LEKA ZOGU, "Mërgimi i
gjatë i një Princi"

LEKA ZOGU, gjatë i një Princi"">
TIRANE- Më 5 Prill 1939 në orën 5 të mëngjesit lindi Princi, Trashëgimtari i Shqipërisë. Por sa u dha lajmi në popull se lindi një “Djalë Trashëgimtar i Shqipërisë”, të gjitha demostratat anti - italiane që vazhdonin gjithandej, menjëherë u kthyen në një buçitje gëzimi të papërshkruar, duke shfaqur simpatinë për Familjen Mbretërore e duke thirrur: “Rroftë Mbreti”, “Rroftë Princi Trashëgimtar”, “Rroftë Mbretëresha e dashur e jona”. Prej gëzimit të madh e humbën karakterin anti - italian që kishin. Në këtë kohë, kënaqësia e madhe që u ndie dhe që panë një Trashëgimtar në gjininë e tyre mbas 500 vjetëve shpërtheu dhe ka treguar një entuziazëm i papërshkruar në zemrat e të gjithë Shqiptarëve.

Ky lajm gazmor menjëherë u hap në të gjithë anët e Shqipërisë. Kështu filluan menjëherë festimet, gjithandej. Por, populli i Kryeqytetit plot gëzim, shkollat e vajzave, e djemve, e populli mbarë edhe ushtria që ndodhej në Kryeqytet, filluan përgatitjet për të parakaluar para Pallatit, të mbledhur e të renduar  në Bulevardet rreth Pallatit duke kënduar këngë kombëtare e duke tërhequr valle nacionale.
Në orën 8 të mëngjesit vjen Kryeministrin Koço Kota me gjithë Qeverinë, po ashtu Kryetari i Parlamentit Pandeli Evangjeli, me një delegacion të Parlamentit, për të paraqitur urimet gazmore të Lindjes së Trashëgimtarit të Kombit. Të gjithë të veshur me uniformë të madhe.

Ndërkaq, Mbretëresha ndodhet shumë e sëmurë ndaj një infeksioni.
Në orën 10 të mëngjesit filluan të hidhen 101 topa dhe tamam në këtë kohë filluan parakalimet para Pallatit Mbretëror dhe brenda në lulishte. Ishin të radhitur shkollat, populli i veshur me kostum kombëtar e ushtria. Bandat luanin Himnin Mbretëror e të Flamurit. Mbreti Zog, bashkë me Qeverinë e Parlamentin, kishin dalë në lulishte e i falenderonin të gjithë parakaluesit.  Nga të gjitha Prefekturat kishin nisur të vinin delegacionet e popullit në Kryeqytet për të shfaqur urimet gazmore që Perëndia i solli popullit bujar mbas 500 vjetëve trashëgimtarin.

Të gjithë ishin të veshur me kostume kombëtare. Tamam në kohën kur po kalonin shkollat e vajzave e të djemve para Mbretit të tyre, duke kënduar në parakalim, vjen me shpejtësi Ministri i Punëve të Jashtëme Shqiptare, Ekrem Libohova, me një letër në dorë. Ai ia paraqiti Mbretit Zog. Ishte ultimatumi musolinian.
Në këtë kohë erdhi Ministri i Italisë, Jakomoni, i veshur me uniformë të madhe, për të paraqitur urimet. Kur po i jepte dorën Mbreti Zog i tha:
”Ju faleminderit, Zotni Ministër, për urimet e bukura e miqësore që po më paraqitni, se kështu i bëhen një aleati”.
Pasi i dha dorën, i skuqur, Ministri Jakomoni u kthye e iku…

Në këtë datë, ora 11 paradite, kur i gjithë populli shqiptar po parakalonte duke nderuar e uruar Mbretin e vet, Italia Fashiste i jep ultimatumin kërcënues. Ndërkohë ka nisur edhe armatën me flotën luftarake kundër Shqipërisë. Këto ishin “urimet miqësore” të Musolinit…
Zogu I, Mbreti i Shqiptarëve, menjëherë mori Kryeministrin Kota, me Qeverinë dhe Kryetarin e Parlamentit, me delegacionin parlamentar. Dhe, si falenderoi popullin, bashkë me ta hyri në sallën e Këshillit.

