Pas 35 vitesh pritje, 30 objektet e kultit të krishterë në Mirditë janë pajisur me certifikata pronësie. Lejet e legalizimit iu dorëzuan Ipeshkvit të Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, në prag të festës së Pashkëve, nga drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë, Altin Gjergji. Sipas tij, krahas detyrimit ligjor, ky është një akt vlerësimi për të gjithë ata që kontribuan për të ruajtur këtë trashëgimi kulturore dhe shpirtërore.

“Jemi këtu për të dorëzuar lejet e legalizimit për 30 kisha në zonën e Mirditës. Është një akt vlerësimi për të gjithë ata njerëz që sakrifikuan për ta ruajtur këtë trashëgimi kulturore. Falënderoj ipeshkvin për bashkëpunimin dhe gjithë kohën që shpenzoi në funksion të gjithë këtyre aseteve të trashëgimisë kulturore që kemi në Mirditë. Do të vijojmë dhe me bashkinë Kurbin dhe në një periudhë do të ti përfundojmë të gjitha objektet e kultit në qarkun e Lezhës”, tha Altin Gjergji.

Teksa falënderoi Kadastrën për përmbylljen e procesit të legalizimeve të kishave në Mirditë, Ipeshkvi i Rrëshenit, Imzot Gjergj Meta, kërkoi që të punohet edhe për rikthimin e të gjitha pronave të klerit katolik të konfiskuara gjatë komunizmit.

“Jemi në një fazë shumë të mirë sepse është bërë një punë e filluar prej muajsh. Më mirë vonë se kurrë, janë 35 vite që ishte e nevojshme të punohej me këtë. Ka rëndësi që objektet e kultit të jenë brenda kontureve ligjore dhe për funksionalitetin e tyre. Një certifikatë pronësie për objektet e kultit do të thotë edhe mundësi për të pasur kontratë dritash, uji, gjëra të thjeshta por që nganjëherë mungojnë. Ky është një proces që përfshin shumë institucioneve, por Drejtoria e Legalizimit ka bërë një punë të madhe”, tha imzot Gjergj Meta.

Falë punës së dy viteve të fundit të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Lezhë, është bërë e mundur pajisja me certifikata pronësie e 90 % e objekteve të klerit katolik në qarkun e Lezhës dhe proçesi pritet të përmbyllet plotësisht brenda këtij viti.