Të gjithë qytetarët e Durrësit që janë në proces legalizimi të banesës së tyre, tashmë nuk u duhet më që të bredhin në zyra të ndryshme për marrjen e certifikatës së pronësisë.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, Flamur Gjuzi, Drejtor i ALUIZNI-t dhe Ani Dyrmishi, drejtor i Hiptekës Durrës, kanë prezantuar sot hapjen e një zyre të posaçme pranë Hipotekës, ku qytetarët do të paraqiten vetëm një herë për marrjen e çertifikatës së pronësisë.

“Drejtoria e ALUIZNIT Durrës, në bashkëpunim me të dy drejtëritë, pra të hipotekës së Durrësit dhe të Krujës, po gjen dhe krijon mundësinë e krijimit të një sektori pranë të dy zyrave vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajshme, me qëllim dhënien e një stadi të ri të procesit të legalizimit”, deklaroi Gjuzi.

Ndërkaq, drejtori i Hipotekës, Ani Dyrmishi ka pohuar se është zhbllokuar më në fund edhe procesi për marrjen e certifikatës së pronësisë nga ana e banorëve të Shijakut. Ai shprehet se është bërë azhornimi i nevojshëm dhe prej javës së parë të prillit u hapet drita jeshile lëshimit të certifikatave.

“Është ngarkuar në sistem kartela e paurisë, por pritet që në javën e parë të muajit prill, të fillojë puna normalisht për Shijakun”, deklaroi Dyrmishi.

Për drejtorin e ALUIZNI-t Durrës, mbetet edhe një problem ende evident për banorët e ish-kënetës, të cilëve u është bllokuar procesi për shkak të një VKM-je në vitin 2011, e cila e ka shpallur zonë arkeologjike. Ai u shpreh se ky institucion është duke lobuar për shfuqizimin e kësaj VKM-je, pasi është bllokuar procesi për afro 10 mijë objekte.

“Është një VKM e vitit 2011, që sinqerisht nuk e di akoma dhe sot e kësaj dite si ajo Qeveri e ka nxjerrë këtë vendim i cili është thjesht dhe vetëm ndalues, është një kriter ndalues për legalizimin e këtyre banesave në zonën arkeologjike dhe nuk janë pak, por janë rreth 10.000 të tilla dhe pothuajse arrijnë deri në mesin e zonës së kënetës”, tha Gjuzi.

Në fund të konferencës së përbashkët për shtyp, Drejtori i Hipotekës Dyrmishi u shpreh se në muajin korrik përfundon edhe azhornimi për zonën e Sukthit, për të vijuar më pas me lëshimin e çertifikatave të pronësisë.

Redaksia Online
(shqiptarja.com)