TIRANE- Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Transportit Rrugor ka njoftuar edhe një herë se në ligjin për taksat kombëtare është bërë një ndryshim i cili është në favor të gjithë qytetarëve që kanë në përdorim një automjet që konsiderohet luksi. Ky ndryshim parashikon që vlera e automjetit të luksit do të amortizohet çdo vit me 10% të vlerës së mbetur, duke iu kursyer të gjithë qytetarëve paratë që paguanin për mjetin e tyre.
Gjithashtu edhe pas amortizimit do të përcaktohet dhe vlera e shitjes. Mbi makinat luksoze zbatohet taksë regjistrimi në masën 70 000 lekë për regjistrim të çdo makine luksoze dhe taksë e përvitshme në masën 21 000 lekë çdo vit. Makinë luksoze konsiderohet çdo mjet që ka çmim të barabartë ose më të madh se 5 milionë lekë. Ndërkohë me këtë vendim të ri nëse çdo vit kësaj kategorie automjetesh i zbritet amortizimi 10%, qytetarët nuk do të paguajnë më taksën e luksit por taksë si makinat e thjeshta apo të përdorura. Për makinat e përdorura taksa vjetore përcaktohet nga cilindrat, koeficienti i vjetërsisë dhe taksa fikse për llojin e karburantit.
Për DPSHTRR-në, këto ndryshime ligjore i jepet fund një pabarazie disavjeçare ku shumë qytetarë mbeteshin nën taksën e Taksës Vjetore për Mjetet e Luksit sepse Ligji nuk parashikonte amortizimin e vlerës së mjetit në vite.