Kryebashkiaku i Libohovës, Leonard Hide, ka dalë kundër propozimit të mazhorancës për bashkimin e Libohovës me Gjirokastrën në kuadër të Reformës Territoriale. Përmes një deklarate publike, ai u bën thirrje deputetëve të qarkut të mos e votojnë projektligjin në Kuvend dhe të mbrojnë Libohovën si njësi të pavarur të qeverisjes vendore. Hide deklaron gjithashtu se nuk do të marrë pjesë në asnjë takim apo proces deri në sqarimin përfundimtar të fatit të bashkisë.

Sipas projektligjit të depozituar nga mazhoranca socialiste, Bashkia e Libohovës është një nga 15 njësitë vendore që propozohet të humbasin statusin si bashki, duke u bashkuar me Bashkinë Gjirokastër.

Në deklaratën e tij, Hide u kujton deputetëve të qarkut se janë zgjedhur për të përfaqësuar qytetarët dhe u kërkon të përdorin çdo mundësi parlamentare për të mbrojtur Libohovën.

“Nëse kjo çështje vjen për votim në Kuvend, ju kërkoj të jeni në lartësinë e mandatit që ju është besuar dhe të mbroni me bindje interesin e komunitetit që përfaqësoni. Historia nuk i kujton ata që heshtën në momentet vendimtare, por ata që patën guximin të ngriheshin në mbrojtje të qytetarëve të tyre. Sot keni mundësinë të dëshmoni se vota e qytetarëve nuk ishte thjesht një mandat për të qenë në Parlament, por një përgjegjësi për të qenë në krah të tyre kur e ardhmja e vendit të tyre vihet në rrezik.”, shprehet ai.

Kryebashkiaku thekson se Libohova nuk kërkon privilegje, por respekt për historinë, identitetin dhe të ardhmen e saj, ndërsa paralajmëron se nuk do të jetë pjesë e asnjë takimi apo procesi ku, sipas tij, nuk mbrohen qartë interesat e bashkisë.

“Për këtë arsye, deklaroj se, deri në sqarimin përfundimtar të fatit të Bashkisë Libohovë, nuk do të jem pjesë e asnjë takimi apo procesi ku nuk mbrohen qartë të drejtat dhe interesat legjitime të Libohovës dhe të komunitetit të saj. Prania ime nuk mund të shërbejë për të legjitimuar heshtjen përballë një padrejtësie që rrezikon të ardhmen e vendit tim. Do të jem në çdo tryezë ku mbrohet zëri i Libohovës dhe ku kërkohen zgjidhje në interes të saj. Sot, si gjithmonë, zgjedh të jem në krah të qytetarëve të mi, sepse mbiemri ynë i dytë është LIBOHOVA”, thotë Hide.