TIRANE- Të gjithë qytetarët pa një kontratë të vlefshme ligjore të blerjes së truallit nuk do të jenë në gjendje të kryejnë falas legalizimin e objekteve. Një gjë të tillë mund ta bëjnë vetëm në rast se arrijnë një marrëveshje me pronarët e truallit për një akt të ri shitjeje konform përcaktimeve ligjore. Në të kundërt, alternativa e vetme është pagesa e tarifës së truallit për të bërë të mundur legalizimin e objektit. Prania e një numri të konsiderueshëm kontratash shitblerjeje të tokave të pavlefshme në sytë e ligjit është konfirmuar zyrtarisht nga ALUIZNI.

Kontratat e pavlefshme
Sipas Agjencisë së Legalizimit, Urbanizimit, Integrimit të Zonave dhe Ndërtimeve Informale, gjatë gjithë këtyre viteve ka ndodhur rëndom që, njerëzit janë mjaftuar me një kontratë blerjeje të tokës të sigluar nga një noter, apo nga vetë shitësi, por që nuk është forma e duhur ligjore për t’i njohur të drejtën e pronësisë mbi tokën para ligjit. Kjo pasi në momentin e shitjes, shumë prej shitësve nuk kishin në dorë aktin zyrtar mbi pronësinë e tokës, që e bën të pavlefshëm transaksionin edhe në rast se është sigluar nga një noter. Në shumë raste personat kanë shitur toka edhe pse nuk i zotëronin me dokumentacionin e plotë që përcakton ligji.