Një librari e rëndësishme në kryeqytetin e Iranit, Teheran, është mbyllur për shkak se ka dështuar ta zbatojë rregulloren për bartjen e detyrueshme të shamisë së kokës për disa nga myshterinjtë saj gra.
Autoriteti publik iranian tha më 30 janar se shtëpia e rëndësishme botuese, Saless, kishte bërë shkelje, duke e detyruar atë ta mbyllë menjëherë librarinë, njoftoi Saless në llogarinë e vet në rrjetin social Instagram.
Ky incident e vë në pah luftën e vazhdueshme të autoriteteve iraniane ndaj vendeve publike, komerciale dhe turistike, qindra prej të cilave janë mbyllur së fundmi për shkak të asaj që autoritetet e cilësojnë si shpërfillje të rregulloreve të hixhabit.
Zemërimi për shkeljen e të drejtave të njeriut, në veçanti për shtypjen e grave, është rritur prej shtatorit 2022 kur 22-vjeçarja Mahsa Amini vdiq në paraburgim policor.
Ajo po mbahej në paraburgim për gjoja shkelje të ligjit të hixhabit, i cili i detyron gratë dhe vajzat mbi moshën 9-vjeçare ta mbulojnë kokën kur të dalin jashtë shtëpisë.
Derisa protestat janë shuar, kundërshtimi i hixhabit vazhdon të jetë i fuqishëm, sepse tani shihet si një simbol i shtetit për shtypjen e grave dhe luftën vdekjeprurëse ndaj shoqërisë.
Fushata kundër ligjit të hixhabit është rritur aq shumë saqë Abdolhossein Khosropanah, sekretari i Këshillit Suprem të Revolucionit Kulturor, e pranoi vitin e kaluar se derisa gratë që e shpërfillin ligjin e hixhabit teknikisht duhet të arrestohen, numri i madh i grave të përfshira e bën të parealizueshme paraburgosjen e tyre masive.
Por, autoritetet kanë vazhduar të mbyllin biznese, restorante, kafene dhe në disa raste edhe barnatore, për shkak të dështimit të pronarëve, apo menaxherëve për ta zbatuar bartjen e shamisë në vendin e punës./ REL