Letër e hapur/Infermierja e politikës
dhe Shqipëria që nuk bëhet! 

Letër e hapur/Infermierja e politikës<br />dhe Shqipëria që nuk bëhet! 
Asnjëherë nuk kam dashur që të shfrytëzoj pushtetin e gazetarit për të çoroditur zyrat e shtetit për çështje apo punë personale. As mbrëmë nuk e bëra.
Onesa si shumë fëmijë në këto ditë pati disa shqetësime me pak temperaturë dhe të vjellta. Pasi u konsultuam me një mik të mirë, ish-pediatër ndodhi që ta çonim në spitalin e Shkodrës Onesën. Doktoresha e turnit të natës, sepse ora ishte e vonë, rreth 23:00, e vizitoi dhe pa ditur nëse është fillimi i një helmimi apo virozë normale e ditës, vendosi që t'i bëhej një serum. Ashtu ndodhi. Kur shkuam tek dhoma, para se të shkonim doktoresha dhe infermierja nën zë bënë një muhabet për mungesë ilaçesh e medikamentesh dhe po bënin edhe humor që nuk arrita ta kuptoj. Vërejten se po i vëzhgoj dhe ulën zërin ashtu siç e ndalën diskutimin.

I shqetësuar se kodet e shenjat e tyre kishin të bënin me mungesën e ndonjë medikamenti që duhej për Onesën sapo mbërritëm tek dhoma i them direkt infermieres që nëse mungon diçka të lutem na thuaj se e blejmë poshtë tek farmacia. Mos u shqetësoni thotë e qetë se ata ishin muhabetet tona të punës. Mungesën e ilaçave e cilësoi si një muhabet i zakonshëm pune sikur të flitej për domate e speca. Gjithçka është në rregull thotë dhe vijoi punën për të bërë gati serumin. Me një ftohtësi në veprimet e saj që mendoja se e kishte nga orët e gjata të punës nga turni 24 orësh por në dyert e spitalit nuk duhet të mendosh pozitivisht sepse gabon. Edhe pse jam dyshues për gjithçka, me mendimin se disa gjëra të vogla kanë ndryshuar në spitalin e Shkodrës ia lashë ftohtësinë e infermires orëve të punës.

Në një moment edhe nga shqetësimi, mu duk sikur diçka nuk shkon me serumin. E thërrasim infermieren e cila i bën hapat me një bezdisje manifestuese pa patur nevojë që të thotë asnjë fjalë. Prishja e terezisë në dhomën e saj me kondicioner nuk u desh shumë që të kuptohej. Pasi pa serumin tha se po ecën krejt normalisht dhe lëshoi mërzinë e saj. Thashë se çfarë ndodhi tha se isha duke folur me vajzën jashtë shtetit në telefon dhe më bëtë ta mbyll telefonin pa mbaruar muhabetin. Pra zonja në orarin e punës jo vetëm se paskash qenë duke folur me vajzën e saj sikur të mos kishte moment tjetër por edhe na e thotë këtë gjoja ia bëmë për borxh. Nuk fola sepse të qënit gazetar më bën të mendoj dy herë. Iku duke përplasur sërish hapat. Onesa nisi të bëhej më mirë dhe as që më shkonte mendja të merresha me të edhe pse e meritonte.

