Report Tv zbardh dëshminë e pronarit të hotelit ku ishte vendosur gjyqtarja Fildez Hafizi së bashku me fëmijët kur burri tentoi që ta vriste me armë zjarri në Golem në gusht të 2015.
 
Gjatë hetimeve paraprake të kryera në 2015 në prokurorinë e Kavajës janë marrë në pyetje dhjetëra persona, pushues në plazh dhe pronari i hotelit ku qëndronte gjyqtarja së bashku me dy fëmijët dhe nënën e saj.
 
Saimir Gjuzi, pronari i hotelit “Horizont” në zonën e Golemit i ka thënë hetuesve se ka qenë fundi i muajit Gusht, kur në hotelin e tij ka ndodhur një incident i rëndë, që për pak nuk ka përfunduar me viktima.
 
Sipas dëshmisë së Gjuzit ditën e ngjarjes ka qenë në ambientet e hotelit, kur papritur ka parë një grua që ishte duke vrapuar dhe më pas është rrëzuar në tokë.
 
Sipas tij, ajo ka vrapuar drejt hotelit të tij që quhet “Horizont”, duke kontaktuar direkt me të. Gjuzi thotë se ka konstatuar se kjo shtetase që ishte akomoduar në hotelin e tij, kishte shenja dhune në fytyrë dhe po bërtiste “…Po më vret, po më vret…” duke i kërkuar ndihmë si dhe të njoftonte policinë menjëherë.
 
Gjuzi ka shtuar në dëshminë e tij se pushuesen e ka futur brenda në dhomë, duke i qëndruar pranë deri në momentin kur ka mbërritur policia.
 
Për këtë ngjarje ish-burri i saj Fadil Kasemi u dënua vetëm për dhunë në familje dhe jo tentativë vrasje, dhe u lirua nga amnistia para 8 muajsh, ndërsa Fildez Hafizin e vrau para një jave para banesës në Tiranë.


dy.b/shqiptarja.com