Një lajm pozitiv vjen për banorët e zonës kufitare, emigrantët dhe turistët që lëvizin drejt Greqisë gjatë sezonit veror. Dogana greke e Mavromatit, në pikën kufitare të Qafë Botës, ka njoftuar zgjatjen e orarit të shërbimit për kalimin e qytetarëve dhe automjeteve.

Sipas njoftimit zyrtar, pika kufitare do të funksionojë nga ora 05:00 deri në 23:00 me orën shqiptare, ose nga ora 06:00 deri në 24:00 me orën greke. Më parë funksiononte nga ora 07:00-20:00 (sipas orës greke).

Kjo zgjatje e orarit pritet të sjellë lehtësim të ndjeshëm për qytetarët që kalojnë kufirin çdo ditë, si dhe për flukset turistike që rriten ndjeshëm gjatë muajve të verës. Njëkohësisht, vendimi shihet si një hap pozitiv për të shmangur pritjet dhe radhët në pikën kufitare, duke favorizuar lëvizjen më të shpejtë dhe më komode të udhëtarëve.