Teksa koha kalonte sepse serumi kërkon rreth një orë kohë, në koridor dëgjohet zëri i një gruaje që edhe pa e parë u kuptua se kishte një hall e shqetësim. Gruaja i thotë kësaj infermieres që iu desh të ndërprente bisedën me vajzën e saj për të ardhur tek Onesa se djali i saj është me 40 e 3 vija temperaturë. Gruaja që infermierja e njihte edhe me emër i thotë se e kam sjellë dy herë djalin dhe është sërish me mbi 40 temperaturë. Infermierja ia sjell muhabetin dhe i thotë se ke sjellë vajzën dhe jo djalin. Gruaja e tensionuar me të drejtë i thotë se a e di ti apo e di unë se kë kam sjellë. Kam djalin ia ripërsërit keq aq sa nuk munda ta marr me vete nga frika dhe e kam lënë me ca familjarë të tjerë. Infermierja me qetësinë e saj vrastare i thotë se “lëjë në shtëpi se do t’i kalojë”. Kaq mjaftoi që gruaja e shkretë të shpërthejë. E shau duke i thënë idiote, e marrë, e trashë, qelbësirë e tjera nga këto. Iu afrua dhe nga zhurma kuptova se tavolinën ia përmbysi sepse kërcitën ca metale. I tha se të shkyej dhe të mbys të tallesh t’i me mua e me djalin tim. Unë kam hall i thoshte gruaja në nervozizëm e sipër se po dergjet djali t’i më thua leje se do i kalojë. Pasi ia tregoi me të drejtë vendin, doli doktoresha nga dhoma e saj dhe e qetësoi gruan e cila kishte humbur toruan dhe e vetmja mënyrë ishte duke e kërcënuar se do t’i thërrasin policinë. Në rrëmujë e sipër gruaja iku ndërsa infermierja shpëtoi pa marrë ndonjë goditje.

Erdhi koha që Onesa të ngrihej sepse e mbaroi serumin dhe infermierja erdhi sërish e qetë sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Vazhdoi punën e saj në tavolinën ku kishte lënë ca shiringa që shkruanin “use only one time” që do të thotë “përdore vetëm një herë”. Ca pamuk i ndyrë në kutinë me nëndarje dhe ato koshat e vegjël të mbetjeve spitalore që qëndronin hapur edhe pse brenda çfarë nuk kishin. Ajo ndarja në burim e mbetjeve spitalore vetëm ishte e shkruar në afishe sepse nuk zbatohej siç duhej. Fati i mirë i saj se celulari im ndodhej në shtëpi pa bateri ndërsa Merisa ia kishte dorëzuar Onesës celularin për të dëgjuar muzikë si e vetmja mënyrë që Onesa të qëndronte pa lëvizur kur po bënte serumin. Pasi u përshëndetëm ne ikëm sepse Onesa e mori veten dhe s’kishte më nevojë, shyqyr Zotit.

Ikëm por ikëm me shumë brenga e të mërzitur sepse spitali i qytetit tonë nuk ka pikën e humanizmit. Infermierja mund të sillej ndryshe nëse do t’i jepja një 5-mijëshe por nuk ia dhashë ashtu siç nuk ia kishte dhënë as gruaja e shkretë që gati sa se mbyti. Ikëm të lënduar nga spitali edhe pse e dimë çfarë bëhet. Ikëm të pambushur në shpirt e duke shpresuar që djali i gruas së shkretë që kushedi çfarë hallesh kishte, të shpëtonte e të bëhej më mirë.

Këto histori mund t’i hasni çdo ditë. Në fakt kur i lexoja tek të tjerë jo se nuk i besoja por më dukeshin ekzagjerim në disa raste. Sot jam bindur se kurrë Shqipëria s’do jetë e jona. S’do jetë e jona sepse infermierja një mesogrua, në fund e mora vesh është motra e një ish-drejtori dhe e afërme e një të madheje në Tiranë. Kjo nuk është Shqipëria ime, kjo nuk është Shkodra ime. Dhe kjo nuk është  politikë, as lajm a përshkrim gazetaresk. Është realiteti jonë i hidhur. Shqipëri hajdutësh, atëherë sot e gjithmonë! Onesa është mirë dhe jam i lumtur por Shqipëria nuk bëhet. Dhe jam i zhgënjyer. Politikë idiote!


Redaksia online
a.n shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Notoi në lumin Sena për garën e Lojërave Olimpike, atletja ndan eksperiencën: Pashë gjëra që as dua t’i mendoj

Paris 2024/ Notoi në lumin Sena për garën e Lojërave Olimpike, atletja ndan eksperiencën: Pashë gjëra që as dua t’i mendoj