Leje false për pallate, Akuza: 
Katër vite burg Gjikës së Vlorës

TIRANE - Kreu i Bashkisë së Vlorës Shpëtim Gjika rrezikon 4 vite burgim dhe 3 vite përjashtim nga funksionet publike pasi është gjetur fajtor në dhënien e lejeve të ndërtimit për dy pallate në qytetin e Vlorës. Ky është dënimi që ka kërkuar Prokuroria e Vlorës për kryebashkiakun e qytetit bregdetar, në seancën e 24 gjyqësore ndaj tij të zhvilluar në Gjykaten e Tiranes. Sipas akuzës, Gjika ka falsifikuar procesverbalet e mbledhjes së Këshillit të Rregullimit të Territorit në Vlorë, mbledhje në të cilën u miratuan dhe lejet për dy pallatet që e vënë kreun e Bashkisë nën akuzë.

Vetë Gjika nuk ka qenë i pranishëm në sallë, teksa nga Prokuroria e Vlorës u ërkua dënim me burg dhe për 4 persona të tjerë.

Sipas Prokurorisë, kryebashkiaku i Vlorës së bashku me të sekretaren e KRRT-se Eleni Dardhaj, akuzohen se kanë falsifikuar procesverbalin e mbledhjes së KRRT, në të paktën dy raste përkatësisht mbledhjen e datës15 Korrik 2010 si dhe 24 Mars 2010.

Prokuroria ka mundur të faktojë se duke falsifikuar këto procesverbale Gjika në bashkëpunim me Eleni Dardhajn kanë pajisur me leje ndërtimi kompaninë Deco System dhe En-bjo, të cilët më pas kanë ndërtuar dy objekte për të cilat akuza kërkon që të prishen me vendim gjykate.  

“Prokuroria kërkon nga gjykata që të shpalli fajtor shtetasit e sipërpërmendur, si edhe të urdhërojë prishjen e objektit të ndërtuar nga shoqëria “Deco System” sh.p.k në vendin e quajtur “Tre Racat”, Vlorë, si edhe prishjen e objektit të ndërtuar nga shoqëria “EN-BJO” sh.p.k, e ndodhur pranë Portit Detar Vlorë, dy objekte për të cilat prokuroria deklaron se janë ndërtuar në bazë të lejeve dhe dokumenteve të tjerë të falsifikuara dhe që janë provuar si të tilla gjatë këtij gjykimi”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
 
Në fund të pretencës prokurori Zarka kërkoi nga gjykata që të urdhërojë prishjen e objektit të ndërtuar nga shoqëria “Deco System” sh.p.k në vendin e quajtur “Tre Racat”, Vlorë, si edhe prishjen e objektit të ndërtuar nga shoqëria “EN-BJO” sh.p.k, e ndodhur pranë Portit Detar Vlorë, dy objekte për të cilat prokuroria deklaron se janë ndërtuar në bazë të lejeve dhe dokumenteve të tjerë të fallsifikuara dhe që janë provuar si të tilla gjatë këtij gjykimi.

Por në të gjitha seancat gjyqësore, Shpëtim Gjika ka mohuar akuzat e falsifikimit të dokumenteve, duke argumentuar se çdo vendim i KRRT-së është marrë në mënyrë kolegjiale.

Për sekretaren e KRRT-së Eleni Dardhaj, Prokuroria kërkoi dënimin me 3 vjet burgim dhe heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike, për një afat prej 3 vitesh.
 
 Për këtë çështje, akuza ka kërkuar dënimin me 2 vjet e gjashtë muaj burg për shtetasin Blerdi Liçaj dhe me nga dy vjet burgim për shtetasit Gëzim Feta dhe Gentian Sherifaj, të tre të akuzuar për veprën penale të “fallsifikimit të dokumentave”, të parashikuar nga neni 186/1 i K.Penal.

Gjykatësi Arben Micko vendosi që seanca në të cilën pritet të bëhet mbrojtja përfundimtare e më pas të shpallet vendimi për Shpëtim Gjikën e 4 personat e tjerë të mbahet më datë 22 Tetor.

Të pandehurit
Shpëtim Gjika, 4 vjet burgim dhe 3 vjet pa funksion publik
Eleni Dardhaj 3 vjet burgim dhe 3 vjet pa funksion publik
Gëzim Feta 2 vjet burgim
Gentian Sherifaj 2 vjet burgim 
Blerdi Liçaj 2 vjet e 6 muaj burgim

Falsifikimi i lejeve
Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar se nga i pandehuri Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, në bashkëpunim me të pandehurën Eleni Dardhaj, në cilësinë e punonjëses në Drejtorinë e Planifikimit të Territorit pranë Bashkisë Vlorë, është falsifikuar përmbajtja e dy proces verbaleve të mbledhjes së KRRT-së së Bashkisë Vlorë, i datës 24.03.2010 dhe i datës 15.07.2010, si dhe njëkohësisht janë lëshuar vendimet me nr.1/11 datë 24.03.2010 dhe nr.4/3, datë 15.07.2010, të nënshkruara nga i pandehuri Shpëtim Gjika, në cilësinë e Kryetarit të KRRT-së së Bashkisë Vlorë, dokumenta të cilat kanë në përmbajtjen e tyre rrethana të rreme.

