Propozimi për të ulur numrin e bashkive nga 61 në 46, për Partinë Socialiste është një proces që synon forcimin e pushtetit vendor dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve. Bashkëkryetari socialist i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku shpjegoi se në bashkitë që pritet të shkrihen, qytetarëve nuk do t’iu largohet shërbimi. Me ndarjen e re territoriale, Qytetin, Manziku shpjegoi se qytetarët do t’i marrin shërbimet në të njëjtën zonë, pasi nënkryetari do shërbejë në të njëjtën godinë. Në bashkitë e reja do të përqendrohen vetëm shërbimet që kërkojnë ekspertizë, si planifikimi urban, hartimi i buxhetit, zhvillimi ekonomik dhe funksionet ligjore.

“Kjo është reformë që bëhet për të mirën e qytetarëve, për të pasur mundësi që çdo bashki të ofrojë shërbimet më të mira të mundshme. Elementi i dytë lidët me konceptin e decentralizimit. Cila funksione nga qeveria ne i afrojmë te bashkia. Asnjë shërbim nuk largohet nga territori. Elementët që largon, janë elementët me plan buxhetor, urban, zhvillimin ekonomik, elementët ligjorë, elementë të cilat qytetari në thelb nuk shkon për të parë si është bërë vendimi i këshillit bashkiak. Ne kemi detyra që sot shumica i bashkive nuk i operojnë dot se s’kanë arktiket, makineri. Pastrimi i kanalit kullues të kanalit vaditës do vazhdojë të bëhet në Belsh. Elementi fizik i punës do ndodhë aty”, tha Mazniku.

Mazniku tha se reforma është e domosdoshme për t'i dhënë bashkive më shumë kapacitete dhe për t'i përgatitur ato për sfidat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas tij, vonesat në komisionin e posaçëm erdhën për shkak të opozitës.

“Opozita mori shumë kohë. Kur përmendin një kalendar, kalendari ka dy kolona, një kolonë ku ka temat dhe një kolonë ku ka datat. Që në ditën kur është krijuar komisioni afati i punës ka qenë 9 mujor. Dihej që do mbaronte në mes të korrikut, në maj 2027 do kemi zgjedhje vendore, të cilat ne duhet të hyrmë me sistem te ri dhe hartë të re territoriale në mënyrë që të përballemi me ato sfida që ka Shqipëria. Në 2029 Shqipëria do jetë pjesë e BE. Në atë moment nuk integrohet qeveria apo një zonë e Shqipërisë, por e gjithë Shqipëria. Nëse ne humbasim afatin e 2027, humbasim 8 vjet”, vijoi Mazniku.

Propozimin për të bashkuar njësinë administrative të Rinasit me Bashkinë e Tiranës, Mazniku argumentoi se ky është një vendim me interes kombëtar, pasi aeroporti është një aset strategjik dhe Tirana është përfituesja kryesore e aktivitetit ekonomik që ai gjeneron.

“Rasti i vetëm në të cilën kemi vendosur të propozojmë ndryshim territori, është rasti i Rinasit për arsye kombëtare. Është aset kombëtar. Tirana është nga këndvështrimi ekonomik përfituesja më e madhe e ekonomisë që Rinasi gjeneron. Territori rrethe e qark Rinasit, akset e rrugës rreth Rinasit, kanë nevojë për mirëmbajtje më estetike, ideja ishte për ti dhënë mundësi që në atë territor të ekuilibrojmë përfituesin me atë që përmban kostot për mirëmbajtjen, po bashkia e Tiranës”, tha Mazniku.

Ministri hodhi poshtë edhe pretendimet se reforma synon përfitime elektorale për socialistët.

“Nuk e ndikon fare ndryshimin e rezultatit të PS në nivel kombëtar. Këtu kemi të bëjmë me një synim për të përmirësuar eficencën e bashkive. Sot Elbasani, Cerriku dhe Belshi i administron PS. Kemi marrë 56-57% në zgjedhjet e fundit, nuk ka asnjë ndikim elektoral. Diskutimi elektoral është irrelevant, nuk ka asnjë ndikim. PS nuk është nisur në këtë reformë nga interesi i ofiqarëve të një bashkie apo tjetri. Por nga shërbime, si shkon më shumë ujë, si shtrohen më shumë rrugë. Interesi jonë, nuk ka qenë politika, por si e bëjmë që qytetarëve shqiptarë t’i ofrohen shërbime më të mira”, theksoi Mazniku.

Propozimi i PS për ndarjen e re territoriale parashikon shkrirjen e 15 bashkive. 33 bashki mbeten të pandryshuara, ndërsa 28 të tjera pësojnë ndryshime, ndërsa qarqet nuk preken. Krijohet një nivel i ri i qeverisjes vendore që njeh qytetet me status të veçantë ligjor dhe do të kenë një nënkryetar përgjegjës për koordinimin administrativ.