Vetëm katër muaj para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit të këtij viti, kemi zhvillime të çuditshme në radhët e PD dhe të vetë opozitës shqiptare. Sidomos në pjesën e lidershipit. Ndonëse për një opozitë normale fushata e zgjedhjeve fillon që ditën e dytë të humbjes përballë kundërshtarit politik, pra i bie nga qershori i vitit 2021 në rastin e opozitë shqiptare, PD-ja kryesisht u përfshi në një vorbull të fortë përplasjeje mes vetes, kryesisht për postin e lidershipit.
Ish presidenti, ish kryeministri dhe kryetari i përhershëm dhe ia pandryshuar i PD, herë në prapaskenë e herë zyrtarisht, Sali Berisha, me shpalljen non grata nga SHBA dhe më pas nga Britania, si dhe me rritjen e ‘stokut’ të dosjeve në ngarkim të tij në SPAK të cilat janë nën hetim, e kishte si nevojë imediate rikthimin në krye të PD.
Pezullimi i tij nga grupi parlamentar i realizuar nga ana e kreut të atëhershëm të PD Lulzim Basha vetëm sa e shpërtheu konfliktin brenda partisë deri atëherë një konflikt i ‘fjetur’. Çka solli dhe ndarjen e partisë më të madhe opozitare në dy apo më shumë pjesë.
Vazhdimin e historisë të gjithë e dinë tashmë, ka qënë e mbushur me plot të papritura, përplasje deri në sulm fizik me mjete rrethanore ndaj selisë së PD buzë Lanës për ta marrë atë me forcë nga ana e Berishës dhe mbështetësve të tij, vendime gjykatash, ‘kalime yberesh’ nga eksponentë të lartë të PD, që pasi betoheshin se sa të jetë në krye të PD “Babi i Zenit” ata nuk do të ishin më në politikë e deri tek dorëzimi i vulës dhe logos së PD në dorë të po “Babit të Zenit”, për të ardhur në këtë ditë të sotme, kur të gjithë po hahen me njëri tjetrin për një copë mandati deputeti.
Dhe lufta është e ashpër në këtë pikë, pasi të gjithë kërkojnë të përfshihen në listat e sigurta e të mbyllura të kandidatëve për deputetë, ‘bonus’ i marrë në frymën e fundit nga ana e demokratëve nga socialistët si kusht për të votuar ‘votën e emigrantëve’. Pasi lidershipi në PD ka marrë ‘garanci’ të plotë nga Berisha se humbja në zgjedhjet e 11 majit është e sigurtë. Madje humbin tepër thellë përballë socialistëve dhe, një mandat deputeti do të jetë i vetmi ngushëllim për të kaluar dhe katër vite të tjera në këtë periudhë të gjatë opozitare të PD, që premton ‘jetëgjatësi”.
Për të qënë më konkretë, Berisha e arriti atë që donte. Mori vulën, logon, selinë dhe tërë PD-në më në fund, për ta pasur atë si një repart ushtarak të tij, për hallet e shumta që e kanë zënë me drejtësinë, ku pas aferës së “Partizanit”, tashmë është në përfundim të hetimi dhe dosja e ’21 janarit’, “Gërdecit”, afera CEZ-DIA si dhe hetimi i pasurisë së tij dhe të familjarëve. Ndonëse është jashtë arrestit shtëpiak por me detyrim paraqitje, Berisha rrezikon shumë në këtë situatë në prag të zgjedhjeve. Vetëm mosha tepër te thyer ka bërë që ai të qëndrojë jashtë qelisë, por që me shumë gjasa, me kopsitjen e dosjeve të rënda, asnjë prokuror apo gjyqtar nuk e merr dot përsipër lehtësimin e gjendjes së tij përballë drejtësisë, si dhe fluksin akuzave të forta që ka në kurriz, që nga korrupsioni e deri tek vrasjet shtetërore.
Fundja për Berishën, vitet numra janë. Duke qënë se ka plot halle të shumta me drejtësinë, Berisha sulmon me ‘stil të gjërë’ që nga prokurorët e SPAK dhe gjyqtarët e posaçëm që kanë në dorë hetimin dhe gjykimin e dosjeve të rënda në ngarkim të tij, e deri tek ish bashkëpunëtorët dhe familjarët e tyre. Nuk përpiqet fare të jetë i kamufluar Berisha, i sulmon hapur, me emra dhe mbiemra, anipse drejtësia e re ka mbështetjen totale të SHBA e BE, anipse po kjo drejtësi ka mbështetjen mbi 80 përqind të shqiptarëve. Se mos sheh hallin e PD dhe opozitës Berisha, hallin e tij sheh vetëm. Ndaj dhe kërcënon, dhe nuk është se nuk i ka dhënë rezultate presioni disa herë. Dikush e ha presionin.
Rasti më i fundit është sulmi ndaj anëtares së Gjykatës Kushtetuese Marsida Xhaferllari, e cila akuzohet se pse nuk ka bërë publike faktin që bashkëjeton me lidershipin e partisë “Djathtas 1912”, Enkelejd Alibeaj. Herë përmes ‘zarave’ në PD dhe herë në mënyrë të drejtëpërdrejtë me thirrjet e tij për të treguar se ‘a flenë bashkë apo jo’, Berisha ka bërë atë që bën më mirë dhe që e ka bërë në tërë karrierën e tij politike, ka ‘përgjuar’ nga ‘vrima e çelësit’ tërë kundërshtarët e tij politikë, ka ‘hyrë’ në shtëpitë dhe deri në ‘krevatet’ e kundërshtarëve të tij, ‘tradhëtarëve’ brenda PD dhe atyre që ka pasur e ka përballë, socialistëve, dikur të Fatos Nanos tashmë të Edi Ramës. E bën me qejf të madh këtë punë Berisha, ekzaltohet sa s’ka më. Ndoshta si rezultat i frustimit që në rininë e hershme.
Madje Berisha arrin deri aty sa t’i bëjë thirrje edhe vetë ai, Alibeajt e Xhaferllarit, që të rrëfehen nëse flenë bashkë apo jo dhe nëse po, me kutin e tij, Xhaferrllari duhet të largohet nga Gjykata Kushtetuese, ku është zgjedhur si anëtare e e saj. Eshtë me të vërtetë e paprecedentë kur dëgjon Berishën dhe ata që e mbështesin të flasin në kor kundër bashkëjetesës, të cilën sipas tij duhet ta deklarojnë në selinë e PD dhe zyrën e Berishës, për të marrë pastaj kartën e ‘virgjërisë’ politike. Berisha vërtet ka hall, në Kushtetuese do të gjykohen disa ankimime të tij dhe dhëndrit, por jo të arrijë deri këtu. Gjyqtarja e Kushtetueses Xhaferllari kërkoi disa herë të dorëhiqej nga çështja ‘Berisha-Malltezi”, por sërish Kushtetuesja e refuzoi kërkesën e saj. Dhe këto ditë.
Deri këtu hyn Berisha me teorinë e tij parapolitike të linçimit të kundërshtarit politik, dhe akoma më keq të atij që ai e quan tradhëtar të tij, për shkak se nuk i është nënshtruar si në rastin Alibeajt, për të bërë deklaratat absurde apo për të ‘tundur belin’ siç bënë Gaz Bardhi, Agron Gjekmarkaj dhe pasuesit e tyre. Por dhe Ervin Salianji në burg, i cili e ka ‘harruar’ shkopin që përdori në selinë e PD për t’u mbrojtur nga Berisha, duke pranuar tashmë ‘shkopin’ e Berishës në dorë kundër drejtësisë së re. Pavarësisht zbutjes përmes letrave që po ndodhin nga qelia. Ashtu siç e ka zakon Berisha dhe sikur e ka nisur me të gjithë të lëkundurit në besnikërinë ndaj tij, dhëntë Zoti të mos hyjë në ‘krevatin’ e Gaz Bardhit, pasi do të habitej dynjaja. Se në të Alibeajt, por më parë dhe të Salianjit ka hyrë, por deri më tani është pa trauma.
Me sa duket Gaz Bardhi, pasi ‘gëlltiti’ të gjitha akuzat ndaj Berishës, që nga “Babi Zenit” e deri tek deklarata se ‘s’rri në politikë me Berishën kryetar të PD”, pasi shiti Bashën dhe solli vulën e logon e partisë tek Berisha, pasi u emërua kryetar grupi të PD dhe nënkryetar partie nga Berisha, vendosi t’i bëjë qejfin ‘plakut’ të partisë duke sulmuar SPAK-un. E sulmoi pasi organi më i lartë i hetimit bëri detyrën, rishqyrtoi dosjen “Xibraka” dhe nuk pa asnjë element të ri për të rihapur hetime të reja, teksa Bardhi kishte kërkuar e jo kallëzuar që të hetohej për Olsi Ramën. Gjeti rast për të sulmuar Bardhi dhe për të qënë në të njejtën ‘korsi’ me Berishën në akuzat ndaj SPAK dhe drejtësisë së re. Për të qënë brenda standardit të Berishës për t’i besuar.
Dhe kur u kryqëzua për ndryshimin e deklaratave dhe qëndrimeve ndaj SPAK, Bardhi gjeti kohën e momentin për të dalë dhe thënë se besonte tek SPAK. Askush nuk e beson se një qëndrim i tillë i Bardhit, është pa lejën e Berishës. Tjetër gjë janë deklaratat e Bardhit për mbrojtjen e SPAK dhe sepse e ndjente se mund të kishte siklete brenda PD dhe me vetë Berishën. Por lejen e ka marrë, se nuk ka asnjë gjasë që të bilbilojë Bardhi në këtë mënyrë, në prag të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë në zonën e mbyllur dhe të sigurtë sipas qarqeve. Berisha nuk të jep asgjë falas. Dhe Bardhi e zbardhi një natë më parë se pse kishte dalë me ‘leje’ kundër qëndrimeve të Berishës për SPAK. Doli ‘kundër’ Berishës dhe për “primaret” , duke deklaruar mosdakordësinë pasi primaret sillnin përçarjen brenda PD. Guxim i madh ky i Bardhit, për këdo që nuk e di se si funksionojnë gjërat në PD.
Për hir të së vërtetës edhe Berisha nuk i do aspak primaret, madje i shkeli që me emërimet e Bardhit e Gjekmarkajt si nënkryetarë të PD. Në kuadër të bashkimit në diversitet siç nuk përtojnë ta quajnë herë pas here. Nuk po dinte si t’i zhbënte ‘primaret’ për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë, pasi pikërisht me preteksin për ‘primaret’ dhe ‘rikthimin e votës në PD’ kishte arritur të rrëzonte e të zbonte Lulzim Bashën nga PD, duke e lënë me demokratët euroatlantikë, një lëvizje që ende nuk është parti. Me sa duket ka gjetur Bardhin për të artikuluar qëndrimin kundër primareve. Duke e lejuar të bëjë dhe një mbrojtje me ‘leje’ si kompensim të SPAK. Pa i prishur punë Berishës, i cili në prag të zgjedhjeve të 11 majit është me të vërtetë në hall. Nuk po gjen një alibi për të justifikuar humbjen në zgjedhje. Kishte votën e diasporës që e kërkonte për vite me radhë, ia plotësuan por me sa duket se do askush jashtë vendit. Kishte si alibi arrestin me burg për korrupsion, e nxorën në detyrim paraqitje, dhe nuk mund të dalë në majë të ballkonit duke bërtitur se opozita po hyn në zgjedhje me kryetarin nën arrest.
Akuzave se Rama blen votat tashmë i ka dalë boja dhe se beson më njeri. Kështu që Berisha është vërtetë në hall. Ndaj i duhet Bardhi, të paktën sa të heqë qafe primaret që janë në kasavet më vete, pasi bëjnë copë e çikë dhe atë pak PD që ka mbetur. Sa për vetë Bardhin, jemi të sigurtë që askush në PD, Berisha jo e jo, nuk e beson këtë shndërrim të tij. Nuk e duan, megjithëse po ‘kërcen’ shumicën e herës nën ritmin e melodisë së këngës së Berishës.
Situata e Bardhit na kujton atë historinë e moçme të “Hasan Po*dhës. I cili iku që të harrohej ajo që kishte lëshuar në rini. Pasi qëndroi 25 vite larg shtëpisë në kurbet, pa u kthyer asnjëherë, vendosi të rikthehej, me sigurinë se ishte harruar. Dëgjoi daulle në fshat dhe pyeti: Kush martohet? ‘Djali i Hasan Po*dhës’ i thanë. Jo vetëm nuk ishte harruar, por ishte kthyer dhe në llagap, dhe i kishin shkuar kot 25 vite larg gruas, djalit e familjes. Kështu me sa duket po i ndodh dhe Gaz Bardhit, ‘Babi i Zentit’ asgjë nuk harron. Qofshim të gabuar, se shpirt robi është dhe Bardhi, dhe ai do që të jetë deputet. Për kreun e PD e ka qarë atë histori me kohë e vakt.