Dalja nga zona “Champions” pas humbjes me Torinon ka tërbuar drejtuesit e Milanit. Menjëherë pas ndeshjes siç raportojnë mediat në Itali, Gazidis, Leonardo dhe Maldini kanë mbajtur një mbledhje me tone të ashpra në dhomat e zhveshjes me trajnerin. Ndryshe nga administrator i deleguar dhe Maldini, Leonardo është treguar i ashpër, duke bërë akuza të drejtpërdrejta ndaj Gatusso-s si për lojën në përgjithësi por ashtu edhe për disa zëvendësime në veçanti.
Në rrethanat aktuale është tepër e vështirë për të gjetur një zëvendësues dhe nuk është marrë vendimi ekstrem, por sipas të gjithave gjasave ‘martesa’ e Gatusso-s me ‘djallin’ do të përfundojë në qershor. Drejtuesit e konsiderojnë të pajustifikueshëm faktin që ekipi të marrë 4 pikë në 7 ndeshjet e fundit.