ITALI - Misteri rreth Lameck Bandës po bëhet gjithnjë e më i madh. Ajo që në fillim ishte vetëm pakënaqësi nga ana e Lecces, tani është kthyer edhe në shqetësim serioz.

Çfarë ka ndodhur? Sulmuesi duhej të mbërrinte në Itali më 12 korrik për të kryer kontrollet rutinë mjekësore përpara fillimit të sezonit. Megjithatë, ai nuk iu bashkua kurrë skuadrës, fillimisht në grumbullimin në Salento dhe më pas në Austri.

Në fillim, përfaqësuesit e Bandës njoftuan se lojtari kishte mbetur i bllokuar në Zambia për shkak të disa problemeve burokratike që lidhen me vizën në pasaportën e tij.

Lecce reagoi menjëherë me një komunikatë zyrtare, duke bërë të ditur se do të kryente verifikimet e nevojshme mbi arsyet e paraqitura nga lojtari, duke rezervuar të drejtën për të ndërmarrë masa, përfshirë edhe ato disiplinore.

Banda u pa për herë të fundit disa ditë më parë në aeroportin e Lusakës, por që nga ai moment nuk ka më asnjë informacion për vendndodhjen e tij.

Lidhet me merkaton? Fillimisht u mendua se heshtja e sulmuesit 24-vjeçar lidhej me një transferim të mundshëm, pasi ai kishte zgjuar interesin e klubit saudit Al-Fateh. Megjithatë, kjo pistë u ftoh shpejt.

"Prej dy javësh nuk kemi më asnjë lajm nga Banda dhe as agjentët e tij nuk dinë asgjë. Të gjithë kemi filluar të shqetësohemi se mund të ketë ndodhur diçka që nuk ka lidhje me futbollin", deklaroi drejtori sportiv i Lecces, Stefano Trinchera.

Shqetësimi i klubit - Në një intervistë për edicionin e Lecces të Corriere della Sera, Trinchera shtoi:

"Nga informacionet që kemi mbledhur, klubi që ishte i interesuar për të tashmë ka ndryshuar objektiv dhe po negocion me lojtarë të tjerë me karakteristika të ngjashme. Prandaj, nuk duket se ka ende interes për ta transferuar Bandën."

Drejtori sportiv vazhdoi: "Po filloj të mendoj se bëhet fjalë për ndonjë problem personal. Ajo që po ndodh është diçka shumë e pazakontë."

Sipas mediave italiane, Lecce do të vazhdojë të kryejë të gjitha verifikimet e nevojshme për të kuptuar se çfarë ka ndodhur realisht gjatë këtyre ditëve dhe pse Banda vazhdon të jetë i paarritshëm. Ndërkohë, paga e futbollistit është pezulluar deri në sqarimin e plotë të situatës.