Brizida Gjikondi letër të hapur zonjës Lindita Nikolla: Pr/ligji 'Për shëndetin seksual dhe riprodhues' , porta e ferrit të degjenerimit që i ofrohet të rinjve shqiptarë si normalitet

Brizida Gjikondi letër të hapur zonjës Lindita Nikolla: Pr/ligji 'Për shëndetin seksual dhe riprodhues' , porta e ferrit të degjenerimit që i ofrohet të rinjve shqiptarë si normalitet

Lindita Nikolla

Përshëndetje zonja Lindita!

Me një shpresë të vagëllt po ju shkruaj këto rrjeshta, duke dashur të ndez tek ju dritën e një Nëne dhe besimtareje shqiptare, pak të politikanes por edhe atë në shërbim të dy të parave.

Po hyj në temë.

Siç jeni në dijeni për shkak të funksionit tuaj, pranë Kuvendit të Shqipërisë ka ardhur një projekt ligj i quajtur “Për shëndetin seksual dhe riprodhues”

Projekt/ligj i cilë në tërësinë e tij lexuar me qetësi dhe vëmëndje (pasi dihet që djalli fshihet përherë në detaje)godet barbarisht Institucionin themelor kur ngrihet shoqëria dhe shteti shqiptar, godet Familjen.

Për shkak të besimit tuaj që është i njëjtë dhe me timin besoj se jeni e familjarizuar me Shën Mërinë e Fatimës, që sot ka dhe ditën, dhe që është ndër të paktat raste e njohur dhe nga Vatikani. Motër Luçia e mbijetuara e asaj ngjarje mistike, bashkëkohëse e Nënë Terezës dhe Papa Gjon Palit të II’të, ka lënë të shkruar në ditarin e saj se “përplasja finale mes të ligës dhe të mirës do të jetë mbi Familjen dhe martesën, kush do të luftojë për shenjtërinë e tyre të mos trëmbet edhe pse do të vuajë”

Si dhe fiks 30 vjet më parë Papa i shenjtë i shqiptarëve, Papa Gjon Pali i II’të në maj të 1994 i sapo dalë nga spitali në sheshin Shën Pjetër u shpreh me dhimbje “ Familja është nën kërcënim dhe sulm duhet ta mbrojmë qoftë dhe duke vuajtur” Pikërisht atë vit, ai e quajti viti i familjes.

Po çfarë ju ofron si risi ky projekt ligj familjeve shqiptare ?

Shkurtimisht po ja u kallëzoj.

1.      Sipas këtij projekt ligji, çdo shqiptar ose shqiptare i garantohet me ligj pa asnje shkak mjekësor ose ligjor ti plotësohet dëshira e tij për tu sterilizuar, ose siç e shpjegon ky ligj “Sterilizimi është një procedurë mjekësore kirurgjikale, me anë të së cilës kryhet ndalimi i përhershëm i aftësisë për riprodhim të një individi” ... dhe të mendosh që ironikisht këtë “të drejtë” e kanë vendosur tek Neni i quajtur “planifikimi familjar”

2.      Adoleshentët dhe të miturit nën moshën 16 vjec mund të bëjnë abort edhe pa pëlqimin e prindit, ndërkohë ky paradoks që do e quaja thikë në shpirt të familjes shqiptare dhe të autoritetit prindëror, bie ndesh me trajtimin që i bëhet të miturve në Kushtetutën e Shqipërisë, Kodin e Familjes, Kodin Civil, Kodin Penal etj.

3.      Rritet mosha e abortit për fetuset dhe lejohet aborti edhe në javën e 22. Dmth 5 muajsh e gjysëm. Dhe për mua ky është një nga Nenet më kriminalë. Domethënë falë teknologjisë së përparuar tashmë është vërtetuar që në javen e 22 të jetës, fetusit i rreh jo vetëm zemra e vogël dhe i janë krijuar të gjitha organet por tashmë i janë krijuar edhe shënjat e gishtave, ai është 27 centimetra, dhe peshon 380 gram por për hartuesit e këtij projekt ligji kjo vrasje nuk përbën as krim, as mëkat.

