“Sekretet” e qeverisë së re
dhe 75 kabineteve në 100 vjet

“Sekretet” e qeverisë së re<br />dhe 75 kabineteve në 100 vjet
Me dekretimin nga Presidenti i Republikës të datës së mbledhjes së parlamentit të ri hapet rruga ligjore për miratimin edhe të qeverisë së re, e cila do të jetë qeveria e 74-ët në 100 vjet të shtetit shqiptar. Në 23 vjet tranzicion, kjo është qeveria e 17-të, dhe në përbërje të saj gjendet vetëm një emër që ka qenë edhe në qeverinë e parë të janarit 1991, Ministri i ri i Financave Shkëlqim Cani. Pjesa më e madhe e ministrave të rinj më 1990 kanë qenë studentë ose fëmijë; dy prej tyre atëherë 7 dhe 10 vjeç, do të jenë pjesë të kabinetit të ri qeveritar.

Në një analizë teknike krahasuese të kabineteve qeveritare të viteve të tranzicionit rezulton se në 23 vjet demokratët kanë qeverisur më gjatë (8 plus 5) ndaj 10 vite të të majtëve, gjithsesi socialistët kanë dhënë 6 kryeministra (Nano, Bufi, Ahmeti, Majko, Meta, Rama) dhe PD dy kryeministra (Meksi e Berisha). Nga gjashtë emrat e PS katër kryeministra janë pjesë e PS dhe një aleat kryesor i saj, kurse nga PD njëri vijon të jetë (anëtar i thjeshtë!) dhe tjetrin e kanë larguar prej vitesh. Me përjashtim të Berishës dhe Majkos të gjithë kryeministrat kanë pasur më parë përvojë si ministra.

Bazuar në të dhëna historike gjithashtu rezulton se E.Rama nuk do të jetë emri i parë që vjen nga posti i kryetarit të bashkisë. Një kryebashkiak tjetër, Qazim Koculi, ish kryetar bashkie i Vlorës, u bë kryeministër më 1921. Ai nuk arriti të qëndrojë në post më shumë se disa orë për shkak të një skandali politik dhe krizës institucionale e politike në vend. Më 1997 një ish kryebashkiak tjetër (Gjirokastër) u bë kryeministër i përkohshëm i një qeverie shumëpartiake, Bashkim Fino, aktualisht deputet i PS. Ai drejtoi për rreth 4 muaj gjatë procesit zgjedhor dhe rotacionit politik, por për këtë meritë, vijon të jetë në politikë prej vitit 1997.

Rama vjen në post përmes zgjedhjeve të rregullta dhe me mandat të plotë parlamentar. Gjithsesi, kabineti aktual do të jetë i vetmi deri tani që përfshin në poste kyçe në qeveri kryetarë bashkie, siç është zv/kryeministri N.Peleshi dhe Ministrja e Arsimit, L.Nikolli. Nga kryeministrat e tranzicionit në momentin e zgjedhjes është hera e parë që kemi një deputet nga Vlora në krye të qeverisë. Nano më 1991 u zgjodh në Tiranë (në raundin e dytë), më 1997 dhe më 2001 në Tepelenë; Meksi u zgjodh më 1992 dhe 1996 në Tiranë, Majko u zgjodh më 1997 dhe 2001 në Korçë, Bufi në Fier 1991, Vilson Ahmeti nuk arriti të fitojë po në Fier 1991, Fino ishte ish kryetar bashkie në Gjirokastër, Meta u zgjodh më 2001 në Skrapar, Berisha më 2005 dhe 2009 në Tiranë (Kavajë) dhe Rama më 2013 në Vlorë.

Kabineti i ri do të ketë numrin më të madh të grave në ekzekutiv (6 ministre), për herë të parë do të ketë një grua në krye të Ministrisë së Mbrojtjes (Kodheli), ndërkohë që në Ministrinë e Integrimit vijon të pasohen politikane gra (Meksi, Trashani, Bregu, Gjosha). Në krye të arsimit për herë të parë në 23 vjet do të ketë një grua ministre (Nikolli), dhe se pas prurjes së vetë Ramës më 1998 nga shoqëria civile për ministër kulture, Kumbaro do të jetë prurja e dytë në gjithë këto vite për të njëjtin post, - të dy pjesë të formimit frankofon.
 
Si u zgjodhën qeveritë e rotacioneve politike?
 
Kabineti i vitit 2013 do të jetë rasti i katërt i emërimit të një kabineti përmes zgjedhjeve parlamentare dhe rotacionit politik. Më 1992 demokratët fituan pushtetin, bërë ndryshime në paketën kushtetuese, zgjodhën Presidentin dhe më pas zgjodhën kryeministrin e qeverinë, tërësisht me figura politike lokale dhe qendrore. Procesi i fillimit të punës për qeverinë e re zgjati rreth një muaj, kryesisht për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve me dy raunde dhe vonesave procedurale në parlament. Më 1997 u bë rotacioni i dytë politik dhe Nano u bë kryeministër. Edhe në këtë rast parlamenti i majtë zgjodhi fillimisht presidentin dhe më pas kryeministrin e qeverinë, sipas modelit Meksi, me figura politike në portofolet kryesore qeverisëse. Procedura e zgjedhjes së qeverisë zgjati përsëri rreth një muaj për shkak të problemeve teknike me zgjedhjet parlamentare dhe procedurave parlamentare.

Më 2005 demokratët erdhën në pushtet përmes zgjedhjeve dhe rotacioni politik u bë përmes të njëjtës procedurë kushtetuese si edhe tani: mazhoranca propozoi kryeministrin tek Presidenti, pas dekretimit, parlamenti votoi qeverinë dhe përbërjen e saj. Koha deri në krijimin e qeverisë ishte 72 ditë, për shkak të periudhës dymujore të tranzicionit dhe problemeve në të paktën 3 zona votimi, të cilat përfunduan në javën e fundit të muajit gusht. Edhe në këtë rast kabineti përfshiu emrat më të njohur të politikës brenda tij.
Më 2009 periudha e tranzicionit dy mujor përsëritet, procedura kushtetuese do të përsëritet, gjithsesi kemi disa risi të reja.

Për shembull, hera e parë që kryeministri shpall kabinetin e tij një muaj përpara se të marrë detyrën, hera e parë që ai udhëton jashtë vendit me emërtimin e kryeministrit të zgjedhur, hera e parë që kabineti përbëhet nga figura dytësore në partinë fituese dhe hera e parë që dy partnerët e koalicionit marrin të gjitha vendet ministrore për veten e tyre. Ky është kabineti i parë që ndan mandatin parlamentar nga ai ekzekutiv, si dhe i pari pa asnjë ministër minoritar nga vetë partitë përbërëse apo nga partneri kryesor i këtij komuniteti, PBDNJ.
 
JETEGJATESIA E QEVERIVE TE ROTACIONIT

Kabineti i vitit 1992 zyrtarisht vijoi deri më 1996 dhe fitoi mandat të dytë (i njëjti kryeministër), gjithsesi ndryshimet në kabinet ndodhën shumë shpejt, në mesin e vitit 1993, në fundin e vitit 1994 dhe në mesin e vitit 1995. Ndryshimet erdhën brenda ministrave të partisë kryesore në qeveri, kryesisht për shkak të problemeve të performancës, por edhe ndonjë skandali politik apo ndryshim raportesh brenda partisë.

Më 1996 kryeministri ishte pjesë e partisë fituese në zgjedhje, ai u rimandatua duke ndryshuar shumë prej anëtarëve të kabinetit dhe duke sjellë shumë emra të rin, kryesisht nga bota akademike. Në mars 1997 ajo dha dorëheqje duke ia lënë vendin qeverisë së Pajtimit Kombëtar.
Kabineti i dytë i rotacionit, ai i drejtuar nga Nano më 1997, ndryshoi përbërjen e tij një vit më vonë, kryesisht për shkak të rivaliteteve të brendshme dhe skandaleve politike midis PS dhe me aleatët politikë. Edhe ndryshimet nuk sollën stabilitet, ndaj i gjithë kabineti dha dorëheqje në vjeshtën e vitit 1998, kur pas ngjarjeve të shtatorit, kryeministri u largua nga detyra në strehim të përkohshëm në Maqedoni.

Kabineti i tretë i rotacionit politik më 2005 pësoi ndryshime një vit më vonë me disa ministra, ndryshime që thuajse u përsëriten çdo vit, për shkak të ndonjë skandali politik, dorëheqjeve apo zhvillimeve të tjera në vend. Gjithsesi vetë kryeministri rikandidoi më 2009 dhe fitoi zgjedhjet, falë formulës elektorale të përkthimit të votave në mandate dhe aleatit të ri të majtë, LSI.

KURIOZITET MBI KRYMINISTRATE DHE QEVERITE
  • Në vitin 1921 dhe më 1943 u krijuan më shumë kabinete qeveritare, sesa në çdo periudhë tjetër kohore. Konkretisht më 1921 pati gjashtë kabinete (Vrioni, Vangjeli, Koculi, Prishtina, Kosturi dhe Vrioni). Edhe më 1943 pati gjithashtu gjashtë kabinete (Merlika, Libohova, Bushati, Libohova, Biçaku, Mitrovica). Periudha tjetër me numrin më të madh të kabineteve janë 1991, me pesë kabinete (Çarçani, Nano 1, Nano 2, Bufi dhe Ahmeti)
  • Viti i tretë rekord është 1944, me kabinetin Libohova, kabineti Mitrovica, kabineti Dine, kabineti Biçakçiu dhe kabineti Hoxha.
  • Kryeministri më jetëgjatë në detyrë ishte Mehmet Shehu (1955-1982), i cili njëherësh është i vetmi kryeministër i vetvrarë në detyrë.
  • Qazim Koculi ishte kryeministri më jetëshkurtër në detyrë. Ai qëndroi kryeminister vetëm 6 orë, më 7 dhjetor 1921.
  • Kryeministri Pandeli Evangjeli, i cili drejtoi qeverinë më jetëgjatë gjatë periudhës së Monarkistë, midis viteve 1930 – 1935 ndërroi jetë vitin e fundit të mbretërisë, më 1939.
  • Kryeministri më i ri në moshë në momentin e marrjes së detyrës ishte Ahmet Zogu (27) më 1922, i ndjekur nga Ilir Meta (30) më 1999 dhe Pandeli Majko (31) më 1998.
  • I vetmi kryeministër që drejtoi kabinete qeveritare në dy sisteme të kundërta është Adil Çarçani (1982-1990 dhe 1990-1991)
  • I vetmi kryeministër që drejtoi kabinete qeveritare në dy forma të sistemeve qeverisëse ishte Shefqet Vërlaci, më 1924 dhe në mbretëri nën pushtimin italian 1939.
  • Kryeministri shqiptar Turhan Përmeti ka qenë anëtar i kabinetit otoman, konkretisht ministër i vakëfeve.
  • Hasan Prishtina (1921) dhe Rexhep Mitrovica (1944) ishin dy kryeministrat e vetëm kosovarë në historinë e Shqipërisë.
  • Tre janë qeveritë e koalicionit të madh gjithëpartiak të krijuara në historinë shqipare: 1921 koalicioni «Bashkimi i Shenjtë», 1991 Qeveria e Stabilitetit dhe 1997 Qeveria e Pajtimit Kombëtar.
  • Mehdi Frashëri është i vetmi kryeministër i shkarkuar me mocion mosbesimi  në parlament dhe Fan Noli është i vetmi kryeministër që ka drejtuar pa praninë e parlamentit.
  • Kryeministri Zogu ishte dhëndër  i kryeministrit Vërlaci dhe nipi i kryeministrit Toptani. Kryeministri Libohova ishte kushëri me kryeministrin Vrioni.
  • Asnjë nga 73 kryetarët e qeverive në 97 vjet nuk ka qenë grua. Megjithatë në dy raste janë votuar gra politikane në garën për kryeministër (M.Çeço 1991 dhe E.Meksi 2002).
  • Përiudha e vetme pa qeveri ka qënë 1916-1918, ndërkohë që ka patur disa periudha pa kryetar shteti apo pa parlament.
  • Fan Noli ishte i vetmi kryeministër me titull dhe karrierë fetare
  • Ministri Lefter Kosova ishte i vetmi që vdiq (u vra) vetëm pak orë pas emërimit, praktikisht pa e marrë ende detyrën e ministrit
  • Ministri Panajot Plaku (1957)  ishte i vetmi që u arratis nga vendi duke qënë në detyrë dhe Njazi Islami i vetmi që u vetvra në detyrë (1951).
  • Naxhije Dume ishte e para ministre femer në qeveritë shqiptare (1948, Ministre e Arsimit).
  • Modeli qeveritar gjatë republikës 1925-1928 i njihte ministrit të drejtësisë të drejtën e përfaqësimit të kryeministrit në parlament.
  • Janë 15 ministra që kanë refuzuar marrjen e postit, pavarësisht se janë zgjedhur e votuar në parlamentet përkatëse ose janë dekretuar si të tillë.Rotacioni i katërt më 2013 prodhon një kabinet, i cili sipas kryeministrit të ri do të jetë katër vjeçar. Eksperienca, emrat, përvoja e tyre, problematika politike dhe tradita flasin se rasti më i largët i ndryshimeve në qeveri do të jenë zgjedhjet lokale 2015. Gjithsesi mbetet të provohet kjo tezë, siç është provuar deri më tani në çdo kabinet qeveritar.
 
