Sipas burimeve nga Enti Rregullator i Energjisë Elektrike, Operatori i Sistemit të Transmetimit, OST, ka kërkuar dyfishim të tarifës së shërbimit që kryen, me 1.17 lekë për kilovatorë, nga 0.65 lekë që është aktualisht.

Ndërkohë, burimet në Korporata Elektroenergjetike Shqiptare kanë pohuar më parë se kompanisë shtetërore të prodhimit të energjisë elektike i duhet një tarifë së paku 2.8 lekë për kilovatorë, ku përllogaritet mbulimi i të gjithë shpenzimeve dhe një fitim minimal. Edhe kjo është një shifër gati dy herë më e lartë se sa tarifa aktuale.

Ndryshe nga kjo tendencë, Operatori i Shpërndarjes, OSHEE, ka paraqitur një tarifë të njejtë për familjarët, por më të lartë për bizneset. Për konsumatorët familjarë tarifa e shpërndarjes e kërkuar është 4.99 lekë për një kilovatorë.

Në rast se miratohen tarifat e reja për kostot e furnizimit dhe të transmetimit, çmimi i energjisë për këtë kategori konsumatorësh del 11.39 lekë më TVSH, aq sa ç’është aktualisht.

Tarifat aktuale të energjisë miratohen nga Enti Rregullator për një afat të caktuar dhe ato që janë në fuqi do të qendrojnë të pandryshuara deri në fund të marsit të këtij viti. Vështirë se në një “vit elektoral” konsumatori masiv do të goditej me një rritje çmimi.

Por, nga ana tjetër, sektori i energjisë elektrike duket se po mbetet një ndër “thembrat e Akilit” të ekonomisë shqiptare, të cilën nuk mund të eliminojë vetëm performanca më e mirë se më parë e OSHEE-së.

Kjo duket qartë nga fakti se KESH po përjeton një stinë të mirë të prurjeve hidrike, që i kanë sjellë në arkë miliona e miliona euro më shumë se më parë. Megjithatë, Korporata kërkon rritje të tarifimit, madje dyfish.

Po kështu, investimet nuk kanë munguar vitet e fundit as për OST-në. Edhe këtu, kërkesa është pranë ERE-s që të dyfishohet tarifa. Rritja 100 për qind – nuk është e thënë që do të miratohet – edhe si kërkesë, gjithsesi, tregon se në financat e kompanive shtetërore të sektorit punët nuk janë siç duhet të ishin.

Ekspertët e huaj dhe ata vendas, duke pranuar se ka rritje në performancës, sidomos pas ndryshimit të shumëpritur në arkëtimet, por edhe në prodhim, pas hyrjes në treg të shumë operatorëve privatë (Banja, HEC-et e mesme e të vogla), mendojnë në unison se problematika në sektorin e energjisë elektrike në Shqipëri qendron në gjendjen financiare kritike të ndërmarrjeve të mëdha.

Kështu, psh, Operatori i Shpërndarjes nuk i ka respektuar ende marrëveshjet e miratuara nga ERE, kundrejt KESH dhe OST, duke u krijuar këtyre të fundit vështirësi për ushtrimin normal të aktivitetit të tyre nga pikëpamja financiare.

Ndërkohë që OSHEE del në skenë vetëm me suksese. Këto marrëveshje janë shkelur në vite konkretisht për fatura furnizimi energjie elektrike të lëshura nga KESH që nuk njihen/pranohen nga OSHEE; fatura për kamatëvonesa në pagesa të lëshuara nga KESH që nuk njihen/pranohen nga OSHEE; mosshlyerje e detyrimeve të OSHEE ndaj KESH për huatë afatgjata, si dhe mosshlyerje e detyrimit të OSHEE ndaj OST për transmetim energjie etj. 

Energjia,KLSH zbulon 'malin' me borxhe:588 mln euro të pashlyera
Në një auditim të fundit, me temë “Performanca e detyrimeve të ndërsjella KESH-OST-OSHEE”, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka arritur të hedhë dritë mbi gjendjen reale të financave të kompanive shtetërore në sektorin e energjisë elektrike. Ato ndodhen nën peshën dërrmuese të borxheve të ndërsjellta me një vlerë të përgjithshme në masën 588 milionë euro.