Nga shqyrtimi gjyqësor rezultoi e provuar se KRRT-ja e Bashkisë Vlorë në mbledhjen e datës 24.03.2010 nuk ka miratuar shesh ndërtimi për truallin në pronësi të të pandehurit Gëzim Feta dhe lejë ndërtimi në favor të shoqërisë EN-BJO sh.p.k, dhe se në mbledhjen e datës 15.07.2010 nuk ka miratuar shesh ndërtimi për truallin në pronësi të shtetasve Mustafa Tartari, Aleks Ahmataj dhe Artan Ferati, si dhe lejë ndërtimi në favor të shoqërisë “Deco System” sh.p.k. Falsifikimi i këtyre dy proces verbaleve është kryer duke shtuar pikat e mësipërme në proces verbalin ekzistues, ku shtesat janë shkruar nga e pandehura Eleni Dardhaj, e cila është punonjësja e Bashkisë Vlorë që ka shkruar edhe vetë proces verbalet e mbledhjeve të KRRT-së. I pandehuri Shpëtim Gjika ka vendosur në anën e majtë të pikës (11) të proces verbalit të datës 24.03.2010 dhe të pikës (3) të proces verbalit të datës 15.07.2010 nënshkrimin e tij, që është një nënshkrim shtesë përvec atij në fund të proces verbalit, duke “konfirmuar” përmbajtjen e proces verbalit.

Ky fakt si dhe qëndrimi që kanë mbajtur të pandehurit gjatë hetimit dhe gjykimit, tregon që falsifikimi i dy proces verbaleve është kryer nga dy të pandehurit e mësipërm në marrëveshje me njëri tjetrin, marrëveshje e cila rezulton nga veprimet konkludente të kryera nga ana e të dy të pandehurve. Këto dokumente me rrethana të rreme janë përdorur nga të pandehurit Gëzim Feta, Gentian Sherifaj dhe Blerdi Licaj, me qëllim për të justifikuar kryerjen e ndërtimeve të kryer nga ana tyre në mënyrë të paligjshme.
 
Dëshmia e ish-drejtorit
Dëshmia e dëshmitarit Odhise Zoto, i cili ka pasur funksione të drejtëpërdrejta në procedurën e shqyrtimit të kërkesave për sheshe dhe për leje ndërtimi, është në përputhje tërësisht me provat shkresore të përmëndura më sipër, dëshmia e tij është tërësisht në harmoni me këto prova, si dhe harmoni me procedurën e parashikuar nga ligji për urbanistikën dhe rregullorja e urbanistikës, ku është parashikuar rruga procedurale që ndjek një kërkesë për shesh dhe lejë ndërtimi, nga momenti i paraqitjes së saj, shqyrtimi në zyrën e urbanistikës dhe më pas kalimi për shqyrtim dhe miratim në KRRT.

Ky dëshmitar konfirmon faktin se sheshet dhe lejet e ndërtimit të mësipërme nuk janë diskutuar në Këshillin Teknik, se ato nuk janë diskutuar dhe miratuar në KRRT, se nuk ka pasur raste që janë shqyrtuar kërkesa në KRRT pa u shqyrtuar më parë në Këshillin Teknik. Konfirmoi se ai ka ardhur në dijeni të shesheve dhe lejeve të mësipërme kur është pyetur lidhur me rrethanat e hetimit në Prokurori, në vitin 2013.

Gjika ende nën hetim për tre leje ndërtimi
Megjithëse prokuroria e Vlorës ka dalë me një kërkesë për dënimin me 4 vite burg të Shpëtim Gjikës, ndaj këtij të fundit një tjetër hetim ndodhet në duart e prokurorëve. Gjika dhe disa zyrtarë të tjerë të bashkisë vijojnë të jenë nën hetim pasi kanë lëshuar leje ndërtimi për tre firma private në një kohë kur këto firma ende nuk ishin themeluar dhe rregjistruar në qëndrën konbëtare të bizneseve. Bëhet fjalë për “Odeon-Vila” sh.p.k, “Leon 2011” sh.p.k, dhe “Stroytech” sh.p.k, që të treja inegzistentë gjatë kohës kur janë miratuar lejet ndërtimore në bashkinë e Vlorës.

Nga administrimi gjatë shqyrtimit gjyqësor të ekstaktit tregtar të tre shoqërive të mësipërme, rezultoi e provuar se shoqëria “Odeon-Vila” sh.p.k është themeluar si person juridik në datën 21.11.2011, shoqëria “Leon 2011” sh.p.k është themeluar si shoqëri në datën 12.09.2011, ndërsa shoqëria “Stroytech” sh.p.k është themeluar si person juridik në datën 25.01.2011. Pra gati një viti pasi ishte miratuar leja ndërtimore, e cila është lëshuar me firmë të Shpëtim Gjikës në vitin 2010. Për këto shkelje kryebashkiaku i Vlorës vijon të hetohen ndërkohë nga sa mësohet hetimi për këtë çështje është në fazën përfundimtare.

Gjika, firmosi lejën për kompleksion “Jon”
Kryebashkiaku Shpëtim Gjika është njeriu që firmosi dhe lejën e ndërtimit për kompleksin “Jon” në Vlorë, në pronësi të vjehrrit të kreut të PD Lulzim Basha, Xhafer Isufi. Tashmë kompleksi “Jon” po bën 11 muaj që është shembur me tritol nga INUK, ndërkohë që fill pas shembjes së tij ministria e Brendshme përpiloi një kallëzim penal ndaj zyrtarëve të bashkisë Vlorë, Hipotekës, disa noterëve dhe pronarëve të truallit dhe atyre të pallatit. Ku kanë kaluar 10 muaj nga ky kallëzim ende nuk ka një vendimarje nga ana ë prokurorisë së Vlorës.  

Redaksia Online
(Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen

Përplasen dy trena në Bullgari, 2 persona humbin jetën dhe 6 të tjerë plagosen