Pasi u studjua ultimatumi u vendos:
Qeveria Mbretërore Shqiptare, e mbledhur nën Kryesinë e Sovranit, duke pasur pranë edhe kryetarin e Parlamentit me një përfaqësi parlamentare vendosi mospranimin e konditave të kërkuara, duke qenë se konditat në fjalë zhdukin integritetin dhe sovranitetin e Shtetit Shqiptar…
Në rast zbarkimi të trupave italiane në tokën shqiptare, kjo do të quhet një violencë kundrejt sovranitetit dhe do të kundërshtohet me armë.
Në këtë mënyrë iu dha përgjigja e ultimatumit verbal të Ministrit të Italisë, Jakomonit.

Brenda në Këshill, Mbreti Zog thirri Komandantin e Mbrojtjes Kombëtare, Gjeneral Xhemal Aranitasin, Komandantin e Xhandarmërisë, kolonel Shefki Shatkun, Kryetarin e Shtatmadhërisë, Gjeneral Mirdaic, Nënkryetarin e Shtatmadhërisë, nënkolonel Sami Kokën dhe i urdhëroi që të ndalohej çdo parakalim ose festim. Menjëherë ushtria të vihet nëpër bazat e saj për luftë e të jetë e gatshme të kryejë detyrën e shenjtë që u përket, për Atdhe, dhe ju tha:
“Zoti ju ndihmoftë e të nderoni Kombin shqiptar” dhe u ngrit në këmbë. U shtrëngoi dorën dhe shtoi se kishte besimin e plotë në veprimtarinë e tyre burrërore. Komandantët e nderuan Mbretin dhe së bashku dolën.

Në këtë kohë çdo përgatitje për festime u kthye në një përgatitje e pamje krejtësisht për luftë. Por mjerisht pa fryte, sepse nuk kishin tjetër gjë përveç kraharorit për t’i nxjerrë Duçes përpara, pa armë, pa mjete, pa përkrahje.
Këshilli Ministror, i bashkuar me Parlamentin, vazhdonte bisedimet në kryesinë e Mbretit Zog I, kur u urdhërua Ministri i Punëve të Jashtme, Ekrem Libohova, që menjëherë të vinte në dijeni gjithë Legatat e huaja dhe Lidhjen e Kombeve dhe më vonë kanë për të dërguar protestimet kundër Italisë për veprimet që po zhvillon kundër Shqipërisë së vogël, Antare të Lidhjes së Kombeve.
 
Tiranë,
5 prill: Ora 1 pasdite
 
Zogu i I, Mbreti i Shqiptarëve urdhëroi mbledhjen e përgjithshme: parlament e qeveri së bashku, për ta studjuar dhe për ta vënë në votë ultimatumin italian…
Asambleja Kombëtare u mblodh në ora 2 pasdite dhe shqyrtoi në imtësi ultimatumin italian. U pa se është i papajtueshëm dhe cënon indipendencën e Shqipërisë si shtet i lirë. Prandaj, ky institucion unanimisht vendosi që është i papranueshëm: “Dhe në qoftë për luftë, do të vdesim për Atdhe e lirinë tonë”…

Asambleja Kombëtare, në këtë mbledhje vendosi:
“Unanimisht, i dhanë votbesimin Nalt Madhërisë së Tij Zog I, Mbretit të Shqiptarëve, si edhe Qeverisë së Tij. Ky votbesim është i plotëfuqishëm brenda dhe, eventualisht, jashtë Shtetit Shqiptar për të mbrojtur të drejtat e Atdheut”.
Asambleja historike e 5 Prillit 1939, që vendosi unanimisht për mospranimin e ultimatumit italian pranonte gjendjen më të vështirë, që mund të lindte edhe luftë. Nuk pranoi, nga ana tjetër, asgjë që cënonte indipendencën e ndershmërinë e Shqipërisë e të shqiptarëve.

