Lepurushja shqiptare e Playboy-t gjerman

Lepurushja shqiptare e Playboy-t gjerman
Deri para një muaji nuk kishim dëgjuar shumë për të, por kur fotot e saj dolën në revistën PlayBoy në Gjermani ajo pushtoi të gjitha mediat, edhe në Shqipëri. Për herë të parë një shqiptare është bërë pjesë e kësaj reviste dhe kjo është Iris Shala nga Prishtina. Vajza me ambicie në fushën e modës dhe të aktrimit është në rrugë të mbarë për synimet që i ka vënë vetes. 23– vjeçarja jeton në Graz në Austrisë, por dëshiron që në të ardhmen të vendoset në Nju Jork për të punuar dhe jetuar. Ka pasur disa eksperienca të suksesshme në aktrim, ndërsa tani dëshiron t’i përkushtohet botës së modelingut. Për herë të parë, ajo flet në një intervistë për “Shekullin” ku tregon rrugën që ka ndjekur dhe dëshirat që ka. Për të siguruar fotot origjinale të botuar në revistën gjermane, gazeta ka komunikuar me menaxheren e komunikimit në këtë revistë, Nina van Splunter. Nëpërmjet postës elektronike ajo na ka siguruar fotot origjinale që i janë shkrepur Irisit. Fotot janë ekskluzive për gazetën ‘Shekulli”. 

Iris, na tregoni pak ku jetoni dhe me çfarë merreni aty?

Për momentin jetoj në Graz të Austrisë ku edhe jam duke e ndjekur një shkollim për “personal trajner”. Përpos aktrimit dhe modelimit punoj edhe si “Fitness trajner”, pasi që këtë fushë e dua shumë dhe aty kam eksperiencë të veçantë. 

Prej sa kohesh jetoni Graz të Austrisë? 

Prej vitit 1999. 

Ju jeni e njohur edhe si aktore na tregoni pak për këtë eksperiencë?

Me aktrim fillova të merrem herët, si fillim jam angazhuar pranë Teatrit dhe Operas së Grazit ku prej moshës 10-vjeçare shijova edukimin në baletin klasik dhe baletin modern. Unë kisha talent për vallëzim, ndërsa nuk e njihja ende gjuhën gjermane, gjë që ishte mjaft negative për mua, pasi ende nuk kisha mundësi të shprehesha mirë. Andaj ju përkushtova baletit dhe vallëzimit ku kisha mundësi të tregoj talentin tim, të shprehja performancën stilistike përmes lëvizjeve të trupit edhe pa pasur nevojë të flas. Nga ana tjetër, unë kisha shumë talent edhe për të kënduar, por gjatë daljeve të para në skenë kisha prerje gjunjësh dhe humbje zëri. Aty kuptova që nuk kisha lindur për të kënduar në skenë. Edhe që prej asaj kohe këndoj me shumë pasion, por për.. vete. Pas disa viteve në Austri dhe pasi mora rolin në Telenovelën Gjermane “Anna und die Liebe”, fitova mundësinë e aktrimit të vërtetë, i cili ishte një kënaqësi e veçantë për mua, dhe ku definitivisht vura re se aktrimi është ajo që kam dëshirë të bëj në jetë.



 Por së fundi jeni angazhuar edhe në modë. Cila është lidhja juaj me këtë fushë? 

Unë që në moshë fare të vogël kisha dëshirë të bëhesha aktore dhe të modeloja. Në shtëpi, por edhe në shkollë organizoja shpesh një lloj sfilate mode. Besoj se isha mjaft e bezdisshme për të afërmit e mi, por unë këtë e doja me shpirt. Suksesi i arritur gjatë konkurrimit për “Austrias Next Top Model” m’i hapi dyert e fushës së modës dhe Fotoshootingut, prej të cilëve kisha për të veçuar atë në Nju Jork me fotografin tonë të famshëm Fadil Berishën. Për fat të keq, nuk kam gjatësinë t’i bëj konkurrencë modeleve me gjatësi mbi 170 cm, kështuqë siç duket nuk jam e lindur për të ecur në sfilata, por kam mundësi dhe talent për foto shooting, pra mund të jem një fotomodele

Ju keni pozuar për revistën Playboy. Si ishte konkurrimi dhe si ju bën të ndiheni ky fakt? 

Eksperienca me revistën Playboy ishte shumë e vlefshme dhe më bëri të qartë se çfarë serioziteti punohet në atë revistë. Revista me zgjodhi mua përmes menaxherit tim dhe më kontraktoi për një set fotosh artistik. Gjatë realizimit të fotografive, është punuar me shumë seriozitet dhe revista i respektoi të gjitha dëshirat e mia aq sa, ndërsa unë i shikoj sot fotot e mia te publikuara, mund të them se jam shumë e kënaqur dhe ndihem mirë kur i shoh, pa ndjenjën se është cënuar sfera ime private.



