Firma ‘Duka’ i është përgjigjur kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli duke i thënë se prej më shumë se një viti bëjnë punën ndërsa Bashkia nuk derdh asnjë qindarkë për shërbimin e pastrimit. Për këtë theksoi se do të paraqesin fakte me dokumente para organeve ligjzbatuese që të merren masat e duhura. Në reagim sqarojnë se gjatë gjithë kësaj kohe kanë paguar vetë punëtorët vetëm për të mos ndaluar shërbimin e pastrimit.

Reagimi erdhi pikërisht pasi Leli kërkoi që firmës së pastrimit t’i hiqej licenca duke thënë se nuk ka kryer funksionin e saj sipas kontratës, gjë që ‘Duka’ e kundërshton. Sipas kompanisë së pastrimit, të cilën Leli e bën fajtore për situatën e menaxhimit të mbetjeve në Vlorë, kanë realizuar evadimin e 190 ton mbetje në ditë, por në një moment të caktuar, thonë se Bashkia e bllokoi procedurën e ppeshimit.

“Duke marrë shkas nga tentativat e fundit të Bashkisë Vlorë për ta ‘prezantuar dhe etiketuar’ Firmën Duka si inekzistente dhe përgjegjëse për situatën e krijuar së fundmi, sqarojmë opinionin publik:

1.Mbështetur në kontratën mes palëve, Firma DUKA ka detyrimin të evadoje 140 ton/ditë mbetje urbane nga konteinerët në vend depozitim! Referuar peshamatjes bërë nga vetë Bashkia, rezulton e realizuar 140%(rreth 190 ton/ditë)! Disponojmë fletëpeshat ditore të vetë Bashkisë deri në momentin që po vete Bashkia, për “arsye” që vetëm ata mund ta dijnë, e bllokoi fare procedurën e peshimit!! Situata e rënduar e këtyre ditëve të sezonit, është absolutisht përgjegjësi e vetë Bashkisë, e cila, edhe pse ka të miratuara fonde dhe mjete për evadimin e 55ton/ditë mbetje urbane, nuk e ka realizuar me dashje detyrimin e saj!

2.Firma DUKA, ka të gjithë kapacitetet dhe teknologjinë e mjaftueshme si dhe përvojën 25 vjecare për shërbimin e pastrimit dhe jo vetëm në qytetin e Vlorës dhe një situatë e tillë sot në qytetin tonë është e paprecedentë sepse e paprecedentë është sjellja dhe qasja e Bashkisë ndaj Firmës DUKA dhe ndaj zbatimit të kontratës!

3.Deri në Mars 2021, Firma DUKA ka patur të firmosur nga Bashkia Vlore 100% të situacioneve sipas zërave të kontratës, gjë që ka çuar në një shërbim relativisht të kënaqshëm (jo pa probleme) nga ana jonë!

4.Nga dt 1 Prill 2021 e deri në Janar 2022 kemi patur 0(zero) lek finacim nga Bashkia!

5.Prej dt 1 Shkurt 2022 e deri sot dt 14 Gusht 2022, Bashkia vazhdon të mos derdhi asnjë qindarke(0 zero lek) për shërbimin e pastrimit! Pra kemi mbi 1 vit që ky shërbim kryhet nga Firma DUKA pa asnjë lek, edhe pse kostot e këtij shërbimi janë rritur apo dhjetëra familje e qindra punonjës duhen paguar dhe janë paguar nga ana jonë vetëm për të mos ndaluar këtë shërbim si detyrim moral ndaj qytetarëve vlonjat!

6.Këto ditët e fundit, Bashkia në mënyrë arbitrare dhe antiligjore ka ndërhyrë në zonën e kontraktuar nga Firma DUKA, ka penguar në mënyrë flagrante mjetet dhe punëtorët tanë të kryejnë detyrën, dhe bën shoë me foto e imazhe se gjoja po e kryen Bashkia shërbimin e  pastrimit dhe evadimit të mbetjeve! Gjithçka sa kemi parashtruar me lart, e mbështesim në fakte,video e dokumenta të cilat do të depozitohen pranë organeve kompetente ligjzbatuese!”, thuhet në reagim.

Reagimi i Kompanisë së Pastrimit vjen pasi kryetari i Bashkisë Dritan Leli kërkoi që t'i hiqej licenca. Përplasja nisi pasi AKM gjobiti kryerbashkiakun Dritan Leli, i cili edhe pse në pikun e sezonit turistik, e ka lënë Vlorës mes mbeturinave. Më herët edhe kryeministri Rama e kishte identifikuar këtë bashki si model të keq menaxhimi ku sipas tij kryebashkiaku fle gjumë.