Letërsia romantike arbëreshe në
filtrin filologjik të Matteo Mandala-së

Letërsia romantike arbëreshe në<br />filtrin filologjik të Matteo Mandala-së
Gjuha, të folurit dhe letërsia e arbëreshëve të Italisë kanë qenë dhe mbeten ende disa nga përbërësit më esencialë në ruajtjen dhe gjallimin e shpirtit arbëresh përgjatë pesë shekujve të shkuar, duke luajtur kështu një rol të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe pasurimin e kësaj bote kulturore krejt të veçantë. Përgjithësisht trashëgimia letrare arbëreshe i është paraqitur lexuesit të zakonshëm dhe atij profesional brenda kufijve zyrtarë të shtetit shqiptar, në trajtë të shqipëruar me përshtatje në gjuhën standard, zgjidhje kjo jo e qëlluar, e cila i  ka nxjerrë këto vepra nga hullia reale teksteve të veprave letrare të autorëve të tyre.

Lexuesi shqiptar u njoh me këto botime, pa mundur pothuajse kurrë t’i shijojë këto tekste si të tilla, pa mundur dot asnjëherë të kuptojë kumtin gjuhësor dhe atë letrar në vijimësinë e tyre historike, duke patur si shenjë bazike gjuhën e këtyre teksteve. Përtejdeti, përveçse si një përfytyrim territorial i lidhur me konturet e lidhjeve etnike gjuhësore e letrare, iu përcoll publikut të vendit të origjinës si një materie gjuhësore e letrare për përdorim masiv, e adoptuar kjo pa një kriter të qartë, por vetëm si një përdorim utilitar përnjohës, shpërfytyruar dhe shkuptimësuar vajtueshëm.

Kthimi i teksteve arbëreshe këto vitet e fundit, falë punës tejet profesionale të studiuesve arbëreshë si Matteo Mandalà dhe Françesko Altimari, pa ua cënuar formën e tyre gjuhësore origjinale, ka ndryshuar kryekëput shijen leximore tonën edukuar së prapthi deri pak vite më parë, duke na vënë përballë njohjes bazike të kësaj letërsie si një shqyrtim kritik që duhej të ishte bërë që herët, por më mirë vonë se kurrë.

Matteo Mandalà pasi ka bërë transkriptimin dhe shpjegimet e duhura me metodën ekdotike, na sjell në sofrën e leximit pajën gjuhësore gërshetuar me atë etniko-historike, pra me elementë ngushtësisht gjuhësor dhe jashtëgjuhësorë duke e kapërcyer metodën krahasuese përmes analizave të peshuara etnolinguistike. Si e tillë, kjo letërsi vjen dinjitare më në fund përmes autorëve kryesorë  të letërsisë së vjetër arbëreshe si: Lekë Matrënga, Gjergj Guxeta, Pal Maria Parrino, Nikollë Filja, Nikollë Keta, Jakin Kjarkjarit, dhe Nikollë Brankatit, studimet për të cilët Mandalà i ka botuar kryesisht si hyrje të botimeve kritike të autorëve të përmendur.

Synimi me sa shihet ka qenë i dyfishtë; nga njëra anë botimi kritik i të gjitha veprave të autorëve kryesorë arbëreshë, si dhe në anën tjetër përpunimi kompjuterik i teksteve të tyre me qëllim mbërritjen tek hartimi i një fjalori historik të arbërishtes i njohur si projekti BETA (Biblioteka Eletronike e Teksteve Arbëreshe). Ribotimi i disa prej teksteve kryesore të letërsisë arbëreshe ka synuar një botim të ri më të kujdesshëm duke ndrequr të metat dhe defektet që i kanë karakterizuar ato në botimet e tyre të mëparshme, për ti sjellë kështu në një perspektivë të re inovative dhe solide bazuar  në kërkimet e fundit arkivore bibliofilike dhe mbi të gjitha duke i stabilizuar metodologjikisht mbështetur mbi filologjinë dhe praktikën  tekstore, e cila u garanton një trajtim dinjitoz këtyre teksteve.