Qeveria Mbretërore e Shqipërisë, nën kryesinë e kryeministrit Koço Kota, i veshur prej fuqive të dhëna rishtazi, mori votbesimin unanimisht prej Parlamentit. Në bazë të vendimit që u mor nga Asambleja Kombëtare, përpiloi notën e përgjigjes të ultimatumit italian.
Qeveria Mbretërore i dërgoi telegrafisht protestimet kundër Italisë të gjitha shteteve të Europës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Lidhjes së Kombeve, shteteve ballkanase e botës mbarë…
 
Asambleja Kombëtare:
6 Prill 1939: Ora 12 e natës
 
Pasi doli Mbreti Zog, Mbledhja mori në shqyrtim sa i përket Madhërisë së Saj Mbretëreshës të sëmurë dhe të Princit Trashëgimtar, që akoma nuk kishte mbushur 30 orë, për mënyrën e vendosjes së tyre në një vend të sigurtë dhe të përshtatshëm. Po ashtu, edhe sa më shpejt të dalin nga Tirana. Duke diskutuar, pasi Zonat Veri-Lindore nuk janë tanimë të përshtatshme nga dyshimet jugosllave, u la vetëm në Jug. Dhe, sa për në Jug u pa më e arsyeshme, në çdo pikëpamje, ku do të vendosej edhe qendra e Qeverisë, është Korça.
Ky ishte vendi më i sigurtë për vendosjen e Madhërisë së Saj Mbretëreshës, e Princit Trashëgimtar. Kjo u pa më e drejtë. Pasi u rrahën mendimet, duke studjuar pikë për pikë mundësitë dhe ngjarjet eventuale që mund të lindin, u pa më e përshtatshme Korça dhe krahinat e saj. Dhe kështu njëzëri Mbledhja e Asamblesë Kombëtare vendosi që sot Madhëria e Saj Mbretëresha me Princin Trashëgimtar të nisen prej Tirane për në Korçë…

Zog I, Mbreti Shqiptarëve, hyri në Mbledhjen e përgjithshme të Asamblesë Kombëtare në orën 12 të natës, datë 6 Prill 1939. Por, sa u ul, Kryetari i Parlamentit, Pandeli Evangjeli, në emër të Asamblesë Kombëtare i parashtroi vendimin e marrë kështu:
“Lartmadhëri, Parlamenti dhe Qeveria së bashku, duke marrë parasysh ngjarjet eventuale që mund të na lindin, minutë më minutë, për interesin e Atdheut e të nderit të shqiptarëve mbarë e për të qenë të lirë në veprimet që Atdheu lyp prej nesh “vendosi” që Madhëria e Saj Mbretëresha, bashkë me Princin Trashëgimtar qysh sot të dalin nga Tirana për në Korçë. Ai vend u caktua më i përshtatshëm”.

Mbreti Zog I, falenderoi Kryetarin e Asamblese Kombëtare Pandeli Evangjelin bashkë me Mbledhjen për vendimin e marrur. E, pastaj ju tha:
“Nuk duhet të harroni se sot jemi përpara luftës, e jo përpara Ceremonive. Mbretëresha është pak e sëmurë dhe për këtë qëllim është vendosur ta dërgojmë në spitalin e shtetit, natyrisht edhe djali me të. Përsa i përket largimit nga Tirana, ajo nuk pranohet, sepse edhe Mbretëresha është po e njëjtë me familjet e popullit. Dhe, bile djemtë e tyre kanë për të vdekur për Atdhe. Mbretëresha do të ndjekë po të njëjtat vuajtje me familjen e popullit shqiptar, por gjithashtu edhe unë vetë, krah për krah me trimat shqiptarë, kam për të vuajtur siç kam vuajtur. Po tani ta lëmë këtë, por të shikojmë detyrën e rëndë e besimin që populli na ka dhënë për ta mbrojtur nga rreziqet”.
Kjo qe fjala e Mbretit Zog para Asamblesë Kombëtare.

Pas këtyre fjalëve u ngrit Mehdi Frashëri dhe parashtroi:
“Madhëri, bashkohem me gjithë fuqinë e vullnetin tonë me vendimin e marrë me plot vend prej Parlamentit. Edhe kjo i takon nderit të gjithë shqiptarëve dhe nuk lihen këtu në zjarr, Madhëri. Por, ju lutem Madhëri, që të pranoni vendimin e Parlamentit dhe të merren masat e shpejta për nisjen sa më parë. Urdhëroni kolonel Selmanin që të përgatisë sigurimin?!”