4.      Femra pa partner. Lejohet dhe njihet që edhe një femër pa partner të përdorë teknika mjekësore për riprodhim të asistuar mjekësor. Dmth për vec egoizmit në piedestal aplikohet edhe një tjetër shkallmim i themeleve të familjes dhe shoqërisë shqiptare, fëmijët pa prindër natyralë dhe pa familje.

5.      Nënat surrogate, sipas një marrëveshje me shkrim (biznes i pastër) mes dy grave njëra do mbart fetusin e tjetrës dhe do të lind fëmijën për llogari të porositëses.

6. Çdo shtetasi shqiptar ose i huaj, qoftë dhe pa shtetësi fare i ofrohen këto "te drejta" në territorin tonë.

Ky projekt ligj kryekëput i zymtë dhe për mua anti kombëtar, jo vetëm që bie ndesh me frymën e Kushtetutës së Shqipërisë që në Nenin 53 të saj sanksionon “ MARTESA DHE FAMILJA GEZOJNE MBROJTJEN E VECANTE TE SHTETIT” por bie dhe ndesh me realitetin shqiptar, ku edhe pse familja shqiptare po kalon kriza të thella stabiliteti dhe agresioni nga antivlerat dhe imoraliteti që sundojnë, dhe nga interesat individualiste që kjo epokë po ushqen, ajo vazhdon të mbijetojë, ndaj kurrësesi ky projekt ligj jo vetëm nuk mbron interesat e saj, por përkundrazi godet me varé në shtyllat mbajtëse dhe identifikuese të saj.

Të flasësh për familjen shqiptare dmth të flasësh për diçka shumë të brishtë dhe të plagosur të shoqërisë, nga traumat e së cilës derivojnë shumë palumturi dhe tragjedi të shoqërisë sonë.

Unë nuk e idealizoj familjen, pasi ne jemi qënie të gjalla dhe ajo e parë nga afër është jo perfekte siç jemi edhe ne, çështja është që mos bëhet kompromis me thelbin e saj. Kjo epokë po i  mëson shqiptarët të jenë individualistë dhe të pashpirt, po na mëson dhe orienton të duam dikë osë të kujdesemi për dikë vetëm nëse na duhet ose na shërben, dhe kur mos na duhet më, ta flakim.

Në rast se këtë projekt ligj do e kishin propozuar klinika private ose segmente me orientime jo mbisunduese të shoqërisë edhe mund ta mirëkuptoja, por që ky projekt ligj të ofrohet nga shteti shqiptar, kjo më flet jo vetëm për dështimin e tij të thellë përballë dështimit (abortit) por dhe për një orientim totalisht miop dhe të dyshimtë drejt shtyllave bazë të një shoqërie dhe shteti, popullsia dhe institucioni i shenjtë i familjes.

Shumë shumë ligje të këtij shteti sidomos në fushën e shëndetësisë dhe të mbrojtjes së jetës së shtetasve kanë dështuar, kanë dështuar pasi jo vetëm nuk janë bazuar në realitet dhe statistika konkrete por edhe sepse ky shtet nuk ka strukturat dhe personelin shëndetësor, mbulimin e territorit me këto struktura, edukimin e popullatës dhe filozofinë pro jetës që duhet ta udhëhiqte.

Ky projekt ligj është një projekt ligj kundër jetës, agresiv dhe ekzekutues i saj. Ky projekt ligj i pa konsultuar nga mbarë shoqëria shqiptare është i varfër në logjikën mjekësore, juridike dhe sidomos humane. Dhe mos harrojmë ky projekt ligj nëse aprovohet është porta e ferrit të degjenerimit, imoralitetit dhe modelit kriminal që i ofrohet të rinjve shqiptar si normalitet.

Kurse për sa i përket abortit, dua të them me pak fjalë vështrimin tim.

Aborti është një çështje morale dhe kombëtare, personalisht mendoj se kurrë nuk mund të shkëmbejmë një krim (vrasjen e një qënie të gjallë) për një të drejtë të grave.