Mandalà është marrë prej vitesh me tekstet e vjetra shqipe, përkatësisht me historinë e letërsisë së shkruar arbëreshe, duke përgatitur botimet kritike të autorëve më të rëndësishëm të kësaj tradite sipas një metodologjie filologjike bashkëkohore bazuar në historikun e dorëshkrimeve dhe botimeve që lidhen me si dhe jetëshkrimin e figurave kryesore të historisë së letërsisë arbëreshe.

Mandalà në kërkimet e tij shkencore dëshmon një varg cilësish studimore të mëvehtësishme disiplinare në shumë fusha kërkimi si antropologji, arkivistikë, histori e përgjithshme, histori letërsie, filologji etj, cilësi shumëdisiplinare të cilat duke i pranëvënë dhe kontekstualizuar në një raport harmonik të admirueshëm ka ditur t’i referojë në një punë origjinale sistemore që rri kryekreje si kërkim filologjik i përkryer mbushamendës, korrekt dhe dinjitar në studimet e këtij lloj në historinë e filologjisë shqiptare dhe letërsisë shqipe posaçërisht.

Në shekullin e 18-ë ka patur një para-Rilindje në mjediset arberëshe në Itali që ka ushqyer me ide dhe frymë Rilindjen e madhe Kombëtare në trojet shqiptare në shekullin e 19-ë. Kjo është teza kryesore e librit të albanologut italo-arbëresh, prof. Matteo Mandalà dhe në një kuptim tjetër kjo përbën edhe thelbin e nismës së punës kërkimore filologjike të prof. Matteo Mandalà në librin “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”. Me këtë del qartazi se sistemi kulturor arbëresh mori ato tipare kombëtare moderne qysh në shekullin e 18-të, pra, një shekull para se të niste Rilindja e mirëfilltë kombëtare shqiptare.

Në studimin e parë të titulluar: “The crux[...] is the phrase “double lirical narrative” për një interpretim të poemave dhe të poetikës së De Radës”. f. 19-59, ndërtitulluar bazuar mbi një citim të Arshi Pipës nga punimi i tij monografik Hieronymus De Rada, Mandalà, nisur nga verifikikimi i të dhënave të drejtpërdrejta të botimeve të veprave poetike të De Radës, si dhe mbështetur në kontributin e Francesco Altimarit, i cili kishte vërtetuar në dy versionet e veprave të De Radës të viteve 1833-1939, mungesën e drejtpeshimit kompozicional që ai e konsideron një luhatje mes ushtrimesh të pasigurta të autorit, ka arritur të na japë një provë bindëse origjinare të historikut diakronik të botimit të këtyre teksteve.

Studimi është një skicë interpretuese e poetikës deradiane dhe përmes tij ka shterruar këqyrjen e imët të të dhënave në dukje krejt sipërfaqësore, por me rëndësi të dorës së parë në ndërtimin gjenetik të këtyre veprave, elementë të cilët nuk i kanë shpëtuar vëmendjes së një studiuesi “rojtar” të teksteve si Mandalà. Vetëm kështu ai mbërrin ta vendosë i qetë në shtratin interpretues qasjen kontesktuale si njësi të përvijueshme për një histori të receptimit dhe vlerësimit në poemave të De Radës.

Mandalà mbërrin të provojë mendimin e Elio Miracco-s për dy variantet e botimit të vitit 1943 të Këngëve të Serafina Thopias, se De Rada ka punuar mbi tekstet e tij edhe kur këta të fundit ishin në tipografi/shtypshkronjë, duke ndriçuar kështu elementë të rëndësishëm të procesit krijues të këtij autori dhe se dy poemat e tij përbëjnë një projekt letrar të mirëmenduar të De Radës, i cili i kishte konceptuar si dy pjesë, si njësi të ndryshme të eposit të eposit të tij romantik të një kohe heroike, konsideruar edhe si një roman lirik i dyfishtë.

