonte me vështirësi Yskydarin[2], vendin nga ku fillonte Azia.

Grekët e kishin quajtur Yskydar Kalcedon, qyteti i të verbërve. Kur kishin themeluar qytetin, kolonistët nuk e kishin marrë fare parasysh vendndodhjen e përkryer gjeografike ku, shekuj më vonë. Konstandini do ta kthente qytetin e vogël të Bizantit në një qytet perandorak që mbante emrin e tij. Për njëmijë vjet, Konstandinopoli kishte qenë kryeqyteti i Perandorisë Romake të Lindjes, deri në momentin që perandoria ishte katandisur në një dorë truall përqark qytetit. Që nga pushtimi në vitin 1453, qyteti kishte qenë kryeqyteti i Perandorisë Osmane Turke. Zyrtarisht ende njihej si Konstandinopoli, megjithëse zakonisht turqit e quanin Stamboll. Ai mbetej qyteti më i madh në botë.

Njëmijë e pesëqind vjet madhështi. Njëmijë e pesëqind vjet pushtet. Pesëmbëdhjetë shekuj korrupsion, grushte shteti dhe kompromisesh. Qyteti i aq e aq xhamive, kishave dhe sinagogave; i pazareve dhe tregjeve; i tregtarëve, ushtarëve dhe lypësve. Një qytet mbi qytetet, i mbipopulluar dhe lakmitar.
Fundja, mbase kalcedonianët nuk kishin qenë dhe aq të verbër, - thoshte me vete Jashimi ndonjëherë.

 Ishte pothuajse i bindur që shqiptari nuk do të vinte, por, kur ngriti kokën, e pa aty, si kolos dhe i ngrysur, duke hedhur pallton mbi shpinë. Jashimi i bëri shenjë me dorë të ulej në divan.
-    Ali Pasha i Janinës, - tha mjeshtri i supës. – Të thotë gjë ky emër?
Ali Pasha ishte një kryekomandant, i cili me dinakëri dhe mizori kishte ngritur një gjysmë shteti të pavarur në malet e Shqipërisë dhe Greqisë Veriore. Katërmbëdhjetë vjet më parë Jashimi kishte parë kokën e tij të vënë në një nga kolonat e portave të sarajeve të sulltanit.
Luani, - ngriti zërin Mustafai. – Kështu e quanim ne atë. Kam shërbyer në ushtrinë e tij. E bëja për vendin tim. Por Ali Pasha ishte dhelpër e vërtetë. Ai na dha paqe. Unë doja luftë. Në vitin 1806 shkova në Danub. Atje u bashkova edhe me trupat.

-    Me jeniçerët?
Mjeshtri i supës tundi kokën.
-    Si kuzhinier. Që atëherë isha kuzhinier. Lufta nuk ka shumë rëndësi për një njeri. Një shqiptar s’e ka fare problem. Pyesni grekët. Por gatimi…. – Ai mërmëriti i kënaqur.
Jashimi bashkoi duart dhe u fryu.
-    Unë jam njeri i traditës, - vazhdoi mjeshtri. - Për mua, jeniçerët ishin simbol i traditës. Këtë perandori e ndërtuan ata, apo jo? Dhe një i huaj e ka të vështirë ta kuptojë këtë gjë. Regjimenti i jeniçerëve ishte si një familje.
-    Kështu thonë për të gjitha regjimentet, - ia ktheu Jashimi me dyshim.
Mjeshtri i hodhi një vështrim përbuzës.
- Thonë kështu sepse kanë frikë dhe duhet të luftojnë së bashku. Por me jeniçerët është ndryshe. Në këto trupa kishte njerëz të cilët i doja sepse ishin të aftë të gjuanin me fajkua, apo të bënin poezi, më mirë se çdokush tjetër në botë. Më beso. Kishim një jeniçer i cili dridhej si purtekë para çdo beteje, por që luftonte sa për dhjetë. Kujdeseshim dhe e donim njëri-tjetrin dhe ata më donin sepse u gatuaja gjithnjë, ashtu siçdonim këpucarin që bënte të pamundurën për të na mbathur edhe sikur për të rregulluar këpucët të kishte vetëm lëvore dhe hala pishe. Ishim më shumë se një familje. Një botë brenda një bote. Kishim ushqimin, drejtësinë dhe mënyrën tonë se si e kuptonim fenë. Po, po. Mënyrën tonë. Ka shumë mënyra për t’i shërbyer Allahut dhe Muhamedit. Të shkosh në xhami, siç veprojnë shumë njerëz. Por ne jeniçerët ishim pothuajse të gjithë karagozë.
-    Po thua që kush ishte jeniçer duhej të ndiqte një formë të Sufizmit.
-    Sigurisht. Këtë dhe të gjitha ritualet e të qenit jeniçer. Pra, traditat.

