Prej javësh në Tiranë dëgjohet një gjuhë revolucioni. Thirrje për përmbysje. Parulla që premtojnë shpëtim vetëm përmes rrëzimit të qeverisë. Një fjalor që të kujton faqet më dramatike të historisë.
Por pikërisht këtu lind pyetja që më ka munduar gjatë këtyre javëve të protestës.
A mund të importohet një revolucion?
Historia jep një përgjigje pothuajse të njëzëshme.
Jo.
Importohen sloganet. Importohen simbolet. Importohen mënyrat e organizimit. Importohet estetika e revoltës. Por revolucioni vetë nuk importohet. Ai nuk është produkt i rrjeteve sociale dhe as kopje e asaj që ndodh diku tjetër. Ai lind vetëm kur janë pjekur kushtet e brendshme.
Po të mjaftonte shembulli i një vendi tjetër ose fuqia e algoritmeve, epoka e rrjeteve sociale do ta kishte kthyer planetin në një revolucion të përhershëm. Çdo protestë në një cep të botës do të ndizte dhjetëra të tjera. Kjo nuk ndodh. Historia nuk funksionon me algoritme. Ajo nuk bindet nga hashtagët. Ajo bindet vetëm nga realiteti.
Historia është kokëfortë. Ka zakonin e keq të mos i nënshtrohet entuziazmit tonë. Nuk njeh asnjë revolucion që ka fituar vetëm me fjalor revolucionar. Përkundrazi, njeh shumë shoqëri që kanë ngatërruar retorikën me realitetin.
Pikërisht këtu fillon paradoksi shqiptar.
Një pjesë e gjuhës më revolucionare nuk dëgjohet domosdoshmërisht nga ata që jetojnë çdo ditë në Shqipëri. Shpesh ajo vjen edhe nga një pjesë e emigrantëve që rikthehen gjatë verës: me valixhen në njërën dorë dhe me fjalorin e revolucionit në tjetrën.
Pak javë më vonë, valixhja mbyllet sërish. Shqipëria mbetet aty. Bashkë me ata që do të vazhdojnë të jetojnë çdo ditë me pasojat e çdo vendimi politik.
Natyrisht, diaspora ka çdo të drejtë të shprehë mendimin e saj për vendin e origjinës. Pyetja nuk është kjo.
Pyetja është një tjetër:
Pse gjuha më radikale dëgjohet shpesh nga ata që, pas pak javësh, do të largohen sërish, ndërsa shumica e atyre që do të vazhdojnë të jetojnë këtu edhe nesër e përshkruajnë realitetin me më pak terma revolucionarë?
Ndoshta përgjigjja nuk është një.
Por disa.
Asimetria e përjetimit të realitetit.
Ata që jetojnë në Shqipëri e prekin realitetin me dorë. Shohin korrupsionin, pensionet e ulëta, arrogancën e administratës, pagat që nuk mjaftojnë dhe vështirësitë në arsim e shëndetësi. Por po aq shohin edhe atë që rrallë bëhet lajm: bizneset që hapen, investimet që kryhen, turistët që shtohen, rrugët që ndërtohen dhe ndryshimet graduale që nuk prodhojnë tituj bombastikë.
Ata jetojnë çdo ditë dialektikën e një shoqërie ku përparimi dhe problemet bashkëjetojnë.
Për një pjesë të diasporës, tabloja ndërtohet ndryshe. Shqipëria përjetohet kryesisht përmes vizitave të shkurtra, mediave, rrjeteve sociale dhe debatit politik. Por media dhe rrjetet sociale ushqehen nga konflikti. Normaliteti nuk është lajm. Përparimi gradual nuk bëhet viral.
Algoritmet kanë një talent të rrallë: e bëjnë zhurmën të duket shumicë. Dhe vëmendja nuk ka qenë kurrë sinonim i së vërtetës.
Kështu krijohet një asimetri. Njëri e jeton realitetin. Tjetri e sheh kryesisht të filtruar nga informacioni.
Asimetria e kostos së ndryshimit.
Qytetari që jeton në Shqipëri nuk peshon vetëm problemet. Ai peshon edhe pasojat e çdo krize politike. Çdo përshkallëzim prek punën, biznesin, investimet, turizmin, familjen dhe jetën e përditshme.
Prandaj ai nuk pyet vetëm:
"Çfarë duhet të ndryshojë?"
Ai pyet edhe:
"Me çfarë çmimi?"
Për emigrantin kjo llogari është shpesh e ndryshme. Ai mund të kërkojë një ndryshim radikal pa qenë ai që do të përballojë drejtpërdrejt pasigurinë ekonomike, institucionale apo sociale që mund ta shoqërojë atë.
Është e lehtë të kërkosh stuhi kur e di se, pas pak ditësh, do të hipësh sërish në avion.
Më e vështirë është ta kërkosh atë kur e di se do të jetosh nën çatinë që mund të lëkundet prej saj.
Asimetria në vlerësimin e alternativës.
Shumë qytetarë që jetojnë në Shqipëri nuk janë domosdoshmërisht të kënaqur me gjendjen aktuale. Ata janë të zhgënjyer nga mangësitë kronike të institucioneve, nga ritmi shpesh zhgënjyes i reformave dhe nga pritjet që politika nuk ka arritur t'i përmbushë.
Megjithatë, përvoja i ka mësuar se dëshira për ndryshim nuk mjafton.
Ndryshimi ka vlerë vetëm kur alternativa është bindshëm më e mirë.
Historia i ka mësuar se jo çdo ndryshim është domosdoshmërisht përparim.
Qytetarët nuk peshojnë vetëm dështimet e qeverisë. Ata peshojnë edhe besueshmërinë e alternativës. Ky është një kalkulim që lind nga përvoja, nga kujtesa politike dhe nga zhgënjimet e përsëritura.
Për një pjesë të diasporës, alternativa nuk zë të njëjtin vend në këtë ekuacion. Duke mos jetuar çdo ditë pasojat e zgjedhjes politike, vëmendja përqendrohet më lehtë te nevoja për ndryshim sesa te cilësia e alternativës.
Ndërsa një pjesë e diasporës pyet:
"Pse nuk ndryshoni?"
Shumë qytetarë që jetojnë në Shqipëri pyesin:
"Po me çfarë do ta zëvendësojmë?"
Kjo nuk është frikë nga ndryshimi.
Është kujtesë.
Shoqëritë nuk ecin përpara vetëm duke rrëzuar.
Ato ecin përpara duke ndërtuar më mirë.
Historia është plot me qeveri që meritonin të largoheshin.
Është po aq plot me alternativa që nuk e meritonin të vinin.
Asimetria e kohës.
Vendasi nuk njeh vetëm një fotografi të Shqipërisë.
Ai jeton filmin e saj.
Sheh sukseset dhe dështimet, ritmin e ngadaltë të ndryshimeve, kompromiset, kthimet pas dhe hapat përpara.
Emigranti, sado i lidhur emocionalisht me vendin, shpesh sheh vetëm disa sekuenca të atij filmi.
Kjo nuk e bën domosdoshmërisht gjykimin e tij të gabuar.
Por e bën të ndryshëm.
Pushimet mbarojnë.
Parullat gjithashtu.
Pas tyre mbetet përditshmëria, e cila ka zakonin e bezdisshëm të mos zgjidhet me slogane.
Edhe një paradoks tjetër nuk duhet anashkaluar.
Një protestë me disa mijëra pjesëmarrës është një e drejtë demokratike dhe meriton respekt.
Por nuk mund të flasë automatikisht në emër të gjithë popullit.
Sidomos kur përballë saj qëndron një qeveri që ka marrë besimin e qindra mijëra votuesve.
Në demokraci, protesta dhe vota kanë secila legjitimitetin e vet.
Asnjëra nuk e zëvendëson tjetrën.
Po, Shqipëria ka probleme serioze.
Ka arsye për pakënaqësi.
Ka arsye për kritika të forta.
Ka institucione që funksionojnë nën pritshmëri, reforma që ecin më ngadalë nga sa duhet dhe qytetarë që ndihen të lënë pas.
Askush nuk mund t'i mohojë.
Por po aq e vërtetë është se shumica e shoqërisë vazhdon të punojë.
Mjekët vazhdojnë të shërojnë.
Infermierët vazhdojnë të kujdesen.
Mësuesit vazhdojnë të japin mësim.
Sipërmarrësit vazhdojnë të investojnë.
Studentët vazhdojnë të ndërtojnë të ardhmen.
Turistët vazhdojnë të vijnë.
Këto nuk i zbehin problemet.
Por tregojnë se realiteti është më kompleks sesa retorika.
Prandaj pyetja nuk është kush bërtet më fort.
Pyetja është nëse janë pjekur kushtet e revolucionit.
Historia na mëson një rregull të thjeshtë.
Revolucionet nuk lindin kur një pakicë flet me gjuhën e revolucionit.
Mikrofoni mund ta bëjë një pakicë më të dëgjueshme.
Nuk mund ta bëjë shumicë.
Revolucionet lindin kur shumica arrin në përfundimin se kostoja e vazhdimit të rendit ekzistues është bërë më e madhe se kostoja e ndryshimit.
Revolucioni nuk fillon kur dëgjohet më shumë zhurmë.
As kur sloganet bëhen më të forta.
Ai fillon kur prishet konsensusi mbi realitetin.
Kur njerëz që duan të njëjtin vend nuk bien më dakord se në çfarë gjendjeje ndodhet ai.
Kur secila palë fillon të besojë se vetëm ajo zotëron të vërtetën, ndërsa pala tjetër jeton në iluzion.
Atëherë nuk kemi më vetëm një debat politik.
Kemi dy realitete që bashkëjetojnë në të njëjtin territor.
Dhe ky është revolucioni më i rrezikshëm.
Jo ai që ndan pushtetin.
Por ai që ndan perceptimin e realitetit.
Sepse, që nga ai çast, nuk diskutojmë më për të njëjtat fakte.
Diskutojmë për dy botë të ndryshme.
Vetëm atëherë historia fillon të trokasë në derë.
Retorika revolucionare ka një avantazh ndaj realitetit.
Nuk ka detyrimin të qeverisë të nesërmen.
Historia, përkundrazi, është kokëfortë.
Ajo nuk gjykon sloganet që ndezën turmat.
Ajo gjykon rezultatet që mbetën pasi turmat u shpërndanë.
Prova më e mirë e një revolucioni nuk është sa njerëz kërkojnë të rrëzojnë një qeveri.
Është sa njerëz janë gati të jetojnë me pasojat e asaj që do ta zëvendësojë.
Arkivoli është një simbol i fuqishëm për të shpallur fundin e diçkaje.
Por një shoqëri nuk ecën përpara duke mbajtur një arkivol në supe.
Shpresa nuk ecën me arkivol në krah.
Ajo ecën me një projekt.
Me një alternativë.
Me besimin se e nesërmja do të jetë më e mirë se e tashmja.
Komente