U ngrit Kryetari i Parlamentit, Pandeli Evangjeli:
“Madhëri, të gjitha dëshirat e lutjet e të gjithë këtyre të tjerëve, janë edhe të miat. Dhe se jam më plak, jepna fjalën se e pranoni vendimin e Përfaqësuesve të Popullit. Nuk ulem pa e marrë fjalën  “Po”. Se ky vendim nuk është marrë për hatër, por lidhen interesat e kombit me to historikisht”.

Zog I, Mbreti i Shqiptarëve, nga hatri i madh i Kryetarit të Parlamentit Pandeli Evangjelit, e pranoi dhe me buzëqeshje i tha:
“Mirë xhaxha, e pranova. Vetëm prej jush. Vazhdoni bisedimet”.
Pasi u muar pëlqimi i largimit të Madhërisë Saj, Mbretëreshës e i Princit Trashëgimtar, Mbretit iu parashtruan të gjitha sa kishin rrahur e studjuar dhe vendimet e marra mbi të gjitha ndodhitë eventuale. Më e përshtatshme u caktua Korça me krahinat e saj. Pasi i parashtruan të gjitha, në orën 12.00 të natës morën leje e dolën…
Pasi Mbreti Zog pranoi vendimin e Parlamentit për nisjen e Madhërisë së Saj Mbretëreshës, bashkë me Princin Trashëgimtar. Menjëherë u morën masat e përgatitjes, si të mjeteve dhe të sigurimit, që do të shoqëronin Mbretëreshën. Po ashtu dhe për sigurimin, si për rrugën, ashtu edhe për vendet e qëndrimit. Me Madhërinë e Saj Mbretëreshën, do të ishin edhe Princeshat, meqë Mbretëresha ishte mjaft e lodhur e me shumë temperaturë.

Personeli mjekësor ishte i pajisur me të gjitha mjetet e nevojshme për Madhërinë e Saj Mbretëreshën, dhe për Princin e vogël Trashëgimtar. Po ashtu kishte edhe mjete të tjera ushqimore dhe ilaçet e nevojshme. Në orën 4 të mëngjesit të gjithë ishin gati për t’u nisur.
Profesori Veibel, preferoi ta vendosim në një automobil Mbretëreshën, shtruar me një masllakë, e jo në autoambulancë, se rruga ishte e gjatë dhe jo e mirë. Nuk ishte e përshtatshme. Princi Trashëgimtar me një tjetër automobil Mercedes, i përcjellë prej  Princesësh Adile, Doktor Mouhin Shahinit, kapiten Zenel Shehut, dy infermiere dhe Qazim Prenit. Po ashtu dhe të gjitha plaçkat e nevojshme të Princit me një automobil mbrapa.

Princeshat Mbretërore ndjekin Mbretëreshën me dy automobila të tjerë dhe baronesha me Stavro Stavrin me një automobil tjetër… Lartmadhëria e saj Mbretëresha bashkë me Princin Trashëgimtar në orën 4.15 të mëngjesit u nisën prej Tirane për në Korçë me drejtim Krrabë, Elbasan, Librazhd, Qafë –Thanë, Pogradec e Korçë. U përshëndet Mbretëresha me Kryeministrin Kota, si dhe me Ministrin e Punëve të Jashtme Ekrem Libohovën dhe me kolonel Husein Selmanin dhe u nisën. Kur drita sa po çelte.
Zog I, Mbreti shqiptarëve, në këtë kohë, ishte bashkë me Kryeministrin Koço Kota, Ministrin e Jashtëm Ekrem Libohova e kolonel Selmanin.

