Lecce siguroi qëndrimin në Serie A për të katërtin sezon radhazi në futbollin italian, duke mbyllur me sukses një kampionat të vështirë dhe plot sakrifica. Fitorja ndaj Genoas në javën e fundit 'vulosi' objektivin, ndërsa një nga protagonistët kryesorë të këtij rrugëtimi ishte mesfushori i kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani.

Pas ndeshjes, Ramadani nuk i fshehu emocionet për arritjen e mbijetesës në elitën e futbollit italian, duke vlerësuar sakrificën dhe forcwn e grupit.

“Ky sezon na dhuroi emocione speciale. Edhe lojtarët që nuk zbritën në fushë ishin gjithmonë pranë skuadrës. E merituam të qëndrojmë këtu, sepse kemi zhvilluar ndeshje të mëdha dhe nuk u dorëzuam asnjëherë”, deklaroi mesfushori kuqezi.

Ramadani theksoi se skuadra ruajti qetësinë edhe në momentet më delikate të sezonit, duke mos u ndikuar nga rezultatet e rivalëve direkt për mbijetesë. Ai zbuloi gjithashtu se kishte luajtur me probleme në gju vetëm për të ndihmuar ekipin në sfidën vendimtare.

Mesfushori shqiptar foli edhe për lidhjen e fortë që ka krijuar me qytetin dhe tifozët e Lecces.

“Kjo tokë më kujton Shqipërinë time. Ndihem shumë i lidhur me këtë vend dhe me njerëzit këtu”, u shpreh Ramadani.

Në krahasim me sezonin e kaluar, futbollisti shqiptar këtë edicion mori më shumë përgjegjësi në skuadër, duke mbajtur edhe shiritin e zëvendëskapitenit në disa ndeshje. Ai pranoi se gjithmonë është përpjekur të jetë lider, sidomos në momentet më të vështira.

“Kur humbisnim, isha unë që dilja të flisja në media. Nuk doja të lija të rinjtë përballë presionit. E dija që skuadra do të reagonte”, tha ai.

Ramadani kujtoi edhe periudhën e vështirë të sezonit, pas sfidave ndaj Napolit, Romës, Bolognës dhe Interit, ku Lecce rrezikoi seriozisht mbijetesën. Sipas tij, pika e marrë në Verona rezultoi vendimtare për shpëtimin e skuadrës.


Lajmi kryesor:

Legjionarët/ Muçi fiton Kupën e Turqisë me Trabzonsporin, Ramadani siguron mbijetesën me Leccen në Serinë A