 Një vajzë që merr guximin të pozojë në një revistë erotike... cila është sakrifica më e madhe që do të bënit për të ndjekur ëndrrat tuaj?

Në të vërtetë, unë nga të dy prindërit vij nga familje mjaft konservatore dhe akademike. Dhe kuptohet se gjithë kjo që kam arritur deri më tani në fushën e modës dhe modelimit, tani edhe me fotot, nuk kishte përkrahje të plotë nga ana e familjes time. Por unë e doja dhe me kokëfortësinë time ia dola të jem aty ku jam tani. Por me siguri, por ju them me bindje që ende nuk kam mbërritur aty ku dua të jem. Unë çdo herë do të mbes në kufijtë e shijes së mirë, nëse më kuptoni se çka mendoj! Nuk do të më shihni kurrë në ndonjë film apo ndonjë situatë të palakmueshme, atë ua premtoj.  



Bukuria

I njoh kufijtë e lakuriqësisë

 Është kusht pamja për të ecur përpara? 

Sipas mendimit tim, pa bukuri natyrale nuk ka sukses në këtë lloj pune. Mirëpo, përpos bukurisë, duhet edhe së paku sharm dhe personalitet. Dhe nëse ka në të një dozë rebelizmi, nuk ju prish punë. Pa këto është vështirë të korrësh sukses. 

Ju jeni edhe mbesa e një aktori të madh në Kosovë, na tregoni pak më shumë? 

Unë mburrem pa masë me gjyshin tim Abdurrahman Shala. Si aktor dhe regjisor ai ishte një nga krijuesit e filmit kosovar. Gjenet e tij sigurisht që kanë luajtur rol të rëndësishëm në orientimin tim për aktrim. Por edhe familja ime në përgjithësi është e dhënë pas skenës artistike dhe asaj të filmit dhe ky fakt kishte ndikim të veçantë në mua. Duke e njohur mentalitetin shqiptar, por edhe duke pasur parasysh rolet mjaft konservatore të luajtura nga ana e gjyshit tim, besoj se shumë njerëzve fotot e mia në Playboy do të mund t’ju duken si të lira për arsye se tregojnë trupin tim lakuriq. Por për mua dhe për skenën në të cilën unë dëshiroj të depërtoj këto foto shikohen si artistike dhe pjesa lakuriqe ka kufij të qartë të përcaktuara nga unë dhe të respektuara me përpikëri nga ana e revistës serioze Playboy. 

Jeni ju në një lidhje dashurie dhe çfarë planesh keni në vazhdim?

Po, jam e dashuruar dhe jam shumë e kënaqur me jetën time private. Plani im në të ardhmen është që të shkoj në Nju Jork e të punoj atje. Unë dua që të punoj si një aktore model, edhe “fitnesstrainer”. Populli shqiptar ishte i pari që më mbështeti mua me komplimentet e mahnitshme. Nuk presja reagime të tilla kaq të bukura.



Irisi në gjurmët e gjyshit të saj, Abdurrahman Shala 

Aktorja dhe topmodelja 23 vjeçe, Iris Shala, e lindur në Prishtinë por që jeton në Graz të Austrisë është zgjedhur për “Playmate July 2013, titull që e shpall revista për meshkuj “Playboy”, botimi gjerman për çdo muaj. Irisi është e njohur edhe nga një rol që ka luajtur në serialin e njohur gjerman “Anna und die Liebe” (Ana dhe dashuria). Në Austri ajo ka fituar vendin e tetë në një garë për topmodelen më të mirë. Në intervistat që ka dhënë për mediat e ndryshme austriake dhe gjermane, Irisi thotë se gjithmonë ka pasur një afeksion për aktrimin. Këtë e ka edhe njëfarë trashëgimie, thotë ajo dhe tregon se gjyshi i saj ka qenë Abdurrahman Shala, një aktor i shquar i gjeneratës së parë të aktorëve të teatrit dhe të filmit në Kosovë. Iris është shqiptarja e parë që zgjidhet “Playmate” në revistën e njohur për prezantimin erotik të femrave “Playboy” . Një fjalë e urtë thotë se “dardha bie nën dardhë”! Besojmë se edhe Iris në planin artistik do të eci në gjurmët e gjyshit të saj të famshëm, aktorit të madh kosovar i teatrit dhe filmit, Abdurrahman Shala.

Marrë nga Shekulli Online

Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)

8/4
  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Arben Meçe: Kupola drejtuese, fatkeqësia e PD-së! Miltantët janë distancuar prej tyre, duhet të japin dorëheqjen

Arben Meçe: Kupola drejtuese, fatkeqësia e PD-së! Miltantët janë distancuar prej tyre, duhet të japin dorëheqjen