“Prejardhja e mitit pellazgjik: Jeronim De Rada dhe Giovanni Emanuele Bidera”, (f. 61-91), na shtie në në një rrugëtim interesant të historisë së lindjes, përhapjes dhe shndërrimit të mitit pellazgjik prej dijetarëve arbëreshë, një histori kjo që nis që në shekullin XVIII, për të mbërritur tek autorët dominues Jeronim De Rada dhe Giovanni Emanuele Bidera, si pikëmbërritja e promovimit të këtij miti parak të arbërve në një kontekst të ri me përmasa kombëtare në prag të Rilindjes Kombëtare, si një promovim i mitit të lavdisë së të parëve, si mit i hershmërisë i cili së bashku me me mitin e gjuhës dhe atë të Skëndërbeut do të përbënin një tresh shënues të rëndësishëm të kalendarit tonë historik dhe kulturor njëherësh.

Mandalà, duke lënë përanash rrethanat historike, na shtie me këtë punim ndër disa të tjera imtësi ndërkulturore në këtë fillimrilindje duke dashur të skajojë kështu përsaktësime të reja sa i takon fillimeve të romantizmit shqiptar. Vlen të theksohet se paraprijësit e gjurmimit dhe argumentimit të mitit pellazgjik i gjejmë për herë të parë tek Jeronim De Rada në vitin 1843 tek Lucifero dhe më tej tek Emaunele Bidera në botimin dyvëllimësh Passeggiate per Napoli e contorni, botuar në vitet 1844 dhe 1845, e jo sikurse shpesh i vishet kjo risi Johann Georg von Hahn-it në vitin 1854.

Studimi “Për botimin kritik të Kënkës së sprasëme të Ballës: shënime filologjike paraprake”, (f. 93-147), duket se është një “hyrje” në veprën e plotë të Gravil Darës. Përdallimi filogjik tekstual është i pranishëm që në nisje, madje që në titull duke filluar që me personazhin e poemës së njohur, i cili nuk na shfaqet sikurse tradicionalisht e kemi njohur Bala, por Balla.

Bazuar në katër dorëshkrimet e gjetura të poemës, botimin e pjesshëm të viteve 1887, 1900-1903, si dhe botimin e plotë të vitit 1906, përmes një operacioni krahasues të plotë në të natyrës grafiko-alfabetike, marrëdhënieve midis dorëshkrimeve e tekstit të botuar, ndjekjes së gjurmëve të ndërhyrjeve të shumta të bëra gjatë procesit krijues të autorit, parë si dëshmi e fundit e vullnetit të autorit, Mandalà përgatiti botimin e  vitit 2007, Kënga e sprasëme e Ballës (Il Canto ultimo di Bala) di Gabriele Dara junior, Edizione critica. Vol. 1. Albanica 27. Palazzo Adriano: Grafiche Geraci. 400 pp.

Autori duke parë pamjaftueshmërinë e leximit të kësaj poeme ndërmerr edhe një interpretim leximor krahasues të saj shqip dhe italisht si dhe skajon disa çështje autoriale të lidhura drejpërdrejt edhe me tekste të tjera të De Radës duke përfunduar se kjo poemë e cila i dha Gravil Darës një vend nderi në letërsinë shqipe erdhi si rezultat i zotësisë së tij autoriale, frymëzimit dhe shtysës fillestare të të atit Andrea Dara, si dhe ndikimit të Alessandro Manzoni-t (autori më i dashur i Darës), prej të  cilit ky huazoi njësimin e reales me idealen/të vërtetën duke u përpjekur të ndërtojë një krijim letrar mbi fakte të dokumentuara, një synim ky i fshehtë që ishte një element i njohur i romantizmit, që natyrisht Dara e solli në letërsinë shqipe me risitë e tij të përveçme.

Studimi “Për botimin e veprës letrare të Françesk Anton Santorit. Disa probleme ekdotike paraprake”, (f. 149-180), ka për objekt të tij problematikën e përgatitjes së një botimi kritik të veprës së këtij autori, si rrjedhojë edhe e problematikës lidhur me kalimin e dorëshkrimeve të tij dorë më dorë në biblioteka të ndryshme publike e private (Kozencë, Kopenhagë, Tiranë, si dhe në arkivin privat të Zef Skiroit), çfarë paraqet edhe vështirësi të identifikimit dhe klasifikimit të tyre, gjë që ka justifikuar në njëfarë mënyre mosmarrjen seriozisht të kësaj pune nga ana e studiueve të krijimtarisë së tij.

Studimi ndërdisiplonor “Çështje paraprake të botimit të veprave të Zef Skiroit”, (f. 181-220), vjen si rezultat i punës madhore të realizuar nga autori në përgatitjen e korpusit të plotë në nëntë volume të veprës së plotë të Skiroit. Mandalà ka lënë mënjanë shkaqet e hollësishme të përjashtimit të padrejtë të këtij autori nga historia e letërsisë shqiptare, duke u kufizuar në njoftimet e detajuara për botimet e tij të shumta (disa prej të cilave të qarkulluara me vonesë si dhe të tjera vepra në dorëshkrim), duke stabilizuar kështu problemet e tejshkrimit të këtyre veprave, me ç’rast ndërton një kronologji të këtyre botimeve dhe më në fund përmbyll gjithë punën kërkimore të këtij projekti me finalizimin, kujdesjen dhe përgatitjen e botimit vetë, duke kryer kështu një restaurim të plotë filologjik të të gjithë veprës së këtij autori.

Punimi tjetër, ai me titull “Aspekte dhe momente të formimit rinor të L. Pirandello-s dhe të Z. Skiroit”, (f. 221-256), na shpërfaq një studim krejt specifik të kësaj përmbledhjeje, dhe ndoshta më intersanti, jo vetëm si risi e pa trajtuar gjer më tash në studimet tona letrare, por edhe për peshën që merr për shkak të pranëvënies së lidhjes së faktuar mes dy shkrimtarëve të sipërpërmendur; Zef Skiroit dhe njërit prej shkrimtarëve më të njohur italianë të shekullit XX, sikurse qe Luigi Pirandello, në një kontekst kulturor dhe njerëzor të përbashkët.

Hulumtimi dhe gjetja e letërkëmbimit mes tyre, i munguar në letërkëmbimin e botuar të shkrimtarit italian, për shkaqe që nuk janë të njohura dhe vendosja e këtij letërkëmbimi në një kontekst miqësie personale rinore të konsoliduar, sikurse ishtë në të vërtetë, na paraqet një shumësi diskutimesh dhe këshillimesh të ndërsjellta personale; paralele me mjaft prej mendimeve dhe ideve të tyre për kombet përkatëse; përkime mes dashurive të mbetura në tentativë apo edhe të trishtuara, gjë që e kthen këtë punim si një pikë reference me rëndësi e që do të paraqiste interes për të tjera punime krahasuese në të ardhmen.

“Gjurmime leksikografike në mjedisin arbëresh të Sicilisë”, (f. 257-280), është udhëtim i autorit në rrjedhat e leksikografisë  arbëreshë përgjatë katër shekujve mbështetur në dëshmitë shkrimore, veçanërisht atyre dorëshkrimore, kryesisht fjalorëve të shqipes dygjuhëshe etimologjikë. Ndarë në dy periudha, e para nga fundi i shek.

