Këshilli i Ministrave ka vendosur në mbledhjen e fundit të vitit të kaluar miratimin e kalimit të së drejtës së pronësisë në favor të subjekteve përfituese të objekteve të legalizuara dhe kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken prej tyre, sipas shtojcës bashkëlidhur këtij vendimi.

Parcelat ndodhen në 11 qarqe: Dibër, Durrës, Elbasan, Tiranë, Korçë, Kukës, Lezhë, Fier, Vlorë, Shkodër dhe Gjirokastër. Kjo VKM nënkupton që pronarët e objekteve pa leje kanë marrë lejen e legalizimit dhe kanë bërë edhe pagesën përkatëse, pa të cilën nuk mund të kryhet kalimi i pronësisë.

Në këtë kuadër, edhe qeveria mund të dëmshpërblejë pronarët e tokave të zëna pa leje nga ndërtuesit e objekteve të legalizuara. Masa e kompensimit financiar për pronarët e pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara aktuale është 20.787 m² dhe vlera totale e kompensimit financiar që do të përfitojnë pronarët e vjetër është 298.515.448,9 lekë ose 2.24 milionë euro.