Brënda këtij viti janë pajisur me leje legalizimi rreth 10 mijë ndërtime pa leje në të gjithë vendin. Për ta shëndërruar lejen e legalizimit në çertifikatë pronësie, gjithë proçedura ndiqet nga ALUIZNI dhe Hipoteka.

Dosja e plotë dërgohet në Hipotekë nga ALUIZNI, dhe brënda 15 ditëve duhet që tapia të jetë gati. Përfituesi njoftohet për mbylljen e proçesit dhe mund ta tërheqë tapinë në çdo moment.

Udhëzimet

Me udhezimin e firmosur nga ALUIZNI dhe Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, përgjegjësinë për t’i shkuar deri në fund proçesit të dhënies së lejes së legalizimit dhe hipotekës e kanë marrë pikërisht këto dy institucione.

Sipas këtij udhëzimi “aplikimi do të kryhet nga ALUIZNI por në emër të personit që ka aplikuar për lejen e legalizimit. Drejtoritë e varësisë të ALUIZNI-t paraqesin aplikimin për leje të legalizimit dhe për çështje të çertifikatës së pronësisë, në emër të përfituesit të lejes.

Aplikimi për regjistrimin bëhet nga drejtoritë e ALUIZNI-t nëpërmjet formularit-tip pa pagesë, “aplikim zero” në mënyrë elektronike nëpërmjet sistemit dixhital”.

Aplikimi

Aplikimi për regjistrim përmban emrin, mbiemrin, orientimin faktik të vendndodhjes, numrin e telefonit, dhe ka të përcaktuar si datë aplikimi, atë të plotësimit të tij në sistemin dixhital. Njëkohësisht me aplikimin elektronik drejtoria e ALUIZNI-t përcjell dokumentacionin e përcaktuar. “Aplikimi kryhet vetëm një herë dhe është i vlefshëm për zënien e afatit të kërkesës për regjistrim, në kuptim të nenit 38, të ligjit nr. 33/2012 datë 21.03.2012, ‘Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme’.

Veprimet e mëtejshme për plotësimin e mungesave ose pasaktësive të mundshme në dokumentacionin bashkëlidhur  ‘kërkesës për regjistrim’  kryhen nëpërmjet korrespodencës shkresore mes dy institucioneve”, thuhet në udhezim.



Redaksia online
D.M/Shqiptarja.com