XVII deri në gjysmën e parë të shek. XX dhe e dyta nga fundi i shek. XX deri në ditët tona, studimi i shqyrton punimet leksikografike (fjalorët, dhe sprova leksikografike) të mbetura në dorëshkrim e të pabotuara, nga Nilo Catalano, Gjergj Guzeta, Nikollë Keta, Pal Skiroi, Dhimitër e Zef Kamarda, Zef Skiroi, Marko La Piana, duke nxjerrë në pah dallimet tipologjike midis tyre dhe duke bërë edhe një lloj klasifikimi të parimeve teorike dhe të metotave të hartimit, për të mbërritur tek kërkimet leksikografike bazuar në teknologjitë moderne komjuterike, që vetvetiu dëshmojnë për një kontribut dhe arritje të rëndësishme të leksikografisë arbëreshe. Përmbledhja mbyllet me punimin “Një self-made man arbëresh në kohë trazirash. Mbi poezitë e pabotuara të Trifonio Guiderës”, f. 281-352.

Mandalà u ka siguruar suksesin e merituar punimeve të tij, duke u vënë përkrye pyetje të formualuara që në krye të herës, mbi dyshimet qenësore “parake” mbi tekstet letrare, pyetje të cilat shtrohen dhe shpërfaqen për zgjidhje me të gjithë gjatësinë dhe gjërësinë e hamendësimeve, verifikimeve, krahasimeve, interpretimeve të mëparshme, parë këto si një shumatore leximesh dhe interpretimesh, për të mbërritur në fund, pas një procesi të gjatë argumentimi horizontal dhe vertikal njëherësh, në përfundime bindëse të cilat janë provuar hap pas hapi përgjatë këtij gjithë këtij procesi.

Studimet e Matteo Mandalà-së i këshillojnë tërthorazi filologjisë së shkuar dhe asaj të sotme shqiptare të reformojë tërësisht sistemin e saj konceptual të fushave të kërkimit, përkatësisht asaj historiko-kulturore dhe asaj ekdotike, që nënkupton të ndryshojë teorikisht, konceptualisht dhe praktikisht sjelljen studimore kundrejt teksteve të letërsisë shqipe duke i risjellë këto tekste si vullnet i fundëm i autorëve bazuar fillimisht në përshkrimet orgjinale dorëshkrimore dhe duke vijuar më pas me të gjitha botimet dhe ribotimet duke mbërritur në një stabilizim integral të korpusit letrar të secilit autor.

Ky proces ka qenë është dhe nuk ka për të qenë fort i lehtë për cilindo studiues që do të marrë përsipër ta kryejë një punë të tillë, ngaqë problematika është jo pak e vështirë, sidomos kur është fjala për autorët hershëm të letërsisë shqipe dhe atyre të romantizmit, për shkak të punës paraprake dhe shumëfish të përqendruar që kërkon para së gjithash stabilizimi/normalizimi i natyrës grafemore dhe kontekstuale gjuhësore, por duhet të ngushëllohen lumturisht studiuesit me faktin se qoftë nga këndvështrimi i metodologjisë së ndjekur, qoftë nga rezultatet e mbërritura dhe posaçërsiht nga korpusi autorëve dhe i veprave të realizuara, Matteo Mandalà mbetet një shembull model për t’u këshilluar e ndjekur, dhe nuk kanë pse të humbin aq shumë kohë, ndërkohë rruga tashmë prej shumë kohësh është e shtruar, për të mos thënë se një pjesë e mirë e së cilës tashmë ëshët kryer.

Mandalà me dy përmbledhjet studimore të tij (Gjurmime filologjike. Për letërsinë e vjetër arbëreshe. Çabej, Tiranë, 2006; dhe Studime filologjike për letërsinë arbëreshe. Naimi, Tiranë, 2012), na rrëfen për së afërmi me një fakt gati tronditës, se letërsia shqipe arbëreshe rezulton më shumë e arkivuar se sa e botuar, ndaj puna e tij kërkimore shkencore në fushën e albanologjisë është një punë misionare, një punë murgu e kohëve mesjetare bazuar në tekste dorëshkrimore dhe rrallësi librore, gjë që pak është e konceptueshme për “studiuesit” bashkëkohorë shqiptarë, që “tredhin” tekste pa hyrë në gjenetikën dhe burimologjinë zanafilore të tyre.

