Aktivistë dhe përfaqësues të shoqërisë civile përmes një letre të hapur drejtuar të gjithë shqiptarëve apelojnë për t'i dhënë ndal dhunës dhe përdhunimit të grave e vajzave shqiptare. Letra ka ardhur në redaksinë e Shqiptarja.com

 Letër e hapur drejtuar të gjithë shqiptarëve:
 
Ndal dhunës dhe përdhunimit të grave e vajzave shqiptare!
 
20 nëntor 2013
 
Para disa ditësh në media është dhënë një lajm i hidhur: një vajzë, nxënëse shkolle në një qytet në veri të Shqipërisë, u përdhunua për pesë ditë rresht nga shokët e saj në një dhomë hoteli. Ky lajm u bë i ditur vetëm sepse kjo vajzë mori guximin të denoncojë publikisht dhunuesit e saj.
 
Kjo ngjarje e tmerrshme përveç fajtorëve kryesorë – djemtë që kryen këtë akt kriminal -, ka edhe disa bashkë-fajtorë, të cilët janë pjesë e komuniteteve tona e të cilët mbyllin sy e veshë në situata kur dhunohen gra e vajza. Në këtë rast, të parët bashkë-fajtorë e bashkë-kriminelë janë pronarët dhe personeli i hotelit ku u mbajt e burgosur kjo vajzë, të cilët mbyllën sy e veshë përballë faktit që një vajzë minorene rrinte për pesë ditë rresht pa dalë nga dhoma e hotelit ku hynin djem të ndryshëm. Kjo indiferencë cinike përballë këtij krimi të shëmtuar është shprehje edhe e një mendësie patriarkale të burrave, por dhe grave disa herë, që fajësojnë gratë dhe vajzat edhe kur ato përdhunohen barbarisht e kur mbahen në skllavëri seksuale me forcë e kundër dëshirës së tyre. Indiferencë cinike kanë dëshmuar edhe mësuesit e vajzës, të cilët e kanë për detyrë të dinë se ku është një vajzë minorene, e cila mungon pesë ditë nga shkolla.
 
Në tërë botën, 16 ditë në  muajin nëntor i dedikohen luftës kundërs dhunës mbi baza gjinore. Por kjo nuk mjafton. Ne duhet të ngrihemi të gjithë në këmbë çdo ditë, çdo çast për t’i dhënë fund dhunës ndaj shoqeve, mikeve, motrave, nënave, grave, nxënëseve, kolegeve dhe bashkëyqtetareve tona.
 
Duke marrë shkas nga ngjarja tragjike e përdhunimit të kësaj vajze të mitur dhe dhimbja që ajo e familja e saj përjeton:
 
U kërkojmë djemve e burrave shqiptarë të luajnë rol kryesor për të ndaluar dhunën dhe
përdhunimin ndaj vajzave dhe grave.
 
I kërkojmë çdo shqiptari, burrë apo grua, në qytet apo fshat, të çdo moshe e profesioni, të mos fshehë kokën si struci kur dëgjon ulërimat e një gruaje a vajze për shkak të dhunës në familje dhe përdhunimit, por t’i denoncojë këto raste dhe t’u ofrojë ndihmë viktimave të kësaj dhune, sepse kështu bën detyrën si qenie njerëzore, por edhe kontribuon që ai/ajo vetë dhe familja e tij/saj të jetojë në një mjedis pa dhunë.
U kërkojmë të gjithë shqiptarëve të dënojnë hapur e pa hezitim ngjarje të tilla të shëmtuara duke mos i parë vajzat e gratë si pronë dhe as si viktima të feminilitetit të tyre që mund të ndëshkohen me dhunë e përdhunim.
 
U kërkojmë nënave e baballarëve, gjysheve e gjyshërve, vëllezërve e motrave të mos lejojnë që vajzat dhe fëmijëria e tyre të nëpërkëmbet për hir të faktit se janë femra.
 
