Këtë të hënë ka nisur operacioni për shpërthimin e shkëmbinjve të rrezikshëm në malin e Torovicës, pas vendosjes së rrjetave mbrojtëse për garantimin e sigurisë. Forcat xheniere bënë dy shpërthime të kontrolluara, të cilat rezultuan të suksesshme.
Kjo ndërhyrje u realizua në bashkëpunim me Bashkinë Lezhë dhe forcat e policisë, të cilat evakuuan banorët dhe bllokuan aksin rrugor për rreth 60 minuta, për të garantuar sigurinë e komunitetit dhe kalimtarëve.
Drejtori i Emergjencave Civile në Bashkinë Lezhë, Gjergj Prendi, dhe komandanti i batalionit xhenier pranë Forcave të Armatosura, Shkëlzen Mhillaj, bën të ditur se do të ketë edhe operacione të tjera në ditët në vijim, deri në shkatërrimin e plotë të shkëmbinjve të rrezikshëm në malin e kësaj zone.
Kryeplaku i Torovicës, Ndue Deda, thotë se kjo ndërhyrje ishte e domosdoshme, pasi shkëmbinjtë ishin kthyer në rrezik për jetën e banorëve.
Në vitin 2017, rënia e një shkëmbi në aksin rrugor Balldre–Torovicë goditi një automjet, duke shkaktuar humbjen e jetës së dy vëllezërve dhe bashkëshortes shtatzënë të njërit prej tyre. Që prej asaj kohe, rreziku nga shkëmbinjtë ishte evidentuar, por ndërhyrja konkrete erdhi vetëm pas 9 vitesh nga kjo tragjedi.
Komente