Traditat. Në vitin 1806 Sulltan Selimi kishte filluar të stërviste një ushtri paralele me atë të jeniçerëve. Në këtë pikëpamje ajo kishte shërbyer si pararendëse e Gardës së Re të Mahmudit. Por Selimi, ndryshe nga Mahmudi, kishte pasur shumë pak kohë për t’u organizuar: si rrjedhojë, kur jeniçerët ishin rebeluar kundër tij, e kishin vrarë dhe kishin shkatërruar ushtrinë e tij të reformuar. Jeniçerët rebelë kishin pasur si udhëheqës bajraktarin Mustafa Pasha, komandantin e Danubit.
-    Pra, kur u rrëzua Selimi nga froni dhe në të u ngjit i vëllai Mustafai, ishe edhe ti me ta - sugjeroi Jashimi.
-    Sulltan Mustafa! – Shqiptari hungëriu dhe pështyu me përbuzje kur i përmendi emrin. – Edhe pse mbante ngjeshur shpatën e osmanëve, ishte një njeri krejt i marrë. S’kishin kaluar as dy vjet dhe njerëzit mendonin të kthenin Selimin sërish në fron. Ashtu si të gjithë ne, edhe bajraktari kishte ndërruar mendje. Ne ishim në Stamboll, në kazermat e vjetra dhe u lutëm një natë të tërë, duke folur me dervishët karagozë.

-    Çfarë ju këshilluan ata të bënit?
-    Të nesërmen ne u sulëm mbi pallatin Topkapi. Bajraktari vrapoi përmes portave, duke thirrë emrin e Selimit.
-    Dhe pikërisht në atë çast Mustafai urdhëroi që të mbysnin Selimin, - kujtoi Jashimi. Bashkë me kushëririn e tij,  që, sido që të venin punët …
Mjeshtri përkuli kokën.
-    Ashtu qe. Sulltan Mustafai donte që të ishte i fundit i oxhakut të osmanëve. Unë mendoj se po të ishte ashtu do të kishte mbijetuar. Fundja, ne jeniçerët i mbeteshim besnikë atij oxhaku. Por Allahu e bëri emër ndryshe. Edhe pse Selimi u vra, kushëriri i tij i vogël shpëtoi i gjallë.
Falë nënës së tij të mençur, - mendonte Jashimi. Në momentin vendimtar kur njerëzit e Mustafait po mësynin në pallatin me harqet në duar, francezja e mprehtë të cilën tani e njihte si Valideja, e kishte fshehur të birin nën një pirg me rroba të palara. Mahmudi ishte bërë sulltan në sajë të një pirgu rrobash të vjetra.
-    Po ti, aty ishe?
-    Kur sollën djalin te Bajraktar Pasha, unë isha në pallat. Pashë çehren e fytyrës së sulltan Mustafait: një fytyrë i ikte, një i vinte…Mjeshtri ngriti supet. – Kryemyftiut nuk i mbetej zgjedhje tjetër veçse të shpallte një fetva për ta shfronësuar. Dhe Mahmudi mori fronin.
-    Sa për vete, unë ndihesha i lodhur me atë lloj shërbimi në ushtri. Rebelimi, luftimi në pallat dhe vrasja e Selimit. – Pastaj bëri shenjë me dorë. - Sa andej, këndej. Më kishte ardhur në majë të hundës.
Mjeshtri i supës mori frymë thellë dhe shfryu bulçitë e mbushura me ajër.
-    U largova nga trupat sapo m’u dha rasti. Isha kuzhinier i mirë dhe kisha plot miq në Stamboll. Brenda pesë viteve fillova të punoj për veten time.
-    Kështu hoqe dorë edhe nga rroga, apo jo? Shumë njerëz ishin rekrutuar me pagesë, merrnin një rrogë dhe gëzonin të gjitha privilegjet e trupave jeniçere, pa pasur fare ndër mend të shkonin në luftë. Ky ishte një marifet që dihej nga të gjithë.
Mustafai ngurroi të fliste.

