TIRANE, 20 Dhjetor/ATSH/-Pas njoftimit të ministrit të Transporteve, Edmond Haxhinasto se do të lejohet qarkullimi në Ibë, për aksin Tiranë-Elbasan policia ka dhënë disa detaje.
Në kilometrin e 11 në Ibë, i cili ishte bllokuar për shkak të rrëshkitjes së dherave, policia njofton se do lejohet qarkullimi vetën në një kah të levizjes.
"Autoriteti Rrugor Shqiptar nëpërmjet një shkrese I ka kërkuar Drejtorisë së Policisë Rrugore në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, lejimin e qarkullimit me një sens lëvizje të alternuar të automjeteve të vogla dhe të automjeteve deri në 3.5 tonë në rrugën Tiranë- Elbasan në segmentin e bllokuar deri tani në fshatin Ibë, si dhe mos lejimin e qarkullimit në këtë segment të autobuzave dhe të kamjonave", sqaron policia.
"Në këtë segment do ketë patrulla të Policisë Rrugore të cilat do alternojnë lëvizjen e mjeteve dhe nuk do lejojnë qarkullimin e autobuzëve dhe kamionëve", theksohet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Policia bën të ditur se në rast të kushteve të pafavorshme të motit (reshje të vazhdueshme) do të bëhet nderprerja e menjëhershme e qarkullimit të mjeteve. /a.g/












