LEZHË- Dhoma Vendore e Avokatisë në Lezhë denoncon vonesat e vazhdueshme në kthimin e përgjigjeve nga Kadastra duke theksuar se kjo situatë po sjell zvarritje të theksuara të proceseve gjyqësore.

“Sidomos ASHK-ja sjell shumë problematika dhe këto bëhen pengesa për sa i takon gjykimeve. Ka seanca gjyqësore, procese që për një shkresë shkojnë një vit deri aty sa pezullohet gjykimi për një shkresë që nuk bëhet nuk sillet në kohë”, tha Mark Lleshi, kryetar i dhomës vendore të avokatisë, Lezhë.

Në shumicën e çështjeve civile që lidhen me pronat, gjykata është e detyruar të kërkojë dokumentacion zyrtar nga kadastra si çertifikata e pronësisë, kartelat e pasurisë, harta kadastrale dhe historikun e pronësisë. Në mungesë të tyre seancat shtyhen dhe proceset mund të zgjasin me muaj të tërë. Kreu i dhomës së avokatisë paralajmëron se nëse situata vijon do t'i drejtohen institucioneve qendrore.

“Do t' drejtohemi drejtorive rajonaleve, agjencive ligzbatuese rajonale dhe në qendër pasi ne nuk te presim, nuk do te presim pafundësisht për të marrë të drejtën tonë qe na takonme ligj”, shton ai.

Ky reagim vjen vetëm pak ditë pasi përfaqësuesit e opozitës në Këshillin Bashkiak të Lezhës ngritën akuza të forta ndaj Kadastrës duke denoncuar pritje të gjata, mungesë shërbimi dhe vonesa në pajisjen e qytetarëve me dokumente pronësie.

Ndërkohë me hartën e re gjyqësore gjykata e Lezhës i shërben të gjithë qarkut përfshirë Mirditën dhe Kurbin çka e bën edhe më të ndjeshme problematikën.