- Jo menjëherë, - pranoi ai. – Por, brenda pak vitesh nuk kisha më nevojë për ndihmë dhe hoqa dorë.
Jashimi dyshoi, por nuk tha gjë.
-    Mund të kontrolloni dokumentet. U shkëputa nga jeniçerët në maj të vitit 1815. Nuk e pata të lehtë. Ti nuk mund ta kuptosh dot.
Jashimi po fillonte ta besonte.
- Nuk donin të të linin të ikje? Apo të duheshin paratë?
Shqiptari i hodhi një vështrim tërë përbuzje.

-   Dëgjo këtu. Unë shkoj ku të kem qejf, megjithëse kjo e sotmja është një përjashtim. Nuk kisha nevojë për ato para sepse punët po më shkonin mbroth. – Jashimi puliti sytë dhe i besoi. – Ishte shumë e vështirë të ndahesha prej tyre.
Jashimi u përkul pak përpara.
-    Dhe si ia bëre?
Mjeshtri hapi duart e tij të mëdha dhe i pa me vëmendje.
-   Mësova të kisha besim te vetja. E pashë me sytë mi se çfarë u ndodhi jeniçerëve, se si e kishin katandisur traditën e vërtetë. Atë që kishte vërtet rëndësi. Ata nuk i shërbenin më perandorisë.
Ngriti kokën.

-   Mendon se nuk ka nevojë për shpjegime? Unë isha në pritje bashkë me shumë të tjerë; - në pritje që të kthehej sërish tradita e vjetër e shërbimit. Më në fund, vendosa të mos prisja më. E kuptova që ishim të dënuar të përsërisnim gabimet tona. Ti mendon se jeniçerët ishin dembelë, frikacakë dhe arrogantë. Mos harroni rebelimet dhe ndërhyrjet.
Mjeshtri fërkoi mjekrën dhe vështroi me bisht të syrit Jashimin, i cili ishte shtangur i tëri.
-Njerëzit që varnim te Pema e jeniçerit i kishim si ujku delen. Kur zemëroheshim, dikush na jepte emra dhe ne thërrisnim: Vriteni! Vriteni filanin e filanin! Na i sillnin dhe ne mendonim se më pas gjërat do të shkonin më mirë.

- Është si t’i hedhësh supës koriandër. Disave u pëlqen, disave jo dhe ca të tjerë as që e vënë re fare. I harron ata të cilëve nuk iu pëlqen. Pastaj shton fasule dhe karota. E njëjta gjë. Disave iu pëlqen, disave jo. Por shumë të tjerë as që e vrasin mendjen, sido që të bësh. Në fund fare as plëndësin nuk e gatuan. Kurse emrin ia vë paçe. Askush nuk e kupton ndryshimin. Vetëm pak njerëz.
Ai përdrodhi mustaqet.
-   Kështu ishin dhe jeniçerët. Si recetë gatimi, të cilën e ke ndryshuar pak e nga pak. Në qytet unë gatuaja paçe dhe supë me të brendshme dhe qepë. Por në kazerma, si me thënë, ata donin të më mbushnin mendjen se ka edhe një lloj tjetër supe që mund të gatuhej me fasule dhe mish. Më në fund m’u desh të ikja.
Jashimi e admironte guximin e mjeshtrit plak. Shumë gjëra në atë qytet ishin ngritur mbi mashtrime: duhej guxim që të shkëputeshe prej tyre. Vetëm se shqiptari nuk e kishte ndarë shapin nga sheqeri. Aspak. Përveçse nëse ajo që dyshonte Jashimi për gardën të ishte e vërtetë.

-    Po miqtë tuaj të vjetër? - e pyeti ai.
-   Jo, jo. Nuk është ashtu siç mendon ti. Ata nuk kishin ndikim mbi mua. As nuk më qortonin. Përkundrazi, nuk më harruan. Jetët tona morën drejtime të ndryshme, por ata nuk më harruan.
Mori një copë byrek me dorën e ngathët dhe e mbushi gojën plot. Jashimi nuk ia ndante sytë ndërsa ai mbllaçitej. Sytë i shkëlqenin.
-    Pesëmbëdhjetë qershori ishte nata më e keqe e jetës sime. Ashtu si të tjerët, edhe unë i dëgjova kazanët. Sulltan Mahmudi kishte pritur tetëmbëdhjetë vjet. Tetëmbëdhjetë vjet që të rritej e të bëhej burrë dhe gjatë gjithë asaj kohe me një qëllim të vetëm në kokë, të shkatërronte forcën që kishte shkatërruar Selimin.
Mbase, - mendonte Jashimi. Por motivet e Mahmudit ishin edhe më komplekse sesa një hakmarrje e thjeshtë për vdekjen e xhaxhait të tij. Donte që të hiqte qafe plotësisht edhe ata që e kishin hipur në fron pa dashje: të shlyente një borxh dhe të merrte hak për një vdekje. 

