Banorët e Durrësit nuk kanë marrë ende bonuset e qirave të tërmetit të nëntorit 2019, ishte denoncimi i anëtares së Këshillit Kombëtar të PD, Ilirjana Kuçanës në “Studio Live” në Report Tv. Ndërsa këshilloi banorët e kompleksit ‘Arlis’ që të mos gënjehen nga bonuset, ajo tha se ka pasur abuzime në Durrës. Sa për punën e PD lidhur me pallatin e djegur, ajo tha se ka një grup që po merret me çështjen.

“Është ngritur një grup pranë PD që po merret me këtë rast. Po mblidhen fakte për të bërë depozitim dhe kallëzim. Jo të gjithë deputetët e PD duhet të jenë aty, mjafton të jenë përfaqësues, ta ngrenë si kauzë dhe t’i shkojnë deri në fund kësaj gjëje. Sa për këshillin bashkiak, PD ka shumë të drejtë, s’mundet që ata banorë, përveç traumës psikologjike, të gënjehen me bonuse qiraje që në Durrës, në zonën time elektorale, akoma nuk janë dhënë bonuset e tërmetit. Është abuzuar. Ka prova, fakte, i kemi denoncuar”, tha Kuçana.

Më tej, ajo lexoi edhe një mesazh nga një banor i Spitallës.

“Kemi marrë çelësat, ka një vit, nuk na lidhin dritat e ujin dhe nuk na japin as hipotekën”, shkruante banori.

Sa për pallatin e djegur te kompleksi i ‘Arlis’, Kuçana u shpreh se nuk është rasti i parë dhe banorët janë të pasigurt. Ndërsa avokati Fran Dashi mendon se hetimet e policisë dhe prokurorisë duhet të jenë shteruese për çështjen. Gjithashtu, ai nënvizoi se ndihma financiare ndaj banorëve është detyrim për shtetin.

“Policia e Shtetit duhet ta hetojë deri në bërthamë nga momenti që është dhënë leja e parë e themelit, përgjegjësit që kanë ndjekur procedurën e themelit deri në dorëzim dhe certifikimin e pallatit. Shteti duhet të investohet për banorët që kanë mbetur pa banesë se nuk i mungojnë mundësitë shtetit për t’i ndihmuar. Duhet të çojnë në bankën e të akuzuarve kushdo të jetë dhe të mbajë përgjegjësi”, tha Dashi.