Por si u arrit të kalohej një sasi kaq e madhe droge?
Burime nga Policia bëjnë me dije se droga u kalua me mushka nga kufiri i gjelbër drejt Maqedonisë. Më pas kjo sasi kanabis është ngarkuar në një kamion dhe është bërë kalimi transit nga Maqedonia në Shqipëri.
Pikërisht në doganën e Qafë-Thanës punonjësit Çlirim Pepa, Ervin Kodra, Lirim Halili dhe Syrja Terziu, i kanë plotësuar dokumentat për kalim transit kamionit drejt Shqipërisë. Në çdo rast kur një kamion me ngarkesë kalon me procedurë transit, nuk bëhet kontrolli i tij nga skaneri në Durrës. Kjo ka qenë arsyeja që kur doganierët në Durrës kanë kërkuar që kamioni të futet në skaner, shoferi ka paraqitur dokumentat se ishte për kalim transit dhe më pas është bërë lejimi i kalimit të tij. Kamioni ka qenë i rregullt me të gjitha vulat e kontrollit në doganën e Qafë Thanës, nga 4 policët që ishin në turn, të arrestuar tashmë.
Kamioni me 8 tonë drogë kaloi në doganën e Qafë Thanës në datën 2 shkurt dhe sipas kamerave të sigurisë ai është kontrolluar në mënyrë sipërfaqësore. Ky kamion nga ndaluar 2-3 herë në zonën e kontrollit për pak minuta dhe më pas është larguar.
Ka qenë Policia italiane e cila ka pikasur sasinë tejet të lartë të drogës, por e ka lejuar kamionin që të vijojë rrugën për të arrestuar bashkëpunëtorët. Por më pas shoferi ka ndaluar dhe Policia Italiane ka ndërhyrë ku ka sekuestruar kanabisin dhe ka arrestuar një shtetas nga Maqedonia.
Ndërkohë pritet të pyeten 4 policët që ishin në turn ditën që ka kaluar kamioni me 8 tonë drogë. Prokuroria i akuzon ata për trafik narkotikësh.
Arrest me burg per 4 policet
Me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për disa punonjës policie të Pikës së Kalimit Kufitar të Qafë Thanës, të dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, në vijim të hetimeve të nisura pas zbulimit të një sasie prej rreth 8 tonësh kanabis sativa në Itali, në një kamion maqedonas që kishte kaluar tranzit në Shqipëri.
Skema sipas Prokurorise: Si hyri droga ne Shqiperi
Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin, pasi në mediat në Shqipëri është publikuar fakti në lidhje me sekuestrimin e një sasie prej 8 (tetë) ton lëndë narkotike të llojit marijuanë nga Autoritetet Policore Italiane dhe dyshohej se mjeti i transportit që kishte trafikuar këtë sasi lëndë narkotike e kishte origjinën e tij nga Maqedonia dhe kishte kaluar tranzit nga Shqipëria në Itali.
Gjatë hetimit ka rezultuar se kamioni i kapur në Itali, me drejtues shtetasin maqedonas Z.S, rezulton të ketë hyrë në Shqipëri me datë 04.02.2017 nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar Qafë-Thanë, Pogradec dhe, pasi i është nënshtruar verifikimeve doganore të tij dhe dokumentacionit, është lënë i lirë për të udhëtuar tranzit në drejtim final të deklaruar, për në Belgjikë. Po me datë 05.02.2017, në orën 15:50, ky mjet me të njëjtin drejtues është paraqitur në dalje nga Shqipëria nëpërmjet Pikës së Kalimit Kufitar të Portit Durrës, i cili pasi i është nënshtruar procedurave të kontrollit të dokumentacionit shoqërues të tij, pa u kontrolluar në skanër, është lejuar të vazhdojë udhëtimin duke u mbingarkuar në tragetin, i cili ka udhëtuar në linjën Durrës-Ankona (Itali).
Autoritetet Italiane duke qenë se kanë dyshuar se kamioni kishte të ngarkuar lëndë narkotike kanë filluar menjëhërë hetimet proaktive.
Gjatë transportimit të lëndës narkotike, shtetasi maqedonas Z.S. është munduar që ta shkëpusë karrocerinë e kamionit për ta lënë të parkuar atë tek një parking, por kanë ndërhyrë Autoritetet Italiane dhe kanë bërë arrestimin e shtetasit maqedonas, si edhe kanë sekuestruar kamionin së bashku me sasinë e lëndës narkotike prej tetë ton.
Nga veprimet e kryera nga autoritetet italiane, rezultoi se kamioni ka qenë në gjendje të rregullt, i plumbosur dhe i vulosur në gjendje të rregullt, siç kanë qenë të vendosura nga Autoritetet Doganore Shqiptare të Degës së Doganës Qafë Thanë, në kohën kur janë ndjekur procedurat doganore.
Në bazë të këtij informacioni, Prokuroria për Krime të Rënda ka kryer veprimet e saj proceduriale. Në bazë të tyre, rezulton se kamioni ka hyrë në Shqipëri në datën 04.02.2017 në Pikën Kufitare Qafë Thanë dhe i është nënshtruar një kontrolli sipërfaqësor. Rezulton se shoferi, ka ndaluar në të paktën 2-3 raste në zonën e kontrollit kufitar, ka komunikuar me punonjës policie për pak sekonda dhe më tej është larguar për në brendësi të territorit shqiptar.
Nga këqyrja e sistemit TIMS, ka rezultuar se ky kamion nuk është i regjistruar nga punojësi i policisë në hyrje të Pikës së Kalimit Kufitar Qafë Thanë. Ndërsa rezulton se është i regjistruar në dalje në Pikën e Kalimit Kufitar të Portit të Durrësit, me datë 05.02.2017, në orën 15:50, tranzit për në Itali.
Nga këqyrja e librit të planizimit të shërbimit ka rezultuar se me datë 04.02.2017 në kohën kur ka hyrë në Shqipëri automjeti kamion, kanë qenë me shërbim në Pikën e Kalimit Kufitar Qafë Thanë Pogradec disa punonjës policie, për të cilët Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg”, e cila është pranuar nga ana e Gjykatës.
Në vijim, Prokuroria për Krime të Rënda ka angazhuar efektivët e Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) për ekzekutimin e masave të sigurisë, për punonjësit e Policisë, të dyshuar për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike”, si më poshtë:
Çlirim Pepa, me detyrë përgjegjës turni
Ervin Kodra me detyrë kontrollor hyrje dhe dalje
Lirim Halili me detyrë tek kabina në hyrje
Syrja Terziu si kontrollor në hyrje.