Ndoshta kjo ka qenë vlerë e paarritshme për ne, prandaj gjithmonë e kemi proklamuar si të ishte autoktone, e jona, e që realisht nuk ka qenë.
Si komb jemi të prirë që të mos i besojmë asnjë prijësi që vjen nga gjaku ynë.Këtë e thotë edhe Gjergj Fishta te “Anzat e Parnasit”: “Ma s'kam me i qitun/ Zavall un kresë/ Për krena t'vendit/ As për t'parë t'fésë/ Kushdo për mue/ Le t'jet i parë/ T'jetë dreq me bryna/ Por jo Shqyptar”.
Këtë poeti e thotë nga zhgënjimi, edhe pse tash pas dekadash, po shihet se shqiptarët janë të prirë që të mos i besojnë lidershipit.
Gjatë 14 vjetëve sa Kosova është e lirë, dhe pas 6 vjetëve të pavarësisë, besueshmëria ndaj liderëve institucionalë ka rënë në zero.
Flet presidentja e Shtetit, askujt s’i bën përshtypje, madje gjysma e fyejnë, duke e etiketuar si: presidente egoiste, pa fuqi dhe e dalë nga një zarf i një ambasadori. Po ashtu disa e komentojnë “llukun” e saj, ndërsa të gjithë ia numërojnë gabimet në zhargonin e saj.
Flet kryeministri Hashim Thaçi, gjysma e njerëzve kanë neveri. Të sharat nuk ndalen derisa ai flet, ndërsa etiketimi si hajn ordiner, i korruptuar, i padijshëm, shkojnë si “duhani pas buke”. Ndërkaq, nuk diskutohet nëse i beson kush, sepse mosbesueshmëria institucionale ka hyrë “shtat pash nën dhe”.
Gjithashtu pakkush i beson edhe kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi. Madje askush nuk e thërret me emrin që e ka Jakup, por herë “Kupa” herë “Jakupovski”, “sykaltrosh”, “doktori” etj.
Nuk janë vetëm këta liderë që nuk iu besojnë shqiptarët, e njëjta ndodh edhe me kryetarët e partive politike. Sa herë flet Isa Mustafa thonë: ja ky “Putini”, “shoku i Rrahman Morinës”, ndërsa Ramush Haradinajt i thonë si “satelit i Thaçit”, “kryeministri i vetëshpallur” etj. Këtu nuk po e përmendim zëvendëskryeministrin Behgjet Pacollin, për të cilin shpërfaqin lloj-lloj epiteti, nga “Stalini”, “injoranti”, “katundari” etj.
Ndërsa për besueshmëri, Pacolli edhe me xhami në krahë të ecë s’i beson kush.
Populli është prirë që të mos i besojë as Akademisë së Arteve, as Policisë e as FSK-së. Madje për ASHAK-në thonë se aty janë instaluar kryekomunistët, ndërsa në Universitet të padijshmit.
Është vështirë “t’i biesh në fije” këtij populli. Shkojnë në xhami për t’u lutur, gjysma i shajnë nënën hoxhës, gjatë kohës sa ai është në hudbe (foltore). Ua jep prifti bukën e bekuar, gjysma s‘e hanë, ndërsa nëna i shahet deri te Papa.
Kjo është vetëm një rezyme e shkurtër e asaj që ndodh përditë në Kosovë. Ndërsa, mungesa e besimit ndër shqiptarë është shqetësuese, sepse përveç tjerash nxjerr në pah një defekt patologjik në gjen. Si është e mundur që shqiptarët të shtrijnë qafën para liderëve të huaj, ne këtë rast edhe para EULEX-it, e të mos bëhen të dëgjueshëm para liderëve vendorë. Kjo kërkon studim. Vetëm te shqiptarët ekziston thënia: “vëllau si shkjau”, ndërsa te popujt tjerë është kuptim tjetër. Ata e çmojnë më shumë bashkëkombësin e vdekur sesa të huajin e gjallë.
Marre nga "Zeri"