Pas 10 minutash Kryeministri Kota bashkë me Ministrin e Jashtëm Ekrem Libohovën i morën leje Mbretit e shkuan. Ndërsa Mbreti i lodhur më tha:
“Po shkoj pak të pushoj. Hyr në kontakt me Durrësin, si edhe mundësisht me Vlorën, me kolonel Ali Rizanë, se a kanë mundur të plotësojnë fuqitë dhe sidomos a mërziteni apo jo që nuk janë  shpërndarë armët? A nuk janë marrë vesh njeri me tjetrin parësia? E kjo nuk di. Nga Sadik Shaska nuk kemi asnjë lajm?!”
“Jo asgjë. Deri tani nuk kam, po nëse është se koha do të na lejojë, unë mendoj për një ditë të shkoj vetë në Vlorë”, i thashë mbretit.
Mbreti qeshi: “Jo kolonel, s’ka më kohë. Bile mendoj që sot jemi në luftë”…
 
Tiranë,
7 prill 1939: Ora 5 e mëngjesit
 
Madhëria e Saj Mbretëresha ishte nisur, ndërsa Mbreti Zog, po shëtiste pak në lulishte të Pallatit. Në këtë kohë, po më urdhëronte që të shkoja në Komandën e Mbrojtjes Kombëtare për të parë se a i kanë plotësuar gjithë mungesat. Pa mbaruar fjalën, na vjen Adjutanti, toger Qemal Shtina dhe thotë:
“Urgjent ju thërrasin në telefon Saranda, Vlora, Shëngjini e Durrësi”.

Mbreti më urdhëroi të shkoja në telefon dhe u fut brenda në Pallat. M’u drejtua dhe më tha:
“Më lajmëroni kur të mbaroni punë me to.”
Kishte shkuar ora 5 e mëngjesit, data 7 Prill 1939. Sapo mora telefonin më deklaruan:
Saranda, Toger Taifor Dibra:
“Flota Italiane hyri në Portin e Sarandës dhe filloi shkarkimin në tokat tona. Kam në dispozicion vetëm një togë ushtarë të Rojes së Kufirit. Luftën e fillova. Kam për të bërë detyrën për të vdekur për Mbret e Atdhe. Rroftë Mbreti e Rroftë Shqipëria. Toger Taifor Dibra”.

Vlora, kolonel Ali Riza Topalli:
“Flota italiane tani filloi bombardimet prej detit e ajrit dhe shkarkoi në Portin e Vlorës e Karaburun. Luftën e fillova vetëm me një kompani ushtarake të Rojes së Kufirit nën komandën e kapiten Dod Nikollës e 50 xhandarësh. Asnjë fuqi tjetër akoma nuk kam. Jam duke u tërhequr ndër shpatet e Sevasterit e të Llogarasë për sistemimin e ndërlidhjeve me fuqitë tona që po i presim orë më orë. Rroftë Mbreti, Rroftë Shqipëria. Kolonel Ali Rizaja”.

Durrësi, Major Abas Kupi:
“Flota italiane ka rrethuar Durrësin dhe hyri në Port. Janë mëse 30 copë anije në Durrës, Porto Romane e Zonat e Banjave. Nuk patëm kohë për të minuar portin. Ne do të bëjmë detyrën, aviacioni po na dëmton shumë. Urdhëroni komandën e Shijakut, që të na vijnë në ndihmë, e sidomos të sigurojë Zonën e Banjave”.
Kur po bisedojmë në telefon filloi bombardimi dhe mitralozat, ndjeheshin në telefon dhe menjëherë u pre telefoni. Lufta vazhdonte, por menjëherë dërguam një stacion radio R.3 në Shijak.

Shëngjini, H.Bekteshi:
“Flota italiane filloi shkarkimin në zonat e Shëngjinit. Luftën e filluam me një togë ushtarësh të Rojes së Kufirit nën komandën e toger Marka Jakut dhe 15 xhandarësh. Jemi në pritjen e ndihmave dhe jemi duke luftuar në afërsi të Kakariqit. Do ta vazhdojmë deri në fund. Rroftë Mbreti, H.Bektashi e toger Marka Jaku”.
Pasi i mora të gjitha këto njoftime, menjëherë shkova e ja parashtrova Madhërisë së Tij, Mbretit Zog.
…Populli i kryeqytetit me burra, gra, shkolla, ka shpërthyer. I madh dhe i vogël është në demostratë duke shkuar portë më portë të Legatave të huaja. Si edhe duke thirrur kundër Italisë Fashiste dhe duke kërkuar ndihmën e tyre nga Amerika, Britania e Madhe, Franca, Turqia, Greqia e të tjera.
 
(...vijon)

Shkrimi u publikua sot (5.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit