Leka i Madh, grindjet për heqjen
e monumentit nga qyteti i Shkupit

Leka i Madh, grindjet për heqjen<br />e monumentit nga qyteti i Shkupit
TIRANE -  "Evropa shkruajnë e thonë, ç'është kjo që dëgjojmë? Bëhet…” debat në BE: janë mbërthyer keqas grekë e maqedonë, kush e kush të shqyejë  ndonjë copë sa më të madhe nga historia e vjetër e të parëve të shqiptarëve. Athina thotë të hiqet monumenti i Lekës së Madh nga Shkupi, kurse Gruevski bën veshin të shurdhër!
Ndërkohë ne shqiptarët, pasardhësit e drejtpërdrejtë të popullit, që i ka dhënë edhe emrin atij vendi, ku sot figuron Republika e Maqedonisë, nuk dimë asgjë mbi të vërtetën historike dhe, gogësijmë sa na shqyhet goja!

Prandaj, është mirë të mësojmë diçka për popullsinë maqedonase të kohës kur ka jetuar Leka i Madh, si dhe mbi përkatësinë etnike të familjes mbretërore të Temenidëve të Maqedonisë, pinjoll i së cilës ka qenë ai hero i pavdekshëm.
 
Popullsia maqedonase në mijëvjeçarin e parë para e. s. Straboni (VII, 11) parashtron se « Maqedonia më përpara quhej Emathia. Emrin e mori nga një udhëheqës i vjetër, që quhej Macedon… Këtë vend e sundonin disa nga fiset epirote dhe ilire… ». Pak a shumë të njëjtën gjë thotë historiani romak, M. Iuniani Iustini, që shkroi në vitet e fundit para e. s. dhe në fillim të e. s.

Me një citim të shkurtër ai tregon se ç'popullsi ka banuar në Maqedoni, para e. s.: "Më parë Maqedonia quhej Emathi, sipas emrit të Emathit, i cili qe i pari që dha shembull trimërie në këtë vend. Territori i saj rritej shumë me ngadalë dhe kufijtë nuk iu zgjeruan. Populli quhej pellazg...". Kështu mendojnë dhe autorët e tjerë grekë e romakë ; asnjëri prej tyre nuk thotë se në Maqedoni ka pasur grekë. Pra sipas mitologjisë dhe autorëve greko-romakë, në Maqedoninë e Vjetër kanë banuar pellazgë dhe ilirë, duke përfshirë ilirët e Epirit.

Sa për emrin Maqedoni, na bind më shkurt Robert Bell-i, 1989, f. 169.: «Maqedonia mban emrin e Macedonit, birit të Lykaonit ». Iliri Lykaon, vijon më tej Pierre Grimal-i, është bir i Pellazgut. Kështu thonë mitografët e njohur dhe seriozë anglo-saksonë e frëngj, gjermanë e italianë, krahas historianëve të tjerë të sotëm, të cilët bazohen te autorët e vjetër grekë. Kështu nuk themi vetëm ne, shqiptarët e humbur!

Ka dhe variante të tjera mbi prejardhjen legjendare pellazgjike dhe/ose ilire të Macedonit, por nuk ka asnjë version ose variant të vjetër grek, që ta nxjerrë Macedonin grek.
Macedoni vetë është bir i popullit të mirëfilltë maqedon, me etni pellazgjike, që ka banuar në tërë territorin e Maqedonisë. Sipas të dhënave burimore arkeologjike, ky popull dëshmohet që në epokën e bronzit.

Të mos zgjatemi shumë në burimet mitologjike dhe letrare, me qëllim që të mbështetemi në dhëna shkencore, po i drejtohemi N. G. L. Hammond-it (1981, f. 415-422), sado me prirje të dukshme helenofilie. Ky historian, i bazuar në të dhëna arkeologjike, si dhe në traditën letrare e historike greko-romake, del në përfundimin se në territorin e Maqedonisë së vjetër vërshojnë valë të herëpashershme ilirësh nga veriu dhe nga Epiri. Përhapja e ilirëve në Maqedoni vijon pa ndërprerje dhe bëhet më e plotë sidomos brenda viteve 800-650 para e. s.

Emrat e së paku disa fiseve ilire, që luajtën rolin kryesor në Maqedoni mund të nxirren dhe nga një gjenealogji e Appian Illyr. i. Paionët janë të parët ndër fiset ilire, që depërtojnë në Maqedoni që në epokën e bronzit. Ata vendosen sidomos në luginat e Aksiusit dhe në atë të Strymonit. Vala e fundit e paionëve, pas vitit 700 para e. s., mbylli migrimet paione. Dardanët, vijon N.  G. L. Hammondi, vërshuan në Pelagoni, në drejtim të Tetovës dhe të Gostivarit, duke i shtyrë para brigët, të cilët kishin depërtuar më heret në Maqedoni. Ata janë vendosur në Lynkus, Eorde e Edesë.

