Tërmet 4.5 ballë në Bulqizë! Emergjencat Civile: 16 banesa të dëmtuara! Banorët: U trembëm shumë, u lëkundëm dy herë

Lëkundje të forta tërmeti janë ndjerë në Dibër mëngjesin e sotëm. Sipas Institutit të Gjeoshkencës lëkundja ishte me epiqendër në Bulqizë dhe thellësi 14 kilometra. Sipas IGJEUM, vetëm 6 minuta para lëkundjes 4.5 ballë, është regjistruar një tjetër tërmet 3.3 ballë.

Lëkundja ka shkaktuar jo pak frikë e panik te qytetarët, të cilët dolën jashtë banesave, teksa thonë se tërmeti ishte i fortë.

Në një raportim për situatën, Emergjencat Civile bëjnë me dije se janë 16 banesa që kanë pësuar dëme.

Shogert Tolla kryetari i njësisë administrative Zerqan tha për Report TV se banorët kanë raportuar për dëme në banesat e tyre si çarje muresh, por nuk ka shtëpi të shembura. Raportimet për plasaritje të mureve kanë ardhur nga fshatrat Tërnovë e Madhe, Tërnovë e vogël të njësisë Zerqan.

Ndërkohë, që pas goditjes kryesore, asaj prej 4.5 ballë, janë regjistruar edhe disa lëkundje të tjera në Bulqizë, ku më forta 3.6 ballë.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:17
Tërmeti në Bulqizë, Emergjencat Civile: Raportohet për 16 banesa me dëmtime! Po ndjekim situatën

Emergjencat Civile kanë reaguar në lidhje me tërmetin në Bulqizë, duke bërë një raportim mbi situatën ku theksohet se 16 banesa kanë pësuar dëmtime. Sipas raportit, janë 5 banesa të dëmtuara në njësinë administrative Fushë-Bulqizë, 3 në njësinë administrative Gjoric, 3 në Shupenzë, 1 në Zerqan, 1 në Bulqizë dhe 2 në njësinë administrative Kastriot. Emergjencat Civile theksojnë se situata po monitorohet nga afër.

Ora 12:34
Tërmeti në Bulqizë, Ormeni për Report Tv: Do të ketë pasgoditje deri në qetësimin e gjendjes

Sizmiologu Rrapo Ormeni tha se tërmeti 4.5 rihter në Bulqizë është shoqëruar me pasgoditje. Për Report Tv, Ormeni tha se në atë zonë këto tërmete janë të zakonshme dhe përgjithësisht futet te tërmet jo të forta.

“Është një tërmet që është shoqëruar me pasgoditje dhe është ndjerë edhe në Tiranë e Laç e më gjerë. Tërmeti 4.5 rihter janë normale për vendin tonë, ky tërmet ka një tipologji që ka pasur pasgoditje ku më e madhja është 3.6 rihter. Goditja kryesore është dhënë dhe se tani do të ketë vetëm pasgoditje deri në vendosjen e ekuilibrit të pllakave tektonike në epiqendër”, tha Ormeni

Ora 12:12
Tërmet 4.5 ballë në Bulqizë, banorja: U  trembëm, çuni hipi në dritare të hidhej, por e kapi nusja! Kemi dëme

Tërmeti 4.5 ballë në Bulqizë ka shkaktuar panik te banorët, të cilët kanë dalë me vrap jashtë banesave. Në disa banesa ka dëme të vogla në fshatrat malorë në banesat e vjetra.  Një banore tha se djali kishte hipur të hidhej nga dritarja, por e kapi nusja.

“Kur ra tërmeti i parë isha në krevat dhe u çova, kur pash çunin që kishte hipur në penxhere për t’u hedh, por e kapi nusja dhe e uli në tokë. Shtëpia është çarë komplet, ishte dëmtuar që nga tërmeti i mëparshëm i shtatorit”, u shpreh një banore

“Tërmeti shumë i fortë, i dyti i dhe i treti ishte më i fortë. Më është shkatërruar totalisht shtëpia brenda”, tha një banor.

Ora 10:56
Tërmeti në Bulqizë, banorët: U frikësuam, dolëm menjëherë jashtë! Ishin dy lëkundje të forta

 

Dita e stome nisi mes frikës dhe panikut për banorët në Bulqizë, për shkak të tërmetit me magnitudë 4.5. Për Report Tv, qytetarët shprehen se kanë ndjerë 2 lëkundje të forta dhe kanë dalë menjëherë jashtë të tmerruar.

"U frikësuam, u tronditëm dy herë. Dolëm të gjithë jashtë dhe ndenjëm jashtë deri sa u qetësua gjendja. Nja dy tre herë u lëkundëm mirë", thotë një banorë.

"Na frikësoi, nuk është lojë, është tërmet. Dolëm jashtë menjëherë, ça të bënim. Ishte lëkundje e fortë", shprehet një tjetër.

Ora 10:46
Tërmeti në Bulqizë, kryetari i njësisë vendore Zerqan: Dëme materiale te disa banesa të vjetra! Nuk ka persona të lënduar

 

Tërmeti 4.5 ballë që tronditi Bulqizë mëngjesin e sotëm ka shkaktuar dëme të lehta materiale, më së shumti në njësinë vendore Zerqan. Kryetari i kësaj njësie vendore tha për Report Tv se raportohet për mure të çara në disa banesa të vjetra fshatrat Tërnovë e Madhe dhe Tërnovë e vogël, por fatmirësisht nuk ka persona të lënduar. Ai bën me dije se janë ngritur grupet e verifikimit.

"Janë ndjerë dy lëkundje të njëpasnjëshme. Nuk kemi njerëz të lënduar, por tërmeti ka shkaktuar frikë. Vetë banorët kanë raportuar për dëme të vogla materiale, çarje muresh në banesa të vjetra dhe kemi ngritur grupet e verifikimit në terren. Deri më tani nuk kemi informacion për shtëpi të shembura.  Raportimet për plasaritje të mureve kanë ardhur nga fshatrat Tërnovë e Madhe, Tërnovë e vogël. Njësia Zerqan e Bashkisë Bulqizë përbëhet nga 13 fshatra që janë : Valikardhë, Zerqan, Sopot, Strikçan ,Godvi, Krajkë, Peladhi, Sofraçan, Zall-Sopot, Zall-Strikçan, Tërnovë e Madhe, Tërnovë e vogël, Smollik, tha ai.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër