Qyteti më i madh në Turqi, Stambolli është goditur nga një stuhi e cila ka lënë pas dëmtime të rënda materiale.
Stuhia filloi me reshje të dobëta shiu por më pas ajo u forcua.
Meteorologët kishin parashikuar se në Stamboll do të zhvillohej një stuhi shumë e fuqishme, megjithatë situata doli jashtë pritshmërive.
Disa zona të qytetit u transformuan në fushëbeteja, pasi stuhia la pas çati shtëpish të rrënuara, pemë të shkulura nga vendi dhe makina të shkatërruara.
Si pasojë e situatës meteorologjike, një person u lëndua por fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën.
Disa shërbime të trageteve në qytet janë anuluar për shkak të erës së fortë.
Ndërkohë autoritetet përkatëse në vend kanë marrë përsipër menjëherë normalizimin e situatës.