KABINETET QEVERITARE NE 100 VJET, TIPARE DHE DALLIME

Në Shqipëri mungojnë studimet profesionale mbi pushtetet kjushtetuese dhe jetën politike, gjithësesi për publikun cilësor (studentët dhe botën akademike) gjenden studime parciale apo studime në nivel të sistemeve qeverisëse në Shqipëri, ku trajtohen edhe cështje kushtetuese, politike dhe teknike, të pushtetit ekzekutiv dhe specifikave të tij në rastin shqiptar. Pjesa më poshtë është shkëputur nga kapitulli për të dhënat teknike të pushtetit ekzekutiv, në librin “Sistemet politike në Shqipëri 1912-2008”, autor Afrim Krasniqi (2009).

qeveritePushteti ekzekutiv, i përfaqësuar nga qeveria, mbetet një nga pushtetet më të qëndrueshme në modelet e shumta të sistemeve politike e qeverisëse në Shqipëri. Në çdo regjim dhe pavarësisht ndryshimeve të rëndësishme në hirearkinë shtetërore qeveria mbeti si institucion, meqënëse detyrë e çdo sistemi ka qenë e mbetet administrimi ekzekutiv i pushtetit. Duke mos hyrë në detaje të ndërtimit dhe funksionimit të brendshëm të qeverive, raporteve politike apo individuale, në tërësi, kabinetet qeveritare kanë shfaqur disa tipare, ndër të cilat më kryesoret janë:
 
Qeveria si pushtet i vetëm. Ky model u aplikua në periudhat e para të krijimit dhe funksionimit të shtetit shqiptar. I tillë ishte modeli i qeverisë në vitin 1912, më 1918-ën, dhe në 1924. Në dallim nga dy periudhat e para, në të cilat parlamenti nuk funksionoi, më 1924 kemi të bëjmë me një qeveri që praktikisht shpërndau parlamentin dhe për shkak të rrethanave specifike, ushtroi përkohësisht edhe funksionet e kryetarit të shtetit.

Presidenti si pushtet ekzekutiv. Ky model u aplikua në vitet 1925-1928, gjatë të cilave Shqipëria funksionoi si republikë dhe ku presidenti ishte njëherësh edhe kryetar i qeverisë. Sipas Statutit Themeltar të Republikës presidenti jo vetëm drejtonte qeverinë, por edhe propozonte, emëronte ose shkarkonte ministrat dhe vetë qeverinë, një kompetencë që nuk e hasim në asnjë nga modelet e tjera të sistemeve politike e qeverisëse në vendin tonë. 

Qeveri që del e kontrollohet nga parlamenti. I tillë ishte modeli tradicional i periudhës së parlamentarizmit të parë, i monarkisë, i periudhës komuniste dhe sidomos i periudhës së demokracisë. Në bazë të Kushtetutës 1998, qeveria votëbesohet në parlament dhe ky i fundit monitoron dhe kontrollon punën e saj përmes rregullave dhe akteve të ndryshme.

Qeveria që nuk kontrollohet nga parlamenti. I vetmi kabinet me një klauzolë të tillë ligjore ishte qeveria e krijuar më 1912. Sipas njërit prej vendimeve të Kuvendit të Vlorës, senati me funksionet e parlamentit nuk do të kishte të drejtë të shkarkonte qeverinë dhe as ministrat.

Qeveri e një partie politike. Të tilla kanë qënë qeveritë e periudhës komuniste dhe të periudhës së pushtimit italian. Të gjithë këto qeveri lidheshin me partinë zyrtare, ishin produkt i saj dhe funksiononin si shtojcë ekzekutive e saj. Në periudhën e demokracisë ka patur raste të drejtimit me kabinet të një partie të vetme (1991), por gjithësesi tendencat kanë qenë për qeveri të përhershme koalicioni.

Qeveri e një koalicioni politik. Shumica e qeverive të viteve 1921-1924 dhe 1991-2009 kanë qënë qeveri koalicioni. Disa kanë qënë qeveri të vetëm dy partive, të një partie të madhe dhe disa grupeve politike të vogla aleate, apo të disa partive me peshë specifike në jetën parlamentare.

Qeveri e asnjë partie politike. Të tilla kanë qënë qeveritë e përkoshme të krijuara në rrethana specifike. Të tilla mund të konsiderohen qeveria e vitit 1912, 1918, 1920, Qeveria teknike 1991-1992, etj. Siç shihet, ato kanë vepruar në periudha, kur nuk ka patur parti politike, kur partitë ishin në krijim ose në prag të zgjedhjeve të parakohshme politike parlamentare.

Qeveri e koalicionit të madh. Janë qeveritë e krijuara në tre periudhat e krizave të mëdha që ka kaluar vendi. E para është në vitin 1921, e njohur si Koalicioni i Shenjtë. Ajo erdhi në periudhën, kur vendi ndodhej i rrezikuar për shkak të ngjarjeve në kufijtë veriorë e jugorë, si dhe të Republikës së Mirditës. Qeveria e dytë e këtij modeli i përket vitit 1991, kur vendi sapo doli nga sistemi i vjetër dhe gjendja e sigurisë në vend ishte shumë e rëndë. Pas Qeverisë së Stabilitetit, një qeveri tjetër e koalicionit të madh dhe në periudhë krize ishte Qeveria e Pajtimit Kombëtar, e krijuar më 1997-ën, një vit gjithashtu i njohur për krizën e rëndë politike dhe ekonomike.
 
Qeveria si organ e përgjegjësi kolektive. Të tilla janë shumica e modeleve qeveritare të periudhës së republikës dhe demokracisë. Mbi këtë parim funksionojnë edhe qeveritë e 19 viteve të fundit. Një formë e shprehjes së këtij tipari është edhe praktika e viteve 1921-1944, sipas së cilës çdo akt qeveritar firmosej jo vetëm nga kryeministri, por edhe nga të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar.

Qeveria si organ e përgjegjësi individuale. Në periudhën e parë të funksionimit të shtetit shqiptar, (vitet 20) parlamenti mund të shkarkonte çdo ministër dhe votëbesimi nuk ishte vetëm kolektiv, por edhe individual. Ky model nuk u përfshi në asnjërën nga Kushtetutat e hartuara pas vitit 1946.

Qeveria si kundërfirmë e dekreteve. Modeli i periudhës së viteve 20 dhe më pas i monarkisë sanksionoi me Statut Themeltar detyrimin që çdo dekret mbretëror, presidencial apo i Këshillit të Naltë, të kundërfirmohej nga ministri përkatës. Ky model nuk u aplikua më vonë, përfshirë periudhën e diktaturës dhe të demokracisë. Vazhdimisht ka patur nisma në këtë drejtim, por ato kanë mbetur të papërfunduara.

Qeveria dhe inciativa ligjore. Në shumicën kohore të funksionimit të institucionit ekzekutiv, qeveritë kanë patur e kanë funksion bazë nismat e ndryshme ligjore. Periudha e vetme, kur qeveria nuk kishte të sanksionuar të drejtën e nismave ligjore ishte ajo e viteve të monarkisë. Ka patur periudha të tjera, siç janë ajo e sistemit komunist dhe ajo e sistemit demokratik (deri më 1998-ën), kur qeveria kishte të drejtën e inciativës ligjore, por këtë të drejtë e kishin dhe e ushtronin edhe Byroja Politike (1945-1990), kryetari i shtetit (1992-98).

Qeveria dhe mosbesimi. Kanë qenë shumë të pakta rastet, kur parlamenti ka vendosur përpara përgjegjësisë qeveritë, me anë të mekanizmit të njohur të mocionit të mosbesimit. Më 1922-in, parlamenti ushtroi presion mbi qeverinë, sidomos kryeministrin për të dhënë dorëheqje. E njëjta gjë u përsërit edhe më 1924-ën dhe më 1991-in, dy raste në të cilat qeveria ra pa patur nevojë të një votimi përmes mocionit të mosbesimit. Rast zyrtar i mocionit të besimit dhe mosbesimit ishte rënia e qeverisë Frashëri më 1936-ën.

Me ndryshimet e reja kushtetuese (2008) qeveria fitoi të drejtën të paraqesë mocion besimi dhe, nëse parlamenti voton kundër, nuk bie qeveria, por shpërndahet parlamenti. Ky ndryshim është unikal në modelet e deritanishme dhe ndikon në krijimin e raporteve të reja midis pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

Ministrat dhe betimi. Në sisteme të ndryshme, sidomos në atë të monarkisë, është përcaktuar detyrimi që përpara marrjes së detyrës ministrat duhet të betohen. Në praktika të ndryshme, përfshirë edhe gjatë periudhës së parë të tranzicionit demokratik, ministrat mund të fillonin punë ndërkohë që nuk kishin bërë betimin. Më 2003-in kemi një rast, kur një ministër ushtroi funksionet e tij për 10 orë, ndërkohë që më pas u rrëzua në parlament. 

Ky shkrim u botua sot në Shqiptarja.com, versioni print, dt 08.08.2013
Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)

 

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali tek Onkologjiku, e kujt është përgjëgjesia?



×

Lajmi i fundit

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet

Flakët e zjarri përfshijnë edhe Llogaranë, Report Tv siguron pamjet