TIRANE - Ndeshja miqësore mes Shqipërisë dhe Moldavisë do të luhet sonte në orën 20 e 30 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”.

Kjo ndeshje i është besuar gjeneratorëve për shkak se CEZ shpërndarje nuk ka pranuar t’i japë energji stadiumit kombëtar.

Zhvillimi i ndeshjes ishte vënë në rrezik pasi stadiumit kombëtar i është ndërprerë furnizimi me energji elektrike për shkak të borxhit që Federata Shqiptare e Futbollit i ka kompanisë CEZ.

Ishte përmendur edhe mundësia që ndeshja të zhvillohej më herët në një stadium tjetër, por FSHF ka vendosur të mos ndryshojë orarin dhe vendin.

Ka qenë pikërisht Federate shqiptare ajo që në mosmarrëveshje me CEZ i ka besuar furnizimin me energji të stadiumit një gjeneratori të montuar vetëm dy ditë më parë në ambientet e pasme të stadiumit.

Ndeshja me Moldavinë është e fundit para fillimit të eleminatorëve për botërorin Brazil 2014. Shqipëria më 7 shtator në Tiranë takohet me Qipron, ndërsa 4 ditë më vonë luan me Zvicrën.

(kz/gm/Shqiptarja.com)