Çdo abort është jo vetëm një fëmijë i vrarë por edhe një shtet i dështuar në ekzistencën dhe politikat e tij sociale dhe shëndetësore.

Aborti është një traumë e madhe që pak gra nuk e kanë përjetuar. Dhe kush e ka përjetuar është e pamundur mos ta mbart me vete si dhimbje shoqëruar me pyetjet, si do ishte ai fëmijë në fytyrë, cfarë fati do të kishte, sa do e doja..

Egoizmi nuk mund të fitojë mbi jetën. Aborti nuk ka të bëjë vetëm me të drejtat e grave por edhe të drejtën e jetës. Fetusi ka trupin e tij, zemrën dhe të drejtën të jetojë.

E rithem fortë, që vetëm një shtet dështak që ka dështuar me vizionin e rritjes së popullsisë (fatkeqësisht ende nuk kanë dalë rezultatet e censusit të vitit që shkoi) që ka dështuar, në edukimin, mbrojtjen dhe mbulimin e territorit me sistemin shëndetësor bën kësi projekt ligjesh dhe autogolash.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përpara një viti, kthyen sytë dhe Kushtetutën në filozofinë e pro jetës, shumë shtete të Evropës po i rezistojnë, sulmeve, degradimit dhe zhbërjes së familjes, ndaj ky nxitim i shëmtuar i këtij projekt ligji që nuk reflekton realitetin shqiptar është i frikshëm për kulisat dhe interesat anti kombëtare që e kanë mbrujtur.

Dhe për ta mbyllur, dua të sjell në vëmëndje diçka, shpesh ne shqiptarët tradhëtojmë simbolet tona kombëtare dhe ndërkombëtare, këtu e kam fjalën jo për Skënderbeun, por për Nënën tonë Terezë, e cila është Shenjtorja e të varfërve, familjeve dhe fëmijëve kurrë të lindur. Në fjalën e saj që tronditi më të fuqishmit e botës në dhjetor të 1979’ës kur mori çmimin Nobël, ajo ndër të tjera tha..

“Ne që po qëndrojmë këtu, qëndrojmë sepse prindërit na kanë dashur. Nuk do të ishim këtu, sikur prindërit të na abortonin. Sot, mjeti më i madh, shkatërruesi më i madh i paqes, nuk është lufta, është aborti, Me miliona po vdesin me dashje nga vullneti i nënave të tyre! Ky është shkatërruesi më i madh i paqes sot! Kur nëna vret fëmijën e saj, atëherë çfarë do të bëjë ajo me ty dhe mua kur nuk ka asgjë midis nesh? Pikërisht për këtë apeloj.., apeloj kudo! “

E nderuar zonja Lindita, shpresoj shumë që në shpirtin tuaj qoftë dhe si besimtare të ndizet dritëza pro jetës dhe familjes, duke mos harruar fjalët që thoshte Don Bosko “ nëse Zoti është me ne, ne jemi shumica”

Punë të mbarë dhe gëzuar festën ndërkombëtare të familjes që është në 15 maj.

Brizida.

M.Q./S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Aaaaa: 18/05/2024 19:44

    Ke thënë të vërtetën zonja Gjikondi. Te lumtë.

