Lejimi i ndërtimit pa leje në "Rrugën e Elbasanit", pranë Parkut të Liqenit Artificial ka sjellë edhe përjashtime dhe pezullime të tjera nga patrulla e policisë deri te inspektorët e bashkisë së kryeqytetit.
Sipas policisë, Inspektorët e Inspektoriatit të Mbrojtjes së Territorit edhe pse morën dijeni për këtë ndërtim pa leje e kanë lejuar në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Operacioni në Tiranë, pranga ndërtueses
Sipas policisë së Tiranës, Shiqere Hakaj 51 vjeçe, lindur në Tropojë dhe banuese në Tiranë ka ndërtuar pa leje e organeve kompetente në një sipërfaqe ndërtimi (lavazh) prej 150 m2.
Pas hetimeve të kryera, u pezullua shefi i komisariatit nr. 1 në Tiranë, Albert Xhaho, shefi i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin nr 1, dhe patrulla e Policisë që mbulonte atë territor ku kryhej ndërtimi.
Procedohen penalisht dy Inspektorë të Kontrollit në terren të Policisë Bashkiake Tiranë, ndërsa përjashtohet nga Policia Nd/Specialisti i Policimit në Komunitet që mbulon zonën ku kryhej ndërtimi pa leje.
Nga Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave vazhdojnë të kryhen veprime mbi dyshimet për implikim të punonjësve të tjerë të policisë pranë Komisariatit të Policisë nr 1 Tiranë, të cilët kanë marrë djeni apo nuk kanë kryer detyrat funksionale sipas procedurave standarde të punës.
Njoftimi i Policise se Tiranes per pezullimet dhe perjashtimet
Ndërtonte pa leje ndërtimi, arrestohet nga Policia.
Procedohen penalisht dy Inspektorë të Kontrollit në terren të Policisë Bashkiake Tiranë.
Përjashtohet nga Policia Nd/Specialisti i Policimit në Komunitet që mbulon zonën ku kryhej ndërtimi pa leje.
Si dhe pezullohen nga detyra Shefi i Komisariatit Nr 1, Shefi i Seksionit të Policimit në Komunitet në Komisariatin nr 1, dhe patrulla e Policisë që mbulonte atë territor ku kryhej ndërtimi.
Më datë 21.08.2017, nga ana e Sektorit për Krimin Ekonomiko Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, u bë arrestimi në flagrancë e shtetases:
Shiqere Hakaj, 51 vjeçe, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, aktivitet privat.
Si dhe u proceduan shtetasit;
A. G, 45 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë. Me detyrë specialist pranë Inspektoriati Mbrojtjes Territorit, Bashkia Tiranë.
G. P., 29 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, rruga “Sabri Tefiku”, me detyrë Inspektor I Kontrollit në terren i Policisë Bashkiake Tiranë.
Proçedimi i këtyre shtetasve u bë për veprën penale “Ndërtim pa leje, shpërdorim detyre”, pasi sot më datë .21.08.2017, në vendin e quajtur "Rruga e Elbasanit", pranë Parkut të Liqenit Artificial, shtetasja Shiqere Hakaj ka kryer ndërtim pa lejen e organeve kopetente në një sipërfaqe ndërtimi (lavazh) prej 150 m2.
Sa më sipër nga ana e Inspektorëve të Inspektoriatit Mbrojtjes së Territorit, edhe pse morën dijeni për këtë ndërtim pa leje e kanë lejuar duke sjellë pasoja ndaj interesave të ligjshme të shtetasve, në kundërshtim me ligjet në fuqi.
Materialet proçeduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprën penale “Ndërtim pa leje" dhe "Shpërdorim detyre", prashikuar nga nenet 199/a dhe 248 e 25 i Kodit Penal.
Po në vijim të veprimeve në lidhje me këtë ndërtim pa leje, nga Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë dhe Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit u morën masa administrative për punonjësit e policisë ;
- Përjashtim nga Policia i Nd/Specialistit të Policimit në Komunitet që mbulon zonën.
- Pezullimin nga detyra e Patrullës së Policisë që mbulon këtë sektor pranë Komisariatit të Policisë Nr.1.
- Pezullimin nga detyra e Shefit të Seksionit të Policimit në Komunitet pranë Komisariatit të Policisë Nr.1.
- Pezullimin nga detyra e Shefit të Komisariatit të Policisë Nr.1.
Po në lidhje me këtë vepër penale nga ana e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat janë kryer veprime proçeduriale penale dhe po vazhdojnë të kryhen veprime të tjera mbi dyshimet për implikim të punonjësve të policisë pranë Komisariatit të Policisë nr 1 Tiranë, të cilët kanë marrë djeni apo nuk kanë kryer detyrat funksionale sipas procedurave standarte të punës.
dy.b/shqiptarja.com