Ekdodika e Mandalà-së ngrihet mbi parime teorike e konceptuale të praktikuara sipas një metodologjie shkencore të niveleve më ta larta të pranuara dhe aplikuara ndërkombëtarisht. E gjithë problematika tekstore është trajtuar në mënyrën e duhur përmes një metodike rreptësisht shkencore, e cila ka mbërritur në përfundime bindëse dhe të verifikueshme.

Hipotezat e shtruara prej tij janë në thelbin e tyre bindëse dhe i nënshtrohen një metode hulumtimi e cila ndërmerr një analizë dhe interpretim të hollësishëm nga niveli i përshkrimit deri tek rindëritmi i plotë i këtyre teksteve, duke realizuar përgjatë kësaj udhe sqarime të domosdoshme dhe përfundimtare të përimtuara mbi çështjet e ndërlikuara sa i takon gjenezës së veprave, rindërtimit të fazave të ndryshme të shkrimit të teksteve, studimit të parateksteve dhe të vetë teksteve me të gjithë repertorin referencial bibliografik si marrëdhënie gjenetike dhe historiko-kritike midis versioneve dorëshkrimore dhe botimeve të ndryshme të së njëjtës vepër të shtypura, duke ruajtur një lloj homogjeniteti ekdotik midis teksteve të shtypura dhe varianteve në dorëshkrim, parë kjo në shumë raste si përftesë dhe analizë e pozicioneve të ndryshme kritike të disa brezave realizuar përgjatë historisë së kritikës dhe studimeve rreth veprave të marra në shqyrtim shpesh me mjaft stërhollime jo dobiprurëse për shkak të mungesës së një aparati të duhur kritik si skemë e besueshme e kumunikimit letrar.

Në fund nuk kanë munguar të tre elementët parësorë të metodës së tij studimore: përshkrimi, interpretimi dhe rindërtimi si dhe vendosja kronologjike e prodhimit kulturor (gjuhësor dhe letrar) arbëresh të cilin e ka konkretizuar me botimet kritike të mjaft veprave, të cilat kanë rrokur dhe shkoklavitur të gjithë tërësinë e çështjeve filologjike që kishin shtruar dorëshkrimet dhe botimet.

 “Studime filologjike për letërsinë romantike arbëreshe”, së bashku me “Gjurmime filologjike”, Tiranë, 2006, përbën një sintezë të kërkimeve shkencore të autorit, e cila është njëkohësisht qasje e re e ndryshme nga interpretimi tradicional i disa dukurive kyçe të historisë kulturore shqiptare, duke nisur qysh nga Rilindja, studimi dhe shpjegimi i së cilës na rezulton mjaft i mangët, sidomos për sa i përket fillimeve të saj. E gjithë puna kërkimore e studimore e Mandalà-së mbështetet në radhë të parë në kërkimet arkivore dhe në zbulimet e burimeve dokumentare, një punë filologjike e cila ka sjellë për rrjedhojë përfundime të reja e të besueshme.

Studimet tona të derisotme kanë vuajtur nga kjo mungesë përballjeje de visu me tekstet arbëreshe, gjë që ka patur pasoja jo të vogla në historiografinë tonë letrare nga që studiuesit nuk bënin gjë tjetër vetëm përsërisin, pohonin e ripohonin njëri-tjetrin pa verifikuar konkretisht sikurse e do nderi i punës në këto raste në dokumente origjinale. Zbulimi i dorëshkrimeve, vlerësimi i vëmendshëm kritik i tyre shoqëruar edhe me një lexim të ri kritik e të pavarur faktografik të të dhënave, kanë sjellë risi në punimet e Mandalà-së, për të mos thënë më tej se ato përmbysin leximet e derisotme të letërsisë arbëreshe.
Mars, 2013.

Shkrimi u botua sot në Suplementin Rilindasi në gazetën Shqiptarja.com (print) 09.06.2013
 
Redaksia online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm

Gara për portin e ri tregtar në Porto Romano, fondi limit 392 milionë euro! Punimet fillojnë vitin e ardhshëm