Letër sehirxhinjëve nga fronti i Ferrit: Kush kujdeset dhe shërben vuan bashkë me të sëmurin, të vetmit që lumturohen janë sehirxhinjtë e vuajtjeve

Letër sehirxhinjëve nga fronti i Ferrit: Kush kujdeset dhe shërben vuan bashkë me të sëmurin, të vetmit që lumturohen janë sehirxhinjtë e vuajtjeve

Pacientë në spitalin "Shefqet Ndroqi"

Me disa fletë gazete të bëra shuk, ku gjuhëzat e flakës luftonin me lagështirën e letrës, arrita të lexoj emrin tim në kolonën e mjekëve të emëruar në Mirditë, në vitin e largët 1979.

Ndonëse me mesatare 9.73 , nuk mu duk se u përmbys bota, as ëndrrat e mjekut të sapo dalë. Ngushëllova veten me faktin që Miredita është emër i bukur. Gjashtë vjet mjek në Malësinë e Oroshit, me pelerinën dhe çantën e ish oficeri madhor ku brenda saj ishte gjithçka që kërkohej për raste urgjente, natën, ditën, në vapë me opinga, me çizme në dimrin e acartë, ku dëbora zhdukte çdo gjurmë tënden për tu kthyer, me ngushëllonte fakti se si unë ishin dhe 100 mjekë, që ashtu të heshtur pa fjalë dhe pa inventar mizantropie u ndodheshin në çdo moment komunitetit ku shërbenin.

M’u shfaqën kalimthi këto copëza jete nga fillimi i profesionit, sepse deri më sot i konsideroja momente unikale për nga pesha profesionale dhe shpirtërore, të papërsëritshëm. Por kisha gabuar.

Kjo pandeminë bëri të kuptoj se ato momente ishin bërë pjesë e qenësishme, “vuajtje” e shpirtit, trupit dhe, që sa here i kujton, duket sikur diçka ringjallet brenda teje…

Mars 2020… Në mbarë botën koronavirusi po fitonte terren… “këmbësorët e vdekur”, ecnin dhe shembeshin përballë shërbimeve shëndetësore më të fuqishme të BE, USA. Po ndodhte, e pabesueshme! Me mijëra të vdekur, numri i të cilëve po rritej në mënyrë eksponenciale edhe në sistemet e shërbimeve më të fuqishme shëndetësore.

Spitali Universitar “Shefqet Ndroqi”, me nje eksperiencë prej 50 vjetësh në trajtimin e infeksioneve dhe komplikacioneve respiratore, me mjekë, specialistë të përkushtuar, plot pasion, u caktua nga MSH si COVID 2 . Ishte një lajm që për herë të parë e morëm nga media…

Dhe lufta filloi …

I dashur vëzhgues mizantrop… U përllogaritën, u rivlerësuan forcat… Tashmë për një betejë të vërtetë në mbrojtje të jetës, ku vdekja, si kurrë ndonjëherë bariste e shpenguar jo vetëm tek ne, por edhe në sistemet shëndetësore nga më të fuqishmet, duke i sfiduar ato.

I dashur vëzhgues mizantrop!

Mundohu të heqësh nga lista jote e mizantropisë ndryshimet e shpejta në kohë reale në infrastrukturë, aparatura, medikamente dhe burime njerëzore. Falë këtyre ndryshimeve pacientët vizitoheshin dy herë në ditë me staf të dedikuar, përveç ndjekjes që bënte çdo mjek.

 

Dështimet e sistemeve më solide shëndetësore botërore na mprehën vëmendjen dhe shkathtësinë, duke paraprirë,  shtrirë linjat te reja te oksigjenit, ajrit të komprimuar  dhe shtuar kapacitete të terapisë seminitensive…..

I dashur vëzhgues mizantrop!

Në këtë vorbull pandemie gjithë personeli shëndetësor i SUSN as nuk u tremb, as nuk uli ritmin, as nuk bëri lista mizantropie. Sanitarë, infermierë, mjekë gjithmonë në lëvizje pranë të sëmurëve, duke marre pjesë nga vuajtja e tyre.

Kush kujdeset dhe shërben vuan bashkë me të sëmurin. Të vetmit që lumturohen nga vuajtjet, janë sehirxhinjtë e vuajtjeve.

Korbat fluturojnë me shpresën që të ndodhë gjëma, që mizantropit t’i kthehet buzëqeshja nga vuajtja e tjetrit dhe të thotë “E thashë qe do ndodhte….”.

E ndërsa personeli mjekësor SUSN lufton për jetën nëpër ekrane tv shohim “ekspertë”, të cilët kanë marre përsipër t’u tregojnë sistemeve më solide shëndetësore se si duhet të kishin vepruar, se sa lehtësisht mund ta kishin përballuar nëse do kishin dëgjuar këta këshilltarë të domosdoshëm dhe të pazëvendësueshëm, të cilët të kujtojnë ekspertët që thonë se rakia behet edhe nga rrush!?!?

I dëgjoj I përhumbur në përgjigjet e analizave të pacientëve dhe më duket sikur thonë: ”Pse transheja ka zënë uje, ç'është ajo barelë që i është këputur doreza, ku janë barelambajtësit për të transportuar të plagosurin, perse qëllohet me breshëri..” ?!?!

