TIRANE - Zgjerohet rrethi i personave nën hetim për skandalin e vjedhjes për thesarin e Bankës së Shqipërisë ku veç 17 personave me masë sigurie, një burim nga Prokuroria e Përgjithshme konfirmon për A1Report se këtë të martë u janë dërguar fletë-thirrjet për t’u pyetur dhe anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë.

7 anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës do të pyeten nga Task-forcë e Prokurorisë së Tiranës, e cila po heton dosjen e Bankës, ku pas dëshmive të tyre për Prokurorinë do të vendoset dhe për ecurinë e hetimeve të mëtejshme si zbardhjen e ngjarjes.

I njëjti burim konfirmon për A1Report se pyetja e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës do të bëhet e ndarë në dy faza, ku katër prej tyre do të pyeten këtë të premte më 5 Shtator dhe anëtarët e mbetur më 8 Shtator.

Një ditë më parë A1Report transmetoi pamjet ekskluzive të vjedhjes së parave nga thesari i bankës, ku siç Bitraj shfaqet në foto-sekuencat teksa hap derën e thesarit i vetëm, futet brenda, merr paratë dhe largohet i pa shqetësuar apo penguar nga asnjë koleg i tij.

Pamjet, të cilat publikohen për herë të parë nga A1 REPORT janë dhe prova kyçe e prokurorisë për hetimin e skandalit, ku faktohet jo vetëm vjedhja e thesarit, por dhe shpërdorimi i detyrës nga stafi i bankës.

Anëtarët e Këshillit Mbikqyrës pas skandalit kanë mbajtur një qëndrim të distancuar me median dhe publikun, ku dhe pse janë pyetur për dorëheqjen apo përgjegjësinë e tyre, kanë preferuar të heshtin.

anetaret e keshillit mbikqyres BSh

Anëtarja e vetme, e cila ka folur publikisht ka qenë Ermelinda Meksi, e cila ka thënë se ngjarja ka nevojë pë hetim, por do të duhet edhe vendimi apo dorëheqja siç është mësuar që ajo të ketë kërkuar në mbledhjet e këshillit mbikëqyrës.

Vetë Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Ardian Fullani, i cili është dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës në daljet e tij në konferenca shtypi ka mohuar përgjegjësinë apo dijeninë për vjedhjen duke shpjeguar se nuk ka ceduar njeriu pasi sistemi i bankës dhe i sigurisë në bakë është perfekt.

E sic shfaqet në pamjet ekskluzive të A1 REPORT nga vjedhja e thesarit, ka shumë element të cilët nuk kanë funksionuar gjatë vjedhjes së 713 milionë lekëve në thesar, ku pikërisht mosfunksionimi dhe mënyra se si organizohej puna në thesar do të jenë dhe pyetjet që akuza do të bëjë si persona në dijeni ndaj anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)