TIRANE - Shqetësimi i një qytetari, i cili ka denoncuar në A1 Report, për vetëdeklarimin e tij për legalizimin e pronës, i cili është shoqëruar edhe me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë duke e rrëzuar atë me pretendimin se ka shkelur afatet e ligjit, ishte sot  tema e emisionit Tetë a Tetë e gazetarit Artur Nura dhe të ftuarit të tij avokatit Idajet Beqiri.

Sipas Beqirit, të dyja palët kanë të drejtë dhe konflikti i qytetarit Shkëlqim Spaho me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë ka ardhur si pasojë e një ngërçi që ka ligji i vitit 2006 dhe manuali që shoqëron këtë ligj, të cilët caktojnë dy data të ndryshme si afat për vetëdeklarimin.

Ai thekson se lidhur me këtë ngërç, janë 24 mijë qytetarë që vuajnë nga i njëjti problem, dhe kjo sipas tij tregon se sistemi aktual i drejtësisë është i kalbur.

Avokat Beqiri shpjegon se në rastin konkret, edhe pse çështja është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit, më e drejta do të ishte që Gjykata e Shkallës së Parë t’i drejtohej Gjykatës Administrative.

“Biem dakord që kjo është një çështje që është në gjykim e sipër. Ka mbaruar shkalla e parë dhe personi e ka çuar në shkallën e dytë. Jam i bindur se gjykata administrative do të procedojë sipas ligjit se kush ka të drejtë. Ne jemi mësuar dhe është realitet se drejtësia është e kalbur. Ka rënë miti se kur flet gjykata heshtin të gjithë. Rasti konkret ia vlen të diskutohet në një aspekt ligjor. Këtu ka gabuar shteti dhe është rasti më tipik se si shteti fut në konflikt banorët e vetë pa u dhënë sigurinë juridike. Ai e ka siguruar legalizimn në objektin e vetë që në 2006. Pasi qytetari e merr këtë, del ish-pronari dhe thotë se nuk e ka deklaruar atë në afatet siç e ka kërkuar ligji. Dhe gjykata ka shqyrtuar ligjin dhe ai thotë se ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas vendimit. Në rastin konkret ky gjyqtar në raport me ligjin është korrekt. Por ka një manual dhe në atë manual vendoset disa afate që thotë se po e deklarove brenda 2 muajve e ke falas. Dhe nëse e bën nga 15 shtatori dhe deri në 15 nëntor atëherë do të paguash diçka. Atëherë ky afat e merr i gjithë shtypi zyrtar. Pra manuali e thotë në 15 nëntor se është afati i fundit, ndërsa ligji më 13 nëntor dhe ky është konflikti. Për mendimin tim mbrojtësi ligjor duhej të ngulmonte shumë. Deri sa ka një mospërputhje të tillë të manualit që është pjesë e ligjit dhe vetë ligjit, gjykata duhej t’i drejtohej Gjykatës Administrative.  Të tilla raste janë 24 mijë dhe duhet zgjidhur ky ngërç.” theksoi Beqiri

idajet beqiri
 
Duke vijuar më tej, avokati tha se fakti që ky konflikt i qytetarit në fjalë vijon që nga 2006, është një kosto e madhe e shtetit shqiptar dhe se KLD duhet të reagojë.

“Nëse Gjykata e Apelit jep vendimin e formës së prerë, se vendimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është i drejtë, atëherë KLD duhet të reagojë lidhur me vendimin e paligjshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë, pasi nga 2006 i thonë 9 vjet dhe kjo është një kosto e madhe për shtetin shqiptar.  Kjo mungesë sjell këto probleme dhe pazotësi juridike.” tha ai

Idajet Beqiri u ndal edhe në reformën në sistemin e drejtësisë duke e cilësuar atë si të domosdoshme. Ai tha se reforma duhet të jetë e thellë dhe të mos ketë arnime.
Sipas Beqirit problemi më madhor i drejtësisë shqiptare nuk është pavarësia e sistemi gjyqësor por korrupsioni.

“Qeverisja aktuale e ka të qartë se si duhet bërë reforma në sistemin e drejtësisë. E ka filluar me ligjin për KLD. Për medimin tim s’duhet të ketë arnime por ribërje nga neni 1. Ka modele të shkëlqyera, por duhet një reformë e thellë dhe kjo nuk mund të bëhet sipas një parimi politik dhe nëse duam të integrohemi në Evropë, duhet të rimëkëmbim sistemin e kalbur të drejtësisë. Këtu problemi thelbësor nuk është pavarësia, por se sistemi ka rënë për shkak të korrupsionit. Dhe arrihet në këto gjyqtarë që kur gjen civilë u merren paratë të dyja palët. Prandaj duhet një reformë e thellë në sistemin e drejtësisë.” nënvizoi avokat Beqiri

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)