Dhe pulsimet e sinjaleve të aparaturave bashkëkohore më rikthejnë ne realitet. Shqipëria gjatë këtyre 50 viteve nuk ka pasur kaq shume pajisje jetëmbështetëse. Ndryshimi është i pakonceptueshëm, i dashur vëzhgues mizantrop! Ti rri i kollarisur që, jo rralle xhaketa të rri shtrembër sikur do t’i përshtatet mendimeve të mbrapshta aspak optimiste!

Sa nevojë kemi për optimizëm, për sy, zemra, shpirtra që shohin përpjekjet tona si pjesë e gotës gjysmë plot.. Kjo do t’na jepte force, shprese, kurajo, duke flakur tejet panikun vrastar, që mizantropia ia shton pandemisë.

Çfarë duhej bërë më mirë?

Shumë duheshin bërë, por, ja, që dhe sistemet shëndetësore të BE nuk kanë mundur të bëjnë më të mirën, por janë përpirë nga menaxhimi global i gabuar i pandemisë, pjesë e së cilës jemi edhe ne.

Dhe me duar e këmbë dhe kamera mizantropi numëron i ekzaltuar ambulancat në pritje për të shtruar pacientët. E tregon si antivlerë e sistemit shëndetësor, ndërkohë që bota me dekada të tera dhe sistemi ynë shëndetësor, ka futur sistemin e triazhimit, pikërisht sistemin e përzgjedhjes së pacientëve në vartësi të gravitetit të sëmundjes.

Autoambulancat aty tregojne se sistemi po funksionon, ndonëse detyruar të përballet me “ngarkesa të tonazheve te larta” të cilat as vete sistemet shëndetësore solide nuk i përballuan. Automjetet private autokolonë në Itali, ku sondat e oksigjenit futeshin nga dritaret e makinave private, ishin dëshmia e fundit, ndërkohë që ti i dashur vëzhgues mizantrop, tregoje I shpenguar autoambulancat si dështim të sistemit. Jo ato janë pjesë dëshmi, se sistemi po funksionon nën peshën e tejet të rëndë të pandemisë se sistemi nuk dorëzohet…

Në një nga ditët e rëndësishme të aktivitetit tim si teknicien 20 vite më parë pata fatin të isha i dobishëm për të madhin Dritëso Agolli, i shtruar me insufficiency respiaratore në SUSN.

Mbasi e mori veten, me atë zërin e tij të ëmbël që dilte nga shpirti i butë u mundua të më  sqarojë për një artikull që kishte dalë ato ditë. “Doktor,- më tha- ne, gazetarët profesionistë, duhet t’i themi  të vërtetat.  Por e rëndësishme është të zgjedhim kush është me e dobishmja. Një gazetar thotë një të vërtetë kur përshkruan një shtëpi me disa tulla të thyera, ku në një cep trëndafilat janë fishkur….dhe dera oborrit është varur nga pesha e viteve.

Ky gazetar, doktor, ka thënë të vërtetën, por që ky përshkrim kursesi nuk do kishte efektin e përshkrimit të së vërtetës tjetër. Ndonëse dera ishte varur, duket sikur  donte të tërhiqte nga mënga për të hyrë dhe befas përballesh me një kopsht  plot lule, ku larmisë së tyre I shtoheshin zërat plot gëzim te vocërrakeve të vegjël….dhe  flladi përkëdhelte bimësinë mahnitëse dhe shpirtrat e dlirë të vocërrakëve”.

Edhe ti, i dashur vëzhgues mizantrop… po përpiqesh të tregosh tjegullat e thyera, bimësinë e tharë… Përpiqu një here te vetme të paktën te përshkruash shpirtin, përpjekjet, sakrificat për të pakësuar ankthin, vuajtjen, për t’i thënë stop panikut, për të sjellë gëzimin e jetës në sytë që shohin me shpresë.., për të shtuar dritën në fundin e tunelit të pandemisë.

Dhe unë përsëri do të ndjej ato “vuajtjet”, momentet, përjetimet e viteve të para, dashurinë e atyre njerëzve në malësitë e thella të Oroshit, të cilët më mësuan të përballoj vështirësitë dhe akoma më fort pandeminë e, bashkë me të dhe mizantropinë ndjellakeqe.

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Qytetar: 09/12/2020 10:20

    Bravo doktorPerlati per shkrimin e bukur dhe shume domethenes ne keto kohe te veshtira , qe po kalon gjithe globi dhe ne vecanti ju mjeket! Ju jeni heronjt e sotem qe po perballeni me kete te keqe te madhe. Mos e cani koken per ata qe nuk dhane as kontibutin me te vogel me "specialistet "e tyre, por vetem nxjerrin vrer per ju mjeket e frontit te rrezikut! Qente te lehin, karvani perpara!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Mandarinat nga Shqipëria me mbetje pesticidesh kthehen mbrasht nga BE, ja çfarë dihet deri tani, reagon ministria e Bujqësië

Mandarinat nga Shqipëria me mbetje pesticidesh kthehen mbrasht nga BE, ja çfarë dihet deri tani, reagon ministria e Bujqësië