HIMARE - Komuniteti himarjot i kërkon Presidentit Bujar Nishani të marrë në konsideratë mundësinë për faljen e pesë shtetasve shqiptarë të etnisë greke të cilët janë dënuar nga Gjykatat e Shqipërisë me akuzën e "thyerjes së simboleve kombëtare".

Ngjarja ndodhi gjatë zgjedhjeve lokale të vitit 2003 në Himarë kur shtetasit Alfred Beleri, Koço Llazari, Vangjel Polila, Kristina Rrapo dhe Anxhela Kukaveci u konsideruan fajtorë për thirrjet nacionaliste dhe dhunim të simboleve kombëtare. Përmes një letre të hapur, të firmosur nga Stavri Marko, ky komunitet konstaton se megjithëse të 5 shtetasit janë në pritje të një gjykimi nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg, janë arsyet që të paraqitet kjo kërkesë legjitime.

"Ajo nuk është marrë parasysh në asnjë rrethanë politike apo humane, me gjithë kërkesat e vazhdueshme që kanë bërë individë, parti dhe organizata të ndryshme, drejtuar Presidentëve të mëparshëm, Moisiu dhe Topi", shkruhet në letër.

Drejtori ekzekutiv i komunitetit himarjot konstaton se i drejtohet Presidentit Nishani me këtë letër pasi sheh një realitet të ri, të një Shqipërie gjithmonë e më pranë Evropës, e cila aspiron, të jetë protagoniste në praktikën e lirive dhe të drejtave humane.

(Shqiptarja.com)