Tërë arrogancë, jeniçerët kishin pritur mirënjohje dhe i kishin dhënë vetes liri të plotë. Jashimi mbante mend karikaturën që kishin ngjitur një natë në portën e pallatit, ku shfaqej sulltani si qen, të cilin e tërhiqte një jeniçer nga zinxhiri. - Ja se si i përdorim qentë tanë, - shkruhej mbi karikaturë. Kur janë të dobishëm dhe na binden, ne i trajtojmë mirë, por, kur nuk na hyjnë më në punë, u japim shkelmin dhe i flakim në rrugë.
-  Njerëzit e qytetit ishin të frikësuar. Bum bum! Bum bum! Ishte një gjëmim i tmerrshëm, apo jo? Kishte rënë nata dhe në rrugë s’pipëtinte asgjë dhe të gjithë i kishim hapur veshët katër. Unë u ngjita mbi çati duke u përvjedhur në heshtje si mace. Po, e pranoj që tradita mbetet traditë. Thuhej se zëri i jeniçerëve ishte zëri i popullit. Njerëzit e besonin. Kazanët binin në emër të perandorisë, ashtu siç kishin rënë për shekuj me radhë. Dëgjohej vetëm tingulli i kazanëve dhe e lehura e qenve endacakë në rrugë.
-   Qëndrova në çati, dëgjova zhurmat dhe qava për ata të marrët. Qava për një tingull. E dija që nuk do ta dëgjoja më edhe sikur të jetoja njëmijë vjet.
Mjeshtri fshiu fytyrën me dorë.

-   Më vonë, pasi u bë kërdia mbi jeniçerët dhe kazermat, disa prej tyre erdhën tek unë dhe më kërkuan një vend pune të qetë. Njëri prej tyre ishte fshehur për ditë me radhë në një strofkë dhelpre, kur ata i kishin vënë zjarrin pyllit Beograd[3] për t’i nxjerrë prej andej. Duhej të qëndronin larg familjeve dhe të afërmve të tyre, që të mos i fusnin në telashe. Kishin humbur. Po i ndiqnin si kafshët. Por ne kishim ngrënë në njëçanak. Iu dhashë para dhe u thashë të iknin, të largoheshin nga Stambolli. Pasi të kalonin pak javë apo muaj, askush nuk do të interesohej më për ta. Dhe dalëngadalë disa prej tyre filluan të ktheheshin. Kërkonin vende pune ku të mos binin në sy. Kaldajistë, roja apo lëkurëregjës. 

Disa i njihja, por besoj se kishte me mijëra të cilët nuk i kisha parë ndonjëherë.
-    Me mijëra?
-   Ata pak që njihja, i ndihmova të gjenin punë. Si rojë nate tek unë, por fshehurazi. – Ai mbylli sytë dhe tundi kokën ngadalë. – Nuk arrij ta kuptoj. Kishin kaluar dhjetë vjet dhe të gjithë ishin njerëz të mirë e të qetë. Mirënjohës për punën.
-    Pra, si mendon ti, për çfarë e donin kazanin?

Mjeshtri hapi sytë që i nguliti mbi Jashimin.
-    Ja, këtë as unë nuk e kuptoj. Gjithsesi ata janë kazanë falsë. Nuk mbaron dot punë me kazanë të bërë prej kallaji të zi. Mbahen vetëm sa për t’u dukur.
Jashimi kujtoi oficerin e vdekur, të mbledhur kruspull në fund të kazanit.
-    Pra, ka qenë gjithnjë një shtirje, apo jo? – pyeti Jashimi.  – Kështu the edhe ti. Paçe e bërë me fasule me mish.
Mjeshtri e shikoi i habitur dhe mblodhi krahët.
 
Shkrimi u publikua në suplementin Rilindja të gazetës Shqiptarja.com (print)
Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com) 

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Tiranë/ 7 persona marrin peng 35-vjeçarin, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie

Tiranë/ 7 persona marrin peng 35-vjeçarin, e kanosin për t’i marrë pasurinë! 4 arrest në burg, 3 arrest shtëpie