TIRANE- Duke mos pranuar akuzat e ngritura nga prokuroria, shtatë të pandehurit, të vënë në pranga për shkak të vjedhjes nga Ardian Bitraj të 713 milionë lekëve nga Thesari i Bankës së Shqipërisë, kanë dhënë deklarata të ndryshme. I pandehuri, Bashkim Xhilaga ka deklaruar se, rregullorja u kishte ardhur në departament 4 ditë pasi kishte nisur procedimi penal për vjedhjen e ndodhur, ndërsa ka deklaruar se ai kishte vetëm kopjet e çelësave.

Ditën e djeshme, Gjykata e Apelit ka dhënë masat e sigurisë për shtatë të akuzuarit, Bashkim Xhilaga, Dorian Çollaku, Petrit Ramohitaj, Liljana Tusha, Lavdim Cani, Myzejen Belba dhe Dhimitër Davidi. Seancat e masës së sigurisë në Apel kanë nisur në orën 09:00 të mëngjesit dhe kanë përfunduar disa pas orës 14:00, kur trupa e gjykatës nuk ka ndryshuar asnjë prej masave të sigurisë që kishte dhënë dhe Shkalla e Parë.

Rregullorja pas hetimit
Asnjë prej 7 të pandehurve nuk ka pranuar akuzat e ngritura nga prokuroria. Gjatë seancës së zhvilluar dje, dy prej të arrestuarve kanë dhënë versionet e tyre për rregulloren e sigurisë, ndërsa ish-kreu i Emisionit (Thesari) Dorian Çollaku nuk ka pranuar asnjë akuzë. Duke folur në seancë, në mbrojtje të vetes, i pandehuri Bashkim Xhilaga ka deklaruar se, e kishte marrë rregulloren vetëm në datë 25 korrik, pra 4 ditë pasi prokuroria kishte nisur procedimi penal për vjedhjen e 713 milionë lekëve në Thesarin e Bankës së Shqipërisë.

Ai ka deklaruar gjithashtu se, kishte përgjegjësi për çelsat dublikatë (kopjet) e arkave dhe nuk kishte përgjegjësi për çelësat origjinal. Ndërkaq, i pandehuri Petrit Ramohitaj ka deklaruar gjatë seancës se, nuk ishte vënë në dijeni për rregulloren. Në dëshminë e tij, ai ka shtuar se, nuk kishin logjistikën e nevojshme për të vënë në zbatim rregulloren. Sipas tij, sistemet e sigurisë përfshirë dhe kasafortën në të cilën duhet të qëndronin çelësat e dyerve të blinduara janë vendosur vetëm pasi është bërë publik skandali i vjedhjes së bankës.

Dwshmia e Çollakut
Nga ana tjetër, ish-drejtori emisionit të parave Dorian Çollaku, paçka se është i vetmi zyrtar i lartë i Bankës së Shqipërisë nën akuzë dhe i arrestuar për skandalin e vjedhjes, sërish dhe para gjykatës ka mohuar të ketë dijeni për vjedhjen. Ai tha para gjykatës se për sa i përket veprimeve dhe mosveprimeve të tij si drejtor i Departamentit të Emisionit, nuk i ka shkaktuar asnjë vjedhje dhe asnjë dëm shtetit, pasi është Bitraj ai që ka kryer vjedhjen dhe tashmë e ka pranuar. Gjatë shqyrtimit të masave të sigurisë nuk kanë munguar familjarët e të dyshuarve në vjedhje, teksa në përfundim avokatët e tyre kanë deklaruar se do të dërgojnë për rekurs në Gjykatën e Lartë vendimet e gjykatës së apelit.

Braçe: Fullani dorëzoi disa dokumente, jo të gjitha

Deputeti i PS-së Erjon Braçe, njëherësh dhe kryetar i Komisionit të Ekonomisë, ka akuzuar sërish Guvernatorin Ardian Fullani se është duke fshehur informacione, pasi ka dorëzuar informacion por vetëm pjesërisht. Në një status në rrjetin social Facebook, Braçe shkruan se Fullani duke u fshehur pas fjalës “Sekretin Bankar”, refuzon të japë informacione të plota. Sipas deputetit socialist dokumentet e dorëzuar nga Guvernatori Fullani nuk përbëjnë “sekret”. Ai ka akuzuar numrin një të Bankës së Shqipërisë se refuzon të dërgojë në Kuvend informacionin për listën e punonjësve. Sipas Braçes, Fullani dorëzoi në Kuvend, informacionin e kërkuar për: Organigramën e Bankës së Shqipërisë sipas funksioneve dhe përgjegjësive në linjen vertikale të drejtimit.

Sipas tij, guvernatori ka dorëzuar edhe buxhetin e Bankës së Shqipërisë nga viti 2010 e në vijim. Të dorëzuara në Kuvend janë edhe: Raportin e Inspektorit të Përgjithshëm të Bankës së Shqipërisë nga viti 2010 e në vijim. Sipas kreut të komisionit të Ekonomisë, deputetit socialist Erjon Braçe, “guvernatori Fullani refuzon të dërgojë në Kuvend informacionin e kërkuar për: Listën e punonjësve të Bankës së Shqipërisë shoqëruar me funksionet për gjithesecilin; Kontratat e investimeve të lidhura nga Banka e Shqipërisë nga viti 2010 e në vijim, me vlerat respektive, afatet dhe kompanitë e kontraktuara (në Kuvend është depozituar vetëm një listë e kontratave por pa informacionin e mësipërm); Raportet e tre grupeve të punës të ngritura menjëherë pas vjedhjes në Bankën e Shqipërisë, raporte që citohen në një deklarate të Këshillit Mbikqyrës e sipas te cilave Gurvernatori dhe Këshilli Mbikqyrës nuk kanë shkelur ligjin në rastin e vjedhjes së bankës!!”


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 27 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)