Sipas KLSH, “sistemi energjetik gjendet prej kohësh në një krizë financiare të trashëguar nga periudhat e mëparshme. Ai ka një mungesë të theksuar efiçense, si rezultat i detyrimeve të akumuluara midis shoqërive publike të sektorit dhe kredive të shumta të marra për përballimin e kësaj krize. Kjo mungesë efiçense ndikon në rritjen e kostove të shërbimit dhe rrjedhimisht sjell një impakt negativ mbi treguesit makro ekonomik. Performanca e ulët e shoqërive publike të sektorit energjetik, ka sjellë rritje të nivelit të borxheve të ndërsjella”.

Pas analizës së veprimtarisë së subjekteve në vitet 2006-2016 u evidentua se mosrespektimi i marrëveshjeve dhe procedurave ligjore nga ana e kompanive, ka sjellë akumulimin dhe rritjen e detyrimeve të ndërsjella, të cilat i kanë venë në vështirësi këto shoqëri për të operuar në kushte normale, për realizimin e misionit të tyre.

Pasqyrat financiare të KESH, OSHEE dhe OST, tregojnë se detyrimi total, i regjistruar zyrtarisht në bilancet e kompanive në fjalë deri më datën 20 shtator 2016, ishte 80.6 miliardë lekë.  

Megjithëse OSHEE gjatë vitit 2015 dhe 2016 ka rritur nivelin e arkëtimeve, detyrimi i papaguar i OSHEE ndaj KESH për blerjen e energjisë elektrike është 50.9 miliardë lekë. Ndërkohë, detyrimi OSHEE ndaj KESH për huatë afatgjata është 11.3 miliardë lekë.

Nga ana tjetër, detyrimi tjetër i OSHEE ndaj OST për transmetim energjie, shërbime dhe kredi është 8.2 miliardë lekë. Por edhe OST ka detyrim ndaj KESH për energji, shërbime dhe kredi më vlerën 10.2 miliardë lekë. Nuk është për t’u neglizhuar edhe një borxh tjetër: në bazë të marrëveshjes për zgjidhjen me mirëkuptim, detyrimi i mbetur i OSHEE ndaj çekëve të CEZ AS, deri më datë 20 shtator 2016 ishte 5.8 miliardë lekë. Edhe strategjia e ndjekur nga operatori privat i shpërndarjes CEZ, të përzgjedhur nga qeveria e mëparshme, jo vetëm që nuk e përmirësoi situatën financiare të kompanisë, por përkundrazi solli një përkeqësim të tregueseve financiare dhe një rritje të detyrimeve të ndërsjella, ndërmjet shoqërive të sektorit energjetik, duke vështirësuar operimin normal të këtyre shoqërive. Pra, ishte një privatizim i dëmshëm për interesat e vendit.

Në këto kushte, sipas KLSH, sistemi energjetik ngelet ende vulnerabël në drejtim të garantimit të cilësisë dhe kostos së shërbimeve ndaj qytetarëve. “Duke qenë se synimi i operatorëve të sistemit është mbajtja e një sistemi energjetik efiçent dhe të qëndrueshëm, me qëllim garantimin e një shërbimi me cilësi të lartë për qytetarin, shlyerja e detyrimeve të ndërsjella përbën një hap thelbësor në arritjen e këtij qëllimi”. 

Operatorët shtetërorë në Shqipëri kanë 7.757 punonjës
Shoqëria KESH ka në përbërje të saj dy divizione: Divizionin e Gjenerimit, i cili përbëhet nga një sektor dhe tre departamente nën varësi, si dhe Divizionin e Programimit dhe Menaxhimit Strategjik, i cili përbëhet nga tre departamente, me nënndarje në sektorë. KESH me 994 punonjës.

Shoqëria OST ka pesë Drejtori: Drejtoria e Kabinetit, Drejtoria e Burimeve Njerëzore, Drejtoria e Prokurimeve, Drejtoria Ekonomike, Drejtoria Ligjore dhe tre departamente: Departamenti i Operimit, Operimit të Tregut, si dhe ai Transmetimit. Shoqëria OST, ka të punësuar 725 punonjës.

Ndërsa OSHEE ka në varësi tre divizione dhe një departament: Divizionin tregtar që përbëhet nga tre departamente; Divizionin e Administrimit të Korporatës; Divizionin e Shpërndarjes që ka nën varësi një drejtori dhe katër departamente, si edhe Departamentin e Zhvillimit të Biznesit. Të gjitha të sipërpërmendurat kanë në përbërje të tyre drejtori dhe sektorë përkatës. OSHEE ka në strukturë 6.038 punonjës në mbarë Shqipërinë. 

klsh

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com