Ata pushtuan dhe bregdetin maqedonas, gjithnjë duke përzënë brigët, që mërguan në Azi. Medët përbëjnë valën masive ilire të fundit, që zunë vend sidomos në luginën e Vardarit. Një rol të rëndësishëm në Maqedoni luajnë ilirët e Epirit, molosët, kaonët dhe thesprotët, sidomos orestët molosë dhe dasarët (ose deksarët e mëvonshëm), fis kaon. Në kohë të Hekateut (shek. VI para e. s.), fiset epirote zotëronin pjesën perëndimore të fushës mes Pierisë jugore dhe Boties, ku ndodhet Vergina. Këtu dhe kudo gjetkë, përfundon N. G. L. Hammond-i, elementi ilir shquhet veçanërisht për vetitë luftarake.

Ka pasur dhe fise të tjera ilire në Maqedoni. Para sllavizimit të Maqedonisë Perëndimore, mali Oslogovska quhej Messapion (N. G. L. Hammond-i, 1981, f. 202). Sigurisht, ky mal mban emrin e Mesapit, personazhit eponim të fisit ilir të mesapëve
 
Prejardhja etnike e familjes mbretërore maqedonase. Në Encycl. Universalis, 2000, f. 808, Bernard Holtzmann nënvizon se « Grekët i merrnin banorët e Maqedonisë për barbarë… Maqedonia do të ketë pasur një popullsi të ndryshme, ilire, trake ose epirote, të përzier me imigrantë akeas. Gjithsesi mbretërit maqedonas e hiqnin veten si pasardhës të Herkulit dhe të mbretërve të Argosit”. Pra, sipas këtij historiani, në popullsinë maqedonase nuk bëjnë pjesë grekët. Këta të fundit janë të pranuar si imigrantë nga shteti maqedon si, bie fjala Aristoteli, i ftuar në oborrin mbretëror maqedonas nga Mbreti Filip II.

Argosi, qyteti më i vjetër i Pellazgjisë (të quajtur më vonë Greqi), është ndërtuar nga pellazgët shumë kohë para arritjes së grekëve. Kurse familja mbretërore e Temenidëve themelohet nga Temeni. Sovrani i parë i dinastisë së Temenidëve, Temeni, ka qenë pellazg. Për këtë, janë tre versione mbi prejardhjen mitologjike të tij.
Sipas versionit të parë, Temeni ka qenë bir i Pellazgut (Pausania, 24, 10).

I njëjti autor, në versionin e dytë parashtron se Temeni është bir i Fegeut. Në këtë rast, Temeni del kushëri i Pellazgut (Pausania, tab. gjenealogjike n° 17).
Në versionin e tretë, që është më i përhapuri, Temeni është heraklid, stërnip i Hyllit, birit të Herkulit paragrek dhe i Dejanirës, të dy pellazgë (Paus., Tab. gjenealogjike n° 16). Në asnjë version, në asnjë variant, Temeni, kastërgjyshi i Lekës së Madh nuk është grek.  
          
Të shohim tani disa të dhëna mbi karakterin etnik jo grek të maqedonasve. Straboni (VII, 326) dëshmon se disa quajnë Maqedoni gjithë hapësirën gjeografike deri në Korkyrë, duke u mbështetur në faktin se këtu banorët kanë të njëjtën mënyrë të të mbajturit të flokëve, të njëjtin dialekt, të njëjtën klamydë dhe gjëra të tjera kësodore. Sipas Strabonit, ka edhe persona dygjuhësh.

Sipas kësaj dëshmie, epirotët flisnin të njëjtën gjuhë si maqedonasit. Këtë e mbështet edhe Plutarku (Pirrua, 11) : « maqedonasit dhe epirotët në atë epokë flisnin idioma aq të ngjashme, sa mund të merreshin me lehtësi njëra palë për tjetrën ». Ky autor shkruan gjithashtu : « mbretërit (maqedonas) Ptoleme nuk kanë dashur të mësojnë gjuhën e Egjiptit (greqishten), madje disa syresh kanë harruar maqedonishten », çka do të thotë se greqishtja dhe maqedonishtja ishin dy gjuhë të ndryshme.

Një dëshmi tjetër : M. Sakellariou (Athinë) shkruan : « disa mendojnë se maqedonasit ishin ilirë dhe maqedonishtja, një dialekt ilir… ». Ose: „Helenët dhe maqedonasit konsideroheshin si kombe të ndryshme“ (P. Jouguet, 1926, f. 79-80). Plutarku (51, 4) dëshmon se Leka i Madh, gjatë zënkës që pati me Kleitin, gjeneralin dhe mikun e vet, « bërtiste e u thërriste në maqedonisht rojeve të veta mbretërore » dhe se, me këtë rast, « argjiraspidët » e moshuar maqedonas të Lekës së Madh « e përshëndetën në maqedonisht » gjeneralin e tyre.

Po t’i kthehemi një citimi të Kuint-Kurk-ut (VI, 9), do të shohim një provë tjetër se maqedonishtja ishte e pakuptueshme për grekët e kohës së Lekës së madh. Këtu bëhet fjalë për një dialog midis Lekës së madhe dhe Filotit, me rastin e proçesit gjyqësor të këtij të fundit përpara ushtrisë maqedonase. Ja përkthimi i këtij citati : « E shikoni ju, thotë Leka i Madh, se deri në ç’pikë i vjen ndot Filotit nga gjuha jonë amëtare ?… Zakonet tona dhe gjuha jonë i ngjallin atij të njëjtën neveri».

Këtu, asnjeri nuk mund të kundështojë se maqedonishtja dhe greqishtja ishin dy gjuhë të ndryshme dhe se zakonet maqedonase ndryshonin nga zakonet greke.
Po kështu, “… dhe kur disa shqiptarë rivendikojnë Aleksandrin, Akilin…, ekzagjerimi është vetëm në formë, sepse  paradoksi përmban një të vërtetë” (Victor Bérard, 1893, p. 79-80). Në këtë rast, Aleksandri është Leka i Madh.

Tani, të kujtojmë se çfarë ka thënë së paku njëri nga poetët tanë të Rilindjes Kombëtare: “Në ato kohëra, siç na thonë shkrimtarët e vjetër, maqedonasit flisnin një gjuhë që helenët s’e kuptonin. Dhe kur në luftë Leka i Madh u drejtohej argiraspidëve (të cilët ishin të gjithë maqedonas), që të mos kuptonin gjë ushtarët helenë, u fliste maqedonisht.
Unë mendoj se ajo gjuhë s’do të ketë qenë tjetër veçse arbëreshe, se arbëreshët dhe maqedonasit janë si dy degë të një peme, të pemës pellazge dhe se shumë emra qytetesh dhe katundesh  të lashtë të Maqedonisë i takojnë Gjuhës sonë”. (Gavril Darë i Riu, Kënka e sprapsme e Balës, Vepra, Tiranë, 2006, f. 86).
 
Sigurisht, ka dhe të dhëna të tjera letrare dhe historike mbi karakterin etnik ilir të Lekës së Madh, të cilat renditen në librin "Maqedonasit e vjetër dhe arkeologji e tyre" të autorit, që do të botohet në fund të këtij viti. Leka i Madh vërtet ka marrë formësim intelektual grek, madje nga mësuesi i famshëm personal, Aristoteli, - filozofi i shquar, por etnikisht ka qenë ilir, ashtu siç mbeten shqiptarë studentët e sotëm ta zëmë, sado kryejnë shkolla të huaja në trojet shqiptare ose jashtë.
 
Kulmi, sllavët maqedonas përvetësojnë Lekën e Madh! Sllavët që kanë zënë të depërtojnë në Maqedoninë e sotme në shek. XII-XIII të erës së re, pra rreth XII shekuj pas vdekjes së Lekës së Madh (në vitin 323 para e. sonë)!

Kjo nuk ka... ku të rrijë.

Tekefundit, kur qenka kështu, pse s’e kërkojmë Lekën e Madh ne, shqiptarët? S’e kërkojmë ne sepse kemi mësuar Historinë e PKBS-së në vend që të mësonim Historinë e Dheuthit tonë dhe… sepse "na ka bërë lopa“. Ne as sot nuk po u mësojmë nxënësve Kufijtë e Vërtetë të Atdheut.

T’ua ngrësh sot këto çështje në Tiranë disa ‘të mëdhenjve’, do të thonin me vete: “Paska rrjedhur ky: ne duam nam e para, kurse ky na ngrë përralla me mbret! Ne e shohim Lekën e Madh te lekët, që mbajnë emrin e tij, te lekët që fitojmë ne; nuk i paskan marrë grekët dhe Pirron me Skenderbeun?!”. Ndërkohë historianët grekë e kanë bërë arkeologjinë ideologji kombëtare!
 
Kur mejtoj kësisoj, më zë trishtimi e them me vete: “O moj Shqypni, e mjera Shqypni“!
 
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.09.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024

Xhudistja nga Kosova, Laura Fazliu fiton medaljen e bronztë olimpike në Paris 2024