    Përgjigju
  • Iris: 15/05/2024 03:20

    Znj.Gjikondi,kisha mendim tjeter per ju,por me zhgenjyet.Dhe po ju pergjigjem pike per pike arsyetimeve tuaja:1-Jeni kunder sterilizimit dhe ankoheni pse eshte pjese e planifikimit familjar! Sepse ndryshe nga ata qe te kane /predikuar/moj zonje qe seksi behet vetem per /shumefishim/ familjeje,shume njerez e bejne /per qejf/ dhe nuk dine te permbahen.Provo e thuaja /mos u sterilizoni/ nje familjeje me 3-7 femije e qe vazhdojne e shtohen se prinderit nuk permbahen nga njera ane e nga ana tjeter nuk kane buke te hane se vetem nje familjar punon!Provo e thuaja qe je kunder sterilizimit nje familjeje ku prinderit nuk permbahen e megjithate vazhdojne te lindin femije me sindroma e semundje gjenetike,vetem sepse kaq eshte kapaciteti i tyre kulturor e arsimor.2-Nje 16 vjecar mund te beje abort pa pelqimin e prinderve,eshte vertet i rende,por eshte me mire se sa nena te rrihet apo te braktiset nga familja,eshte me mire se sa te linde nje femije per te cilin babai nuk merr persiper pergjegjesite,eshte me mire se sa te detyrohet te martohet me perdhunuesin,apo me nje person qe nuk e do,per te mos u quajtur /e perdale/ nga shoqeria /e moraleve dhe vlerave/.3-Vertet rritet koha e abortit,vertet qe fetuset jane formuar me hollesite qe pershkruani ju,por dhe surprizat shendetsore nuk pushojne se ekzistuari moj zonje ,deri ne muajin e 9-te.A e dini moj zonje se ne kohen e Xhaxhit,nena e nje shoqes time te klases,i vdiq fetusi ne bark ne muajin e 7-te,nuk e di se per cfare arsye dhe zonja ishte e detyruar t'a mbante kete fetus te vdekur te paabortuar deri ne fund.Si do te ndiheshit ju sikur te ishit ne vend te asaj vajze dhe mesuesja me pakujdesine e nje te rrituri,t'ju pyeste sic e pyeti ate ne pranine e ne te gjitheve,nese ju ul barku nenes?! A do te qanit dhe ju si ajo vajze pas asaj pyetjeje delikate ,rrethuar nga ne te gjithe qe e shikonim dhe e degjonim te habitur per gjera qe nuk ishin diskutuar kurre me pare?!4-Skandalizoheni per nje femer pa burre qe kerkon femije,apo per dy partnere te te njejtit seks qe te kene femije! I ke pare fotot familjare te Elton Xhon e Anderson Cooper respektivisht? Cfare kane me pak femijet e tyre se nje familje e zakonshme? Te qeshur,te gezuar,te ushqyer,te dashur,te perkedhelur,te miretrajtuar.Dashuria,respekti familjar nuk kane nevoje per /rreth floriri/ne gisht,as per gjini te ndryshme qe te jene te verteta e te plota aty ku ekzistojne me te vertete.Kemi pare plot raste ne Shqiperi se si perfundojne familjet klasike.5-Jeni kunder surrogacise! Provo e thuaja kete nje individi,apo cifti qe per 100 arsye nuk lind femije dhe qe e deshiron biologjikisht te vetin,provo e thuaja kete nje gruaje qe ka kaluar moshen,apo nje gruaje qe mitra e saj nuk e mban dot nje fetus as me regjim shtrati.Provo e thuaja kete dikujt qe burokracite e adoptimit i shikon shume te shtrenjta,e te komplikuara,provo e thuaja kete dikujt qe pagesen e surrogacise e shikon si te vetmen pune qe gjen e qe paguhet mire dhe eshte e ligjshme.Jeni kunder surrogacise,mos valle jeni pro /blerjes/ se foshnjave.Ka nje treg dhe per kete lloj biznesi,nuk po shoh te ankoheni per kete!6-Cdo person shtetas ose jo i ofrohen keto /te drejta/sic i cilesoni ju,sepse keshtu jane ligjet e shtetit,nuk ka perjashtime,te barabarte njelloj para ligjit!

    Përgjigju
  • Shaqo: 14/05/2024 21:51

    Te lumte. Nuk ka vend per debate per kete teme. A ka ndryshim midis atyre qe i lindin dhe pastaj i hedhin ne kazanin e plehrave dhe ketyre qe e zhdukin qe ne embrion? Ne te dy rastet eshte krim dhe duhet denuar si i tille. Ne nje ane ligjvenesit e shoqeria shqetesohen per renien e lindshmerise, ne anen tjeter inkurajojme vrasjen me abort apo surrogatshnerine. Turp i madh.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare

Bashar Al-Assad rrezikon gjykimin për krime ndaj njerëzimit në Gjykatën Penale Ndërkombëtare