DURRES- Gjykata e Durrësit ka dhënë sot masën e sigurisë për 5 ish-zyrtarë të komunës Rrashbull, të akuzuar për “shpërdorim detyre” në dhënien e lejeve të ndërtimit në zonën e ndaluar të plazhit të Shkëmbit të Kavajës. Gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me burgin Viktor Ndrekën, Vasil Gjonin, Sabri Trocin, Erifili Theoharin, dhe Fatjon Aliaj; ndërsa për Nevjana Isufi ka dhënë pafajësi. Ndërkaq, Gjykata e Durrësit vijon gjykimin me procedurë normale për kryetarin e komunës Rrashbull, Hysen Gashi.
 
Të gjithë këta shtetas, në cilësinë e anëtarëve të Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRT), komuna Rrashbull, kanë dhënë leje ndërtimi në brezin e rërës, një zonë në të cilët është e ndaluar absolutisht të jepen leje dhe të kryhen ndërtime.
 
Ja masat e dhëna nga Gjykata e Durrësit pasi dëgjoi palët, dhe vendosi të shpallë fajtor dhe të dënojë zyrtarët e komunës, si më poshtë:
1.   Viktor Ndreka 12 muaj burgim dhe 2 vjet heqje të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike
2.   Vasil Gjoni 10 muaj burgim dhe 2 vjet heqje të drejte së ushtrimit të funksioneve publike
3.   Sabri Troci, 8 muaj burgim dhe 2 vjet heqje të drejte së ushtrimit të funksioneve
4.   Erifili Theohari, 16 muaj burgim. Urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, për një periudhë prej 2 vjetësh
5.   Fatjon Aliaj 10 muaj burgim- urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të dënimit me burgim, për një periudhë prej 2 vjetësh
6.   Nevjana Isufi, pafajësi

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)