U kërkojmë mësuesve dhe mësueseve të mbajnë përgjegjësinë që u takon në mbrojtje të të drejtave të çdo nxënësi, të ndihmojnë dhe përkrahin vajzat që bëhen viktima të abuzimit nga bashkëmoshatarët, të luajnë një rol parësor në dënimin e dhunës mes të rinjve dhe të punojnë çdo ditë e me përkushtim për edukimin e të rinjve që të respektojnë thellësisht të drejtat e grave dhe vajzave.
 
U kërkojmë komuniteteve fetare të ndërgjegjësojnë dhe edukojnë besimtarët e tyre për domosdoshmërinë e respektimit të të drejtave të vajzave e grave në familje, shkollë e komunitet, si një vlerë morale themelore për çdo njeri e anëtar të një komuniteti..
 
U kërkojmë Policisë së Shtetit, prokurorisë e gjykatave të ushtrojnë detyrën dhe të mos tolerojnë asnjë rast abuzimi ndaj vajzave e grave shqiptare; t’i japin çdo dhunuesi apo përdhunuesi vajzash e grash dënimin maksimal sipas ligjit; t’u japin dënimin e duhur edhe kujtdo tjetër që ka dijeni apo bashkëpunon në rrëmbimin dhe dhunimin e grave dhe vajzave.
 
Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim
Strehëza për gra e vajza të dhunuara
Linja e Këshillimit për Gra e Vajza
Linja e Këshillimit për Burra e Djem
Qendra për Nisma Ligjore Qytetare
Shoqata “Refleksione”
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë
Rrjeti për Fuqizimin e Grave Shqiptare
Rrjeti i Qendrave Komunitare "Sot për të ardhmen"
Shoqata “Gruaja në zhvillim”
Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike
Shoqata “Në dobi të gruas shqiptare”
Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare
ANTTARC (Qendra Kombëtare e Trajnimit dhe Asistencës Teknike)
Observatori për të Drejtat e Fëmijëve
Shoqata për të Drejtat e e Personave me Aftësi të Kufizuar
Qendra Psiko-Sociale "Vatra"
Forumi i Gruas - Elbasan
Shoqata kombëtare “Edukim për jetën”- Shkej
Caritas Shqiptar
Shoqata “Të ndryshëm dhe të barabartë”
Shoqata “Ndihmoni jetën”
Ambasada PINK / LGBT
Shoqata “Jona” - Sarandë
Rrjeti i Grave “Barazi në vendimmarrje”
Koalicioni për Gratë dhe të Rinjtë në Politikë
Shoqata për Integrimin e Zonave Informale
Balkan Youth Link Albania
Qendra për të drejtat e gruas rome
Shoqata “Unë Gruaja“ - Pogradec
Partnerët Shqipëri
National Democratic Institute – Albania
Qendra Shqiptare për të Drejtat e Fëmijëve 
Elvira Dones, shkrimtare dhe gazetare
Delina Fico, aktiviste për të drejtat e grave
Mirela Arqimandriti, aktiviste për të drejtat e grave
Arta Mandro, juriste, pedagoge e së Drejtës Familjare
Edlira Haxhiymeri, pedagoge, Universiteti i Tiranes
Iris Luarasi, gazetare, pedagoge, Universtiteti i Tiranës
Ani Ruci, gazetare, Deutsche Welle
Fabiola Egro, aktiviste për të drejtat e grave
Ines Leskaj, aktiviste për të drejtat e grave
Teuta Dedej, aktiviste për të drejtat e grave
Zef Preçi, ekonomist
Klotilda Ferhati, aktiviste e shoqërisë civile
Mrike Cara, aktiviste e shoqërisë civile
Arjana Haxhiu, aktiviste për të drejtat e grave
Edlira Çepani, aktiviste për të drejtat e grave
Blerina Metaj, aktiviste e shoqërisë civile
Vasilika Laçi, aktiviste për të drejtat e njeriut
Manjola Veizi, aktiviste e shoqërisë civile
Klotida Tavani, aktiviste e shoqërisë civile
Brunilda Dervishaj, juriste
Afërdita Seiti, aktiviste e shoqërisë civile
Eglantina Shllaku, aktiviste e shoqërisë civile
Rezarta Katuçi, aktiviste e shoqërisë civile
Dorarta Hyseni, aktiviste e shoqërisë civile

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)