ITALI - Lecce ka vendosur të rinovojë kontratën me mesfushorin e kombëtares shqiptare, Ylber Ramadani. Sipas gazetarit italian Nicolo Schira, klubi ka aktivizuar opsionin për zgjatjen e kontratës edhe për një sezon, çka e mban futbollistin në Salento të paktën deri në verën e vitit 2027.
Në fund të sezonit të kaluar e ardhmja e Ramadanit dukej e paqartë për shkak të humbjes së statusit si titullar, por situata ka ndryshuar dukshëm gjatë pjesës së parë të këtij edicioni. Paraqitjet pozitive kanë bindur drejtuesit e klubit për rëndësinë e tij në mesfushë.
29-vjeçari renditet aktualisht si lojtari me më shumë kilometra të përshkuara në Serie A, shifër që tregon kontributin dhe intensitetin e tij në fushë. Ramadani iu bashkua Lecces në verën e vitit 2023 nga Aberdeen dhe tashmë konsiderohet sërish një element kyç i skuadrës.
Asllani larg Torinos
Ndryshe nga Ramadani, një situatë më delikate po kalon Kristjan Asllani te Torino, ku është i huazuar nga Interi. Mesfushori i Kombëtares duket se ka dalë nga planet teknike të Marco Baronit dhe nuk konsiderohet më si pjesë e projektit sportiv të Torinos.
Trajneri Baroni e la jashtë listës së skuadrës për ndeshjen e Serie A ndaj Romës, duke shënuar herën e parë që Asllani përjashtohet nga lista e kampionatit, diçka që nuk i kishte ndodhur as te Interi.
Ndërkohë, raportimet nga Italia bëjnë të ditur se klubi zikaltër ka nisur punën për të gjetur një destinacion të ri për 21-vjeçarin, pasi interesime të shumta